CNN: Mediat pro Netanyahut në Izrael sulmojnë marrëveshjen SHBA-Iran dhe Trumpin

CNN: Mediat pro Netanyahut në Izrael sulmojnë marrëveshjen SHBA-Iran dhe Trumpin

11:52, 15/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ende nuk ka komentuar publikisht mbi marrëveshjen SHBA-Iran, por reagimet e komentuesve pro-qeveritarë zbulojnë zhgënjim dhe pakënaqësi në rritje ndaj Washingtonit dhe administratës Trump.

Yinon Magal, një prezantues i njohur në Channel 14 pro-Netanyahu, shkroi në X se Presidenti amerikan Donald Trump “doli humbës” dhe e quajti zëvendëspresidentin JD Vance “një maskara”, shkruan CNN.

Magal, i cili në të kaluarën e ka përkufizuar veten si “kanal” për mesazhet e Netanyahut, akuzoi të dërguarit e presidentit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, se kanë ndikuar te presidenti nën presionin e Katarit. Magal tha në rrjetet sociale se “Katari i bleu (ata) me shumë para”, ndërsa i akuzoi se “i kanë tradhtuar vëllezërit e tyre në Izrael”.

Negociatorët e Katarit ndodheshin në Teheran për bisedime të dielën, para se të shpallej marrëveshja.

“Ne mbetëm vetëm”, përfundoi Magal.

Një burim izraelit i tha CNN se edhe Netanyahu, privatisht, e ka fajësuar Kushnerin dhe Witkoffin për krijimin e një përçarjeje mes dy liderëve. Sipas burimit, Netanyahu beson se ata janë ndikuar nga “Katari, i cili, nga frika ndaj Iranit, shtyu qëndrime që zgjeruan hendekun midis Jerusalemit dhe Washingtonit”.

Shimon Riklin, një tjetër komentues në Channel 14, tha në rrjetet sociale se “Trump po e bën Amerikën më të dobët se kurrë”. Ndërkohë, Amit Segal, një analist i njohur politik i krahut të djathtë në Channel 12 të Izraelit, citoi Henry Kissingerin në rrjetet sociale kur tha: “Mund të jetë e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, por të jesh mik i Amerikës është fatale”.

Armiqësia ndaj Trumpit bie në kontrast të fortë me lavdërimet që presidenti amerikan kishte marrë nga figurat e krahut të djathtë në fillim të luftës me Iranin, kur Trump dhe Netanyahu shfaqën një front të bashkuar.

Në javët e fundit, ndërsa Trump u përpoq t’i jepte fund armiqësive, tensionet dolën në sipërfaqe dhe u përshkallëzuan në një seri përplasjesh publike lidhur me negociatat me Iranin dhe kushtet e armëpushimit me Hezbollahun në Liban.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco