Organizata ndërkombëtare mjedisore Greenpeace ka kritikuar ashpër rritjen e shkëmbimeve bërthamore midis Francës dhe Rusisë, teksa lufta në Ukrainë vazhdon. Aktivistët e Greenpeace France kanë dokumentuar një dërgesë të uraniumit të rigjeneruar, e destinuar për Rusinë, në portin e Dunkirkut të shtunën.
Sipas organizatës, anëtarët e saj filmuan ngarkimin e rreth një duzine kontejnerësh të shënuar me simbolin e radioaktivitetit në anijen mallrash Mihail Dudin, e regjistruar nën flamurin e Panamasë. Sipas Greenpeace, kjo anije viziton rregullisht Dunkirkun për të shkarkuar uranium të pasuruar ose natyror të transportuar nga Shën Petersburgu.
Ky përbën, megjithatë, rastin e parë në mbi tre vjet që organizata vëren eksport të uraniumit të rikuperuar (RFU) nga Franca drejt Rusisë. “Nuk është e paligjshme, por është imorale,” deklaroi për AFP-në Pauline Boyer, menaxhere e fushatës bërthamore të Greenpeace France. Ajo kërkoi ndërprerjen e çdo kontrate me korporatën shtetërore ruse Rosatom, e cila prej më shumë se tre vitesh kontrollon centralin bërthamor të Zaporozhyes në Ukrainë, më të madhin në Evropë.
Marrëveshjet bërthamore mes palëve bazohen kryesisht në kontratën 600 milionë euro të vitit 2018, të nënshkruar nga kompania franceze EDF me filialin e Rosatom, Tenex, për riciklimin e uraniumit të rigjeneruar. Këto operacione aktualisht nuk janë objekt sanksionesh ndërkombëtare.
Rosatom mbetet kompania e vetme në botë që zotëron teknologjinë për konvertimin e uraniumit të rigjeneruar para ri-pasurimit të tij, që kryhet më pas në Rusi ose Holandë. Vetëm një pjesë e vogël — rreth 10% — e uraniumit të pasuruar rikthehet në Francë për përdorim në centralin bërthamor të Kria-s, i vetmi që mund të operojë me këtë lloj karburanti.
Greenpeace pretendon se qeveria franceze i kërkoi EDF-së të ndalonte eksportet e RFU drejt Rusisë në vitin 2022, pas raportimeve të organizatës mbi vazhdimin e dërgesave menjëherë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Në mars 2024, qeveria franceze bëri të ditur se po shqyrton “seriozisht” ndërtimin e një impianti vendor për rigjenerimin, konvertimin dhe pasurimin e uraniumit, me synimin për t’i reduktuar varësinë industrisë franceze nga infrastruktura ruse.
© SYRI.net