Të dyja palët, SHBA dhe Irani do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi (MOU) që do të zgjasë 60 ditë dhe mund të zgjatet me pëlqim të ndërsjellë.
Gjatë periudhës 60-ditore, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur pa taksa dhe Irani do të bjerë dakord të pastrojë minat që ka vendosur në Ngushticë për të lejuar anijet të kalojnë lirisht.
Në këmbim, SHBA-të do të heqin bllokadën e tyre ndaj porteve iraniane dhe do të bëjnë disa përjashtime nga sanksionet për të lejuar Iranin të shesë naftë lirisht.
Sa më shpejt iranianët të pastrojnë minat dhe të lejojnë rifillimin e transportit detar, aq më shpejt do të hiqet bllokada. Parimi kryesor i Trump në marrëveshje është “lehtësim për performancë”.
Irani donte që fondet të zhbllokoheshin menjëherë dhe të lehtësoheshin përgjithmonë nga sanksionet, por pala amerikane tha se kjo do të ndodhte vetëm pasi të bëheshin lëshime të prekshme.
Projekt-Memorandumi i Mirëkuptimit përfshin angazhime nga Irani për të pasur kurrë armë bërthamore dhe për të negociuar mbi pezullimin e programit të tij të pasurimit të uraniumit dhe heqjen e rezervave të tij të uraniumit shumë të pasuruar.
Sipas Axios që citon burime që kanë njohuri për negociatat, Irani i dha SHBA-së nëpërmjet ndërmjetësve, angazhime verbale në lidhje me fushëveprimin e lëshimeve që është i gatshëm të bëjë për pezullimin e pasurimit dhe heqjen dorë nga materiali bërthamor.
SHBA-të do të pranonin të negocionin mbi heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve iraniane gjatë periudhës 60-ditore megjithëse këto hapa do të zbatoheshin vetëm si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare që zbatohet në mënyrë të verifikueshme.
Forcat amerikane që u mobilizuan në muajt e fundit do të qëndronin në rajon gjatë periudhës 60-ditore dhe do të tërhiqeshin vetëm nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Projekt-Memorandumi i Mirëkuptimit gjithashtu e bën të qartë se lufta midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban do të mbaronte.
Zyrtari amerikan tha se nuk do të ishte një “armëpushim i njëanshëm” dhe nëse Hezbollahu do të përpiqej të riarmatosej ose të nxiste sulme, Izraelit do t’i lejohej të ndërmerrte veprime për ta parandaluar atë. “Nëse Hezbollahu sillet mirë, Izraeli do të sillet mire,” tha ai.
Nëse kërkesat e Trump në lidhje me programin bërthamor iranian përmbushen, presidenti është i gatshëm të bëjë çmos për të rivendosur marrëdhëniet me Iranin dhe t’u japë atyre mundësinë për të ndjekur potencialin e tyre të plotë ekonomik, të cilin Trump e konsideron “të madh”, thonë këshilltarët e tij.
© SYRI.net