Rakunët që jetojnë pranë njerëzve kanë surrat më të shkurtër se ata nga zonat rurale - një tipar që ndodh shpesh në fazat e hershme të zbutjes.
Një studim i ri tregon se rakunët që jetojnë në qytete po tregojnë shenja të hershme të zbutjes, raporton portali 021.rs.
Duke përdorur foto të postuara në platformën e shkencës qytetare iNaturalist, studiuesit zbuluan se rakunët në zonat urbane kanë surrat më të shkurtër krahasuar me ato në zonat rurale. Ky ndryshim mund të jetë pjesë e të ashtuquajturës "sindromë zbutjeje", sipas një studimi të botuar më 2 tetor në revistën Frontiers in Zoology, raporton LiveScience.
Kafshët e zbutura kanë tendencë të bëhen më pak agresive ndaj njerëzve me kalimin e kohës. Ato gradualisht zhvillojnë një marrëdhënie në të cilën njerëzit u sigurojnë atyre burime - të tilla si ushqim, strehim dhe madje edhe ilaçe - në këmbim të përfitimeve, të tilla si mishi, qumështi ose puna (në rastin e qenve roje dhe bagëtive). Ky proces shpesh përfshin kultivimin e qëllimshëm të tipareve të dëshirueshme, por nuk fillon gjithmonë kështu.
"Doja të zbuloja nëse jetesa në një mjedis urban mund të shkaktonte procese zbutjeje te kafshët që nuk zbuten ndryshe. A mund të nisin rakunët rrugën drejt zbutjes vetëm duke qenë pranë njerëzve?" tha bashkautorja e studimit Rafaela Lech, një zoologe në Universitetin e Arkansasit në Little Rock.
Zbutja fillon kur kafshët përshtaten me një vend të ri ekologjik të krijuar nga prania e njerëzve. Në rastin e rakunëve, ky vend mund të jenë kontejnerët e mbeturinave.
"Mbeturinat janë një nxitës i vërtetë. Ato u sigurojnë atyre një vakt të lehtë - e tëra çfarë duhet të bëjnë është të tolerojnë praninë tonë, të mos jenë agresivë dhe mund të hanë atë që hedhim", tha Leach.
Në studim, ajo dhe një ekip prej 16 studentësh studiuan shenjat e hershme të zbutjes te rakunët në SHBA. Ndryshimet fizike që tregojnë zbutjen shpesh përfshijnë surrat më të shkurtër, veshë të varur, njolla të bardha dhe më pak frikë nga njerëzit - tipare të njohura si "sindroma e zbutjes".
Nga gati 20,000 foto nga platforma iNaturalist, ekipi zbuloi se hundët e rakunëve në zonat urbane janë mesatarisht 3.5 për qind më të shkurtra se ato në zonat rurale.
Këto tipare në dukje të palidhura mund të jenë të lidhura në të vërtetë përmes mutacioneve që ndodhin në qelizat e kreshtës nervore - një lloj qelize staminale që formohet te vertebrorët gjatë zhvillimit embrional. Teoria u paraqit për herë të parë në vitin 2014.
Gjetjet e reja mbështesin këtë hipotezë, thonë studiuesit.
© SYRI.net