Komisioni Qendror Zgjedhor i Moldavisë ndaloi të premten pjesëmarrjen e Partisë “Zemra e Moldavisë” në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke e hequr atë nga lista e kandidatëve të Bllokut Zgjedhor Patriotik (BEP), një koalicion i afërt me Rusinë.
Vendimi erdhi pas një urdhri të Gjykatës së Apelit të Kishinevit, e cila kufizoi aktivitetet e partisë për 12 muaj, mes akuzave për blerje votash, financim të paligjshëm dhe pastrim parash.
Ky zhvillim vjen në një garë të tensionuar që shihet si përcaktuese për orientimin e Moldavisë: drejt Bashkimit Evropian, ose rikthimin në orbitën e Moskës. Partia pro-perëndimore e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), në pushtet që prej vitit 2021, përballet me rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare mes akuzave për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ruse.
Udhëheqësja e “Zemrës së Moldavisë”, Irina Vlah, e quajti vendimin “abuziv” dhe një “skenar politik të sajuar nga pushteti”, duke akuzuar autoritetet për persekutim. Ajo gjithashtu u ndalua së fundmi nga hyrja në Letoni, Estoni dhe Poloni, me arsyetimin se ndihmonte Rusinë të ndërhynte në zgjedhjet moldave.
Autoritetet moldave kanë paralajmëruar se Moska po përpiqet të ndikojë votimin me qindra miliona euro dhe përmes planeve për destabilizim, akuza që Rusia i ka hedhur poshtë si “të pabazuara” dhe “anti-ruse”. Analistët paralajmërojnë se ndalimi i partive pro-ruse mund të thellojë më tej ndarjet politike dhe të mobilizojë elektoratin prorus përmes retorikës së “persekutimit politik”.
© SYRI.net