Nga Sebastian Geisler, BILD
Emri i tij është një barrë e rëndë – por politikisht ai do ta provojë edhe një herë: administratori rajonal i Namibisë, Adolf Hitler Uunona, kandidon sërish për rizgjedhje!
Politikani (që prej vitit 2020 u bë i njohur botërisht pas një interviste me BILD) po synon përsëri pushtetin në Ompundja, në veri të Namibisë, dhe është paraqitur si kandidat për zgjedhjet rajonale (26 nëntor) në këtë vend të Afrikës jugperëndimore. Këtë e konfirmoi Uunona për BILD. Për detaje të tjera ai nuk është shprehur ende.
Pritet një fitore – pavarësisht rënies së mbështetjes për partinë qeverisëse më të majtë, Swapo!
Uunona më pas do të mund të nisë mandatin e tij të pestë. “Hitleri i Namibisë” ka qeverisur që prej vitit 2004 dhe u rizgjodh në vitin 2020 me 84.88 për qind të votave.
Presioni mbi Uunona është më i madh se kurrë. Shumë qytetarë ishin të pakënaqur me mungesën e zhvillimit në rajon. “Nuk e paguajmë që të luajë letra në punë”, shprehu zemërimin e tij një votues në gazetën lokale “Namibian”.
Prej vitesh, Hitleri u përpoq kot për ndërtimin e një rruge me asfalt mes Oshakati dhe Ompundja. Për shkak të zvarritjes së realizimit të projekteve të tij, administratori rajonal madje u detyrua t’i nënshtrohej një pyetësori nga Ministria e Financave! As një punëtor nga Ministria e Zhvillimit Rural (që kishte në fokus “Vështirësitë në zbatimin e projekteve të tanishme”) nuk ndihmoi fillimisht.
Pak para zgjedhjeve erdhi pastaj përparimi: Adolf Hitler Uunona mundi të shpallte: Rruga me asfalt po vjen! Kostoja: gati 1.5 milionë euro për fazën e ndërtimit “1A” (dymbëdhjetë kilometra)! Me shumë bujë publike, Hitleri dhe shokët e tij bënë hedhjen simbolike të lopatës së parë.
Uunona tha në një intervistë për BILD në 2020 (“Nuk synoj sundimin mbi botën”) se emrin e diktatorit ia kishte vënë i ati: “Ai ndoshta nuk e kuptonte fare për çfarë nënkuptonte Adolf Hitler”. Emrin e tij të dytë (“Hitler”) Uunona e shmang në aktivitete publike. Por jo në dokumentet zyrtare dhe në fletën e votimit!
Në një deklaratë personale, Uunona theksoi madje: “Unë nuk jam si ai!”. Ai tha se nuk ka “asgjë të përbashkët me të këqijat naziste”. BILD e di se edhe shokët e tij e tallin për emrin, madje edhe guvernatori i gjatë i Oshanas.
Në një video propagandistike, Adolf Hitler Uunona u shfaq me një vetëbesim të dukshëm, duke u shprehur, ndërsa ishte i ulur në tavolinën e punës: “Para shumë kohësh, kjo ishte thjesht një zonë që përdorej si kullotë”. Dhe: “Edhe pse nuk kemi projekte të mëdha zhvillimi, kujdesemi për kushtet sociale të jetesës së njerëzve”. Mesazhi: Nën udhëheqjen e tij, gjërat po ecin përpara!
Adolf Hitler Uunona vazhdon të bëjë lajm: për shembull, gjatë shpërthimit të COVID-it (“Adolf Hitleri duhet të punojë nga shtëpia”) ose lufta e tij kundër “maskilitetit toksik” ka tërhequr vëmendje.

© SYRI.net