Presidenti Donald Trump ka urdhëruar dislokimin e trupave amerikane në Portland, Oregon, të cilin e quajti “i shkatërruar nga lufta”, duke autorizuar përdorimin e “forcës së plotë” nëse është e nevojshme.
“Po i drejtohem Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, që të sigurojë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta, si dhe çdo qendër paraburgimi të emigracionit në mbarë vendin, që është nën sulm nga Antifa dhe terroristë të tjerë të brendshëm,” tha Trump në një postim në Truth Social. “Po autorizoj gjithashtu përdorimin e Forcës së Plotë, nëse është e nevojshme.”
Pas Los Anxhelosit, Uashingtonit DC dhe Memfisit, Portlandi është qyteti i katërt ku presidenti ka dërguar trupa brenda territorit amerikan.
Kryebashkiaku i Portlandit, Keith Wilson, një demokrat, më herët është shprehur kundër planeve të Trump për të dislokuar trupa.
“Nuk kam kërkuar – dhe nuk kam nevojë – për ndërhyrje federale,” tha ai më herët këtë muaj.
Portlandi ka qenë shpesh objekt kritikash nga politikanët e krahut të djathtë për mënyrën si ka menaxhuar protestat për drejtësinë racore, si edhe krizën e të pastrehëve, duke toleruar kampet në pjesën qendrore të qytetit. Por Trump do të përballet sërish me të njëjtën situatë si kur dislokoi Gardën Kombëtare në Los Angeles — një dislokim ushtarak në një shtet të drejtuar nga një guvernator demokrat, i cili kundërshton vendimin dhe mund ta sfidojë në gjykatë.
Postimi i Trump të shtunën në mëngjes, (27 shtator) nuk specifikoi nëse ai synon të aktivizojë Gardën Kombëtare apo ushtrinë e rregullt amerikane.
© SYRI.net