Franca dhe Anglia forcojnë marrëveshjen për emigrantët, dëbohen ata që rikthehen ilegalisht

Franca dhe Anglia forcojnë marrëveshjen për emigrantët, dëbohen ata që rikthehen ilegalisht

12:57, 22/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Britania e Madhe dhe Franca kanë vendosur të ndryshojnë marrëveshjen e njohur si “një hyn, një del”, pas zbulimit të një boshllëku që u lejonte emigrantëve të deportuar të riktheheshin sërish në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas mediave britanike, trafikantët e qenieve njerëzore kanë shfrytëzuar kamionët për të kthyer në Britani emigrantë që më parë ishin deportuar në Francë në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Për t’i dhënë fund kësaj praktike, ministrja britanike e Brendshme, Shabana Mahmood, dhe homologu i saj francez, Laurent Nuñez, kanë rënë dakord që çdo emigrant i deportuar në Francë, i cili rikthehet ilegalisht në Britani, të mund të dërgohet sërish pas në territorin francez, pavarësisht mënyrës së hyrjes.

Ministria e Brendshme britanike ka krijuar gjithashtu një kategori të re të quajtur “rast rikthimi”, me qëllim identifikimin dhe riatdhesimin e personave që tentojnë të anashkalojnë marrëveshjen.

Që nga hyrja në fuqi e traktatit më 6 gusht të vitit të kaluar, Britania ka kthyer në Francë 921 emigrantë që kishin mbërritur me varka të vogla përmes Kanalit të La Manshit, ndërsa ka pranuar 896 azilkërkues nga Franca në kuadër të sistemit reciprok.

Marrëveshja “një hyn, një del”, e nënshkruar vitin e kaluar nga kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron, parashikon që për çdo emigrant të paligjshëm të kthyer në Francë, Britania të pranojë një azilkërkues që ndodhet në territorin francez dhe nuk ka tentuar të kalojë ilegalisht kufirin.

Autoritetet britanike thonë se skema ka ndihmuar në uljen e numrit të emigrantëve që kalojnë Kanalin, ndërsa dy vendet kanë vendosur ta zgjasin marrëveshjen deri më 1 tetor. Në prill, Londra dhe Parisi njoftuan gjithashtu një paketë të re bashkëpunimi prej 662 milionë paundësh për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco