50 nga 315 fëmijët e rrëmbyer nga një shkollë katolike në shtetin Niger të Nigerisë kanë arritur të shpëtojnë dhe janë ribashkuar me familjet e tyre. Një operacion i madh shpëtimi nga ushtria dhe policia vazhdon për të gjetur 265 fëmijët e mbetur dhe 12 mësuesit që u morën së bashku me ta.
Pas këtij rrëmbimi masiv, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave në disa shtete, duke përfshirë Nigerin dhe Kebbin, ku të hënën u rrëmbyen edhe 20 nxënëse nga një shkollë tjetër. Për të forcuar sigurinë, presidenti nigerian, Bola Tinubu, ka urdhëruar rekrutimin e 30 mijë policëve shtesë dhe rishpërndarjen e forcave të sigurisë në zonat e rrezikuara.
Rrëmbimi i St. Mary’s School në Papiri, Niger State, ka habitur komunitetin. Nxënësit dhe mësuesit u morën peng nga të armatosur rreth orës 02:00 të mëngjesit. Fëmijët që shpëtuan arritën të largoheshin gjatë një përpjekjeje të guximshme mes së premtes dhe së shtunës.
Kjo ngjarje rikujton rrëmbimin famëkeq të 276 vajzave në Chibok në 2014, që nxiti reagim ndërkombëtar. Qeveria nigeriane ka theksuar se grupet kriminale që rrëmbejnë për shpërblim, sulmojnë pa dallim fetar, dhe ka ndaluar pagesën e shpërblimeve, por pa shumë rezultat.
Organizatat humanitare dhe autoritetet po vazhdojnë kërkimet nëpër pyje dhe rrugë të largëta, ndërsa familjet jetojnë me frikë dhe shqetësim. Papa Leoni XIV ka shprehur “trishtim të madh” dhe ka kërkuar veprime të shpejta për lirimin e fëmijëve.
Sulmet e fundit kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në shkolla dhe kanë detyruar presidentin Tinubu të shtyjë udhëtimet e jashtme, përfshirë samitin e G20 në Afrikën e Jugut, për t’u fokusuar tek mbrojtja e qytetarëve.
© SYRI.net