U bojkotua nga SHBA-të, mbyllet samiti i G20-ës në Afrikën e Jugut

U bojkotua nga SHBA-të, mbyllet samiti i G20-ës në Afrikën e Jugut

09:20, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Samiti i G20-ës në Afrikën e Jugut, një mbledhje e ekonomive kryesore të botës, ka përfunduar me një deklaratë të përbashkët që angazhohet për “bashkëpunim multilateral“.

Deklarata, e cila përfshinte masat për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe pabarazinë ekonomike, u miratua pavarësisht kundërshtimeve nga SHBA-të, e cila bojkotoi takimin në Johanesburg.

Duke folur në ceremoninë e mbylljes të dielën, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se marrëveshja tregoi se “qëllimet e përbashkëta” tejkaluan dallimet mes vendeve pjesëmarrëse.

Presidenti amerikan Donald Trump zgjodhi të mos merrte pjesë në G20 për shkak të një pretendimi se pakica e bardhë në Afrikën e Jugut është viktimë e vrasjeve masive dhe konfiskimeve të tokës.

Siç shkruan BBC, kjo ishte hera e parë që një samit i G20-ës mbahej në Afrikë. Indonezia, India dhe Brazili e kanë udhëhequr samitin gjatë tre viteve të fundit.

SHBA-të do të presin G20-ën në vitin 2026, me samitin që pritet të mbahet në fushën e golfit të presidentit Trump në Florida.

Dorëzimi ceremonial i presidencës, i cili duhej të ndodhte në fund të samitit të dielën, nuk u zhvillua.
Pritet të ndodhë javën e ardhshme, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të nivelit më të ulët.

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva tha se “nuk kishte shumë rëndësi” që Trump nuk kishte marrë pjesë, duke shtuar se multilateralizmi ishte “më i gjallë se kurrë“.

Kancelari gjerman Fredriech Merz tha se nuk kishte qenë një “vendim i mirë” që SHBA-të të abstenonin.
Ai i tha agjencisë Reuters se ajo që kishte vënë re në G20 ishte se “bota aktualisht po kalon një riorientim dhe se po krijohen lidhje të reja”.

Delegatët arritën gjithashtu konsensus për të punuar drejt “paqes së drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, Sudan, Republikën Demokratike të Kongos dhe “Territorin Palestinez të Pushtuar”.

Përfshirja e Sudanit është domethënëse, sipas komentatorit dhe gazetarit sudanez Saeed Abdalla.

“Mendoj se për herë të parë, në G20 tani e sjellin konfliktin e Sudanit në qendër pas më shumë se dy vitesh,” i tha ai transmetuesit lokal Newzroom Afrika.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco