Asnjë zyrtar i qeverisë amerikane nuk do të marrë pjesë në samitin e G20 këtë vit në Afrikën e Jugut, deklaroi të premten, 7 nentor, Presidenti Trump, duke përsëritur pretendimin se fermerët e bardhë të vendit po vriten dhe keqtrajtohen.
Trump e kishte njoftuar më herët se nuk do të merrte pjesë në samitin vjetor të krerëve të shteteve, ndërsa në vend të tij ishte planifikuar të shkonte nënpresidenti JD Vance. Megjithatë, një person i afërt me planet e Vance, i cili foli në kushte anonimiteti, bëri të ditur se nënpresidenti nuk do të udhëtojë më drejt samitit.
“Është një turp i madh që samiti i G20 do të mbahet në Afrikën e Jugut. Afrikanët (pasardhës të kolonëve holandezë dhe emigrantëve francezë e gjermanë) po vriten dhe theren, ndërsa tokat dhe fermat e tyre po konfiskohen në mënyrë të paligjshme,” shkroi Trump të premten në një postim në Truth Social. “Asnjë zyrtar i qeverisë së SHBA nuk do të marrë pjesë për sa kohë që këto shkelje të të drejtave të njeriut vazhdojnë. Me padurim pres të mirëpres samitin e G20 në vitin 2026 në Majami, Florida!”
Ministria e Jashtme e Afrikës së Jugut shprehu keqardhje për deklaratën e Trump duke shtuar se mezi pret të mbahet samiti I ‘suksesshëm’
“Përshkrimi i Afrikanerëve si një grup ekskluzivisht i bardhë është i pasaktë historikisht. Për më tepër, pretendimi se ky komunitet përballet me përndjekje nuk mbështetet nga faktet,” thuhej në deklaratën e saj.
Tema e samitit të këtij viti në Johanesburg është “Solidaritet, Barazi, Qëndrueshmëri.”
Administrata Trump ka akuzuar prej kohësh qeverinë e Afrikës së Jugut se po lejon përndjekjen dhe sulmet ndaj fermerëve të bardhë Afrikanerë. Ndërkohë që kufizoi numrin e refugjatëve që pranoheshin çdo vit në SHBA në vetëm 7,500, administrata kishte sinjalizuar se shumica e tyre do të ishin afrikanerë të bardhë që, sipas saj, përballeshin me diskriminim dhe dhunë në vendin e tyre.
Qeveria e Afrikës së Jugut është shprehur e habitur nga këto akuza, duke theksuar se të bardhët në vend gëzojnë në përgjithësi një standard jetese shumë më të lartë se ato me ngjyrë, më shumë se tre dekada pas përfundimit të sistemit të aparteidit — regjimit të sundimit të pakicës së bardhë.
Presidenti i vendit, Cyril Ramaphosa, ka deklaruar se i ka thënë zotit Trump se informacionet për diskriminimin dhe përndjekjen e afrikanerëve janë “plotësisht të pavërteta.”
Megjithatë, administrata amerikane ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë së Afrikës së Jugut. Më herët këtë javë, gjatë një fjalimi ekonomik në Majami, Trump tha se Afrika e Jugut duhet të përjashtohet nga grupi i G20.
Më herët këtë vit, sekretari i Shtetit Marco Rubio bojkotoi një takim të G20 për ministrat e Jashtëm, pasi rendi i ditës ishte përqendruar në çështjet e diversitetit, përfshirjes dhe përpjekjeve kundër ndryshimeve klimatike.
© SYRI.net