Itali/ Tetë vjet pas tragjedisë së urës Morandi, dënohen 32 persona. 200 vite burg.  Mes 43 viktimave edhe dy shqiptarët

Itali/ Tetë vjet pas tragjedisë së urës Morandi, dënohen 32 persona. 200 vite burg. Mes 43 viktimave edhe dy shqiptarët

09:35, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi/

8 vite pas shembjes së urës Morandi, tragjedisë që më 14 gusht 2018 mori jetën e 43 personave, mes tyre edhe dy shqiptarëve Marjus Djerri dhe Admir (Edi) Bokrina, Gjykata e Gjenovës dha vendimin e shkallës së parë në një prej proceseve penale më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Itali për një katastrofë infrastrukturore.

Pas katër vitesh gjykim dhe 284 seancash, trupi gjykues shpalli fajtorë 32 nga 57 të pandehurit, ndërsa 25 të tjerë u liruan nga akuzat ose përfituan nga parashkrimi për disa vepra penale. Në total u dhanë rreth 200 vite burg, ndërsa Prokuroria e Gjenovës kishte kërkuar afro 400 vite burg.

Dënimin më të rëndë e mori ish-administratori i deleguar i Autostrade per l'Italia, Giovanni Castellucci, i cili u dënua me 12 vite burg. Me burg u dënuan edhe ish-drejtues të Autostrade per l'Italia, të kompanisë së monitorimit SPEA Engineering dhe funksionarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët sipas gjykatës kishin përgjegjësi në kontrollin, mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e urës.

Sipas akuzës së Prokurorisë, ura u shemb si pasojë e një sistemi të tërë neglizhence. Të pandehurit akuzoheshin, sipas roleve të tyre, për katastrofë nga pakujdesia, vrasje të shumëfishta nga pakujdesia, cenim të sigurisë së transportit dhe, për disa prej tyre, edhe falsifikim të dokumentacionit teknik mbi gjendjen e urës. Hetimet zbuluan se sinjalet e degradimit të strukturës njiheshin prej vitesh, por ndërhyrjet ishin shtyrë vazhdimisht. Prokurorët argumentuan se kostot e mirëmbajtjes ishin vënë në plan të dytë, ndërsa mbrojtja këmbënguli se shembja ishte pasojë e një defekti në projektimin fillestar të urës.

Në mesin e viktimave ishin edhe dy shqiptarët Marjus Djerri, 22 vjeç, me origjinë nga Shijaku, dhe Admir (Edi) Bokrina, 32 vjeç, nga Shkodra.

Të dy jetonin dhe punonin në provincën e Gjenovës. Paraditen e 14 gushtit 2018 po udhëtonin me automjetin e kompanisë ku ishin të punësuar.

Një ditë përpara shpalljes së vendimit, administratori i deleguar i kompanisë “Autostrade per l’Italia", Arrigo Giana, publikoi një letër të hapur në gazetat Corriere della Sera dhe Il Secolo XIX, ku për herë të parë në emër të kompanisë kërkoi falje për tragjedinë.

Ai pranoi se "veprimet dhe zgjedhjet e disave kanë lënë plagë të pashlyeshme" dhe shtoi se "të kërkosh sot faljen që nuk u kërkua dje është një detyrim moral, përtej verifikimit të përgjegjësive penale dhe rrugës së drejtësisë". Në fund të letrës,  Arrigo Giana kërkoi falje "familjarëve të viktimave, qytetarëve të Gjenovës dhe të gjithë italianëve", duke pranuar se asnjë fjalë nuk mund ta shuajë dhimbjen e tyre.

Falja publike nuk u prit mirë nga familjarët e viktimave.

Presidentja e Komitetit "Ricordo Vittime Ponte Morandi", Egle Possetti, e cila humbi motrën, kunatin dhe dy nipërit në tragjedi, reagoi ashpër.

"Jemi të habitur nga kjo letër. Besoj se as Totò nuk do ta kishte imagjinuar një moment më të papërshtatshëm", deklaroi ajo në një komukimi dërgiuar dhe Syri Tv, duke iu referuar faktit se letra u publikua vetëm një ditë para vendimit të gjykatës.

Sipas Possettit, falja duhej të ishte kërkuar menjëherë pas tragjedisë dhe jo tetë vjet më vonë.

"Këto falje i kemi dëgjuar gjithmonë vetëm nën presionin e ngjarjeve. Fillimisht nga drejtuesi i mëparshëm, tani nga administratori i ri, pikërisht në prag të vendimit. Fjalët nuk mjaftojnë. Duhen fakte, transparencë dhe një plan bindës për sigurinë e autostradave", u shpreh ajo.

Pas shpalljes së vendimit, megjithatë, Possetti e cilësoi verdiktin si "shumë të rëndësishëm", duke shprehur kënaqësinë që gjykata njohu përgjegjësitë në të tre nivelet; Autostrade per l'Italia, SPEA dhe Ministria e Infrastrukturës.

"Ky është një vendim pozitiv. Besojmë se gjyqtarët kanë bërë një punë shumë të kujdesshme, duke shqyrtuar në detaje pozicionin e secilit. Jemi të kënaqur që u njohën përgjegjësitë në të gjitha nivelet", deklaroi ajo.

Në një komunikim përcjellë për SYRI TV, presidentja e Komitetit të Familjarëve të Viktimave të Urës Morandi, Egle Possetti, tha se vendimi i Gjykatës së Gjenovës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë, ndonëse nuk mund të shuajë dhimbjen e familjeve.

"Asgjë nuk mund t'i kthejë familjet tona në shtëpi dhe asgjë nuk mund ta mbushë boshllëkun që kanë lënë. Disa prej nesh do të donin që ata që shkaktuan kaq shumë dhimbje të mbeteshin të privuar nga liria përgjithmonë, por dhimbja dhe emocionet nuk duhet të na largojnë nga arsyeja", u shpreh Possetti.

Ajo theksoi se familjarët nuk duhet ta delegjitimojnë vendimin e gjykatës vetëm sepse dënimet nuk përkojnë me pritshmëritë e tyre.

"Nuk duhet të bëjmë gabimin ta vëmë në dyshim këtë vendim. Nuk duhet të harrojmë parimet kushtetuese mbi të cilat bazohet sistemi ynë i drejtësisë dhe as dënimet që parashikon ligji për veprat penale për të cilat u gjykuan të pandehurit. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të delegjitimosh këtë vendim do të thotë të vësh në dyshim edhe vetë rregullat e një shteti demokratik."

"është një vendim i rëndësishëm, sepse përcakton përgjegjësi të qarta dhe nuk është thjesht një kopje e kërkesave të Prokurorisë. Gjyqtarët kanë gjykuar në mënyrë të pavarur."

Possetti nënvizoi se beteja ligjore nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë.

"Nga sot nis një betejë e re: të mbrojmë këtë vendim edhe në Gjykatën e Apelit dhe, mbi të gjitha, të kundërshtojmë çdo përpjekje për t'u dhënë mbrojtje të veçantë drejtuesve të kompanive. Ata duhet t'i nënshtrohen ligjit njësoj si çdo qytetar tjetër."

Për familjarët e 43 viktimave, mes tyre edhe familjet e Marjus Djerrit dhe Admir Bokrinës, vendimi nuk i mbyll plagët e tragjedisë, por është një hap drejt drejtësisë pas tetë vitesh pritje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco