Presidenti Donald Trump la të kuptohet të dielën se planifikon të takohet me kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, dhe tha se ata do të "gjejnë diçka", në atë që mund të jetë një ulje e tensioneve për presidentin republikan dhe yllin politik demokrat, të cilët e kanë cilësuar njëri-tjetrin si kundërshtarë politikë .
Trump e ka kritikuar ashpër Mamdanin për muaj të tërë, duke e etiketuar atë në mënyrë të rreme si "komunist" dhe duke parashikuar rrënimin e qytetit të tij të lindjes, Nju Jorkut, nëse zgjidhej socialisti demokrat. Ai gjithashtu kërcënoi të deportonte Mamdanin, i cili ka lindur në Ugandë dhe është bërë shtetas amerikan i natyralizuar, dhe të tërhiqte paratë federale nga qyteti.
Mamdani u ngrit nga një ligjvënës i panjohur shtetëror, në një yll të mediave sociale dhe simbol të rezistencës kundër Trump, gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie. Ai bëri fushatë mbi një sërë politikash progresive dhe një mesazh që ishte i ashpër në kundërshtimin e tij me agjendën agresive dhe anti-emigrante, që Trump ka shpalosur në mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
34-vjeçari u tërhoq nga një gamë e gjerë banorësh të Nju Jorkut dhe mundi një nga figurat e rëndësishme politike, ish-guvernatorin Andrew Cuomo, me gati 9 pikë përqindjeje.
Në fjalimin e tij të fitores natën e zgjedhjeve, Mamdani tha se donte që Nju Jorku t’i tregonte vendit se si ta mposhtte presidentin. Por një ditë më pas, ndërsa fliste për planet e tij për “mbrojtjen ndaj Trump” të Nju Jorkut sapo të merrte detyrën në janar, kryebashkiaku i ardhshëm tha gjithashtu se ishte i gatshëm të punonte me këdo, përfshirë presidentin, nëse kjo mund t’i ndihmojë njujorkezët.
Përfaqësuesit e Mamdanit nuk dhanë një koment të menjëhershëm të dielën në mbrëmje mbi komentet e presidentit, por një zëdhënës iu referua komenteve të kryetarit të zgjedhur të bashkisë javën e kaluar kur tha se planifikonte të kontaktonte Shtëpinë e Bardhë "sepse kjo është një marrëdhënie që do të jetë kritike për suksesin e qytetit".
Trump shprehu një ndjenjë të ngjashme të dielën.
“Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, do të thoja, do të donte të takohej me ne. Do të gjejmë një zgjidhje”, u tha Trump gazetarëve ndërsa përgatitej të fluturonte për në Uashington pasi kaloi fundjavën në Florida.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sqaroi menjëherë pas kësaj se Trump po i referohej Mamdanit dhe tha se nuk ishte caktuar asnjë datë për një takim të tillë.
"Ne duam të shohim që gjithçka të shkojë mirë për Nju Jorkun", tha Trump.
Komentet e Trump erdhën ndërsa ai tha gjithashtu se SHBA-të mund të zhvillojnë diskutime së shpejti me Presidentin Venezuelan Nicolás Maduro, pas një grumbullimi ushtarak pranë vendit të Amerikës së Jugut: "Do të flas me këdo", tha Trump./ AP.
© SYRI.net