Bashkimi Evropian hapi procesin e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë më 15 qershor pasi Qeveria e re e zgjedhur në Hungari hoqi pengesën e fundit për avancimin e procesit drejt bashkimit në bllokun prej 27 anëtarësh.
Ajo që vjen më pas mund të jetë po aq e vështirë, teksa vendet duhet të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe politike për t’u bërë anëtare të BE-së.
Çfarë në të vërtetë nënkupton hapja e bisedimeve?
Procesi i zgjerimit të BE-së përbëhet nga 33 kapituj politikash – nga politika e jashtme, bujqësia e deri te peshkimi – dhe shtetet kandidate duhet të miratojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret e BE-së për secilin nga këta kapituj.
Këta kapituj ndahen në gjashtë kllasterë dhe më 15 qershor Moldavia dhe Ukraina hapën Kllasterin e Parë, i njohur si “bazat”, që përfshin pesë kapituj që kryesisht kanë të bëjnë me çështjet e sundimit të ligjit. Këta kapituj gjithmonë hapen të parët dhe mbyllen të fundit, që do të thotë se një shtet kandidat ka përmbushur të gjitha kushtet e Brukselit. Deri më tani, Ukraina dhe Moldavia kanë nisur bisedimet për pesë nga 33 kapitujt.
Kur do të nisin bisedimet për kapitujt e tjerë?
Ka shpresë në Bruksel – po ashtu edhe në Kiev dhe Kishiniev – se edhe pesë kllasterë të tjerë do të mund të hapen në korrik, ose të paktën deri në fund të vitit. Në cilindo rast, ky do të ishte një ritëm rekord.
Shqipëria, një tjetër shtet aspirues për anëtarësim në BE, i hapi të gjithë gjashtë kllasterët brenda 11 muajsh më 2024-2025. Komisioni Evropian thotë se Kievi dhe Kishinievi janë të gatshëm, pasi kanë kryer punët e shtëpisë gjatë dy vjetëve që nga vera e vitit 2024, kur Hungaria nisi të tërhiqte veton e saj.
Kur pritet të përfundojë procesi i anëtarësimit?
Ukraina ka vendosur një objektiv shumë ambicioz duke thënë se dëshiron që t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027, ndërkaq Moldavia deri më 2028. Kjo kërkon shumë reforma nga shtetet kandidate – dhe vullnet politik nga 27 shtetet anëtare të BE-së që të ecin me po të njëjtin ritëm të shpejtë.
Sipas raportit të progresit të KE-së të publikuar në nëntor të vitit të kaluar, Ukraina kishte vetëm një “nivel përgatitjeje” në katër kapituj politikë. Për shumicën e kapitujve të tjerë, ajo kishte vetëm “një nivel të caktuar përgatitjeje”.
Për Moldavinë, numri i kapitujve me “nivel të mirë” përgatitjeje ishte vetëm dy.
Thjesht, është më e vështirë të mbyllen kapitujt sesa të hapen. BE-ja, për shembull, kërkon reforma të thella në shumë fusha, veçanërisht në gjyqësor. Mjafton të shihet rasti i Shqipërisë, e cila që nga hapja e kapitujve në nëntor 2025 ende nuk ka mbyllur asnjë prej tyre. Ose rasti i Malit të Zi, që konsiderohet vendi që ka bërë përparimin më të madh, kur ky shtet hapi kapitullin e parë në vitin 2013, por deri më tani ka mbyllur vetëm 16 nga 33 kapituj.
A duan të gjitha shtetet e BE-së një zgjerim të përshpejtuar?
Kjo është e diskutueshme. Shumica thonë që duan që blloku të zgjerohet, por shtojnë se procesi duhet të jetë i bazuar në merita, një term që përdoret në BE për të vënë në pah se nuk do të ketë rrugë të shkurtra apo anëtarësime të përshpejtuara.
Gjatë muajve të fundit, në Bruksel kanë qarkulluar shumë dokumente politike të hartuara nga vende të ndryshme të BE-së mbi mënyrat për të përshpejtuar zgjerimin, për shembull duke ofruar “anëtarësim të asociuar”, si një formë inkurajimi që do t’u lejonte disa ose të gjitha vendeve kandidate të marrin pjesë në institucione të ndryshme të BE-së, por pa të drejtë vote.
Fakti është që procesi i zgjerimit të BE-së gjithmonë ka qenë politik. Ka mbi 100 mundësi për të vendosur veto (gjatë hapjes dhe mbylljes të çdo kapitulli si dhe gjatë kritereve të ndërmjetme për shumë prej tyre) që secili nga 27 anëtarët e bllokut mund t’i përdorë për çfarëdo arsye.
Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim që nga viti 2022 për shkak të vetos së Bullgarisë, pasi që Shkupi ende nuk e ka ndryshuar Kushtetutën për të përfshirë edhe rolin e bullgarëve në shtet.
Serbia nuk ka avancuar në rrugën e saj drejt BE-së që nga viti 2021 gjerësisht për shkak se disa shtete anëtare të BE-së kanë shqetësime për afrimin e saj me Moskën sa i përket çështjeve të politikës së jashtme.
Po ashtu, edhe nëse të gjithë kapitujt e pranimit hapen dhe mbyllen, më pas mund të pasojë një proces i gjatë ratifikimi në të gjitha shtetet anëtare të BE-së për secilin vend kandidat.
Në Belgjikë, një ratifikim mund të kërkojë votime në 11 dhoma të ndryshme rajonale dhe kombëtare. Mund të ketë edhe referendume për këtë çështje në vende si Hungaria dhe Franca, ku ka një skepticizëm për zgjerimin e BE-së, veçmas ndaj Ukrainës.
Basti më realist, për momentin, është që vetëm Mali i Zi do t’i bashkohet BE-së deri në fund të kësaj dekade./ REL.
© SYRI.net