Moldavia do të votojë këtë të diel në zgjedhjet parlamentare, që presidentja e saj i ka përshkruar si më të rëndësishmet në historinë e këtij vendi të vogël.
Rezultatet do të konfirmojnë nëse Moldavia, një ish-republikë sovjetike që fitoi pavarësinë në vitin 1991, do të vazhdojë në rrugën e saj drejt integrimit perëndimor, apo do të kthehet sërish nën ndikimin e Rusisë.
Pse zgjedhjet kanë rëndësi?
E ardhmja e Moldavisë, një vend me 2.4 milionë banorë, i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë, po ndiqet me vëmendje në të gjithë kontinentin.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha këtë javë se Moldavisë i duhet mbështetje për të parandaluar rënien nën ndikimin rus — një fat që tashmë e kanë pësuar Gjeorgjia dhe Bjellorusia. “Evropa nuk mund të përballojë të humbasë edhe Moldavinë”, tha ai para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Moldavia ka marrë një rol të madh në skenën diplomatike, për shkak të afërsisë me Ukrainën dhe aleancën e NATO-s (përmes kufirit me Rumaninë), por edhe për shkak të drejtimit të saj politik. Në vitin 2021, Moldavia zgjodhi me shumicë partinë pro-evropiane dhe pro-perëndimore “Veprim dhe Solidaritet” (PAS), të udhëhequr nga presidentja Maia Sandu. Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Moldavia aplikoi për anëtarësim në BE, mori statusin e kandidatit në kohë rekord dhe tani shpreson të anëtarësohet deri në vitin 2030.
Sandu u rizgjodh presidente në zgjedhjet e vitit të kaluar, por një referendum për anëtarësimin në BE u fitua me një shumicë shumë të ngushtë, duke ngritur pikëpyetje mbi drejtimin afatgjatë të vendit.
Të dy proceset u shoqëruan me akuza për ndërhyrje ruse, përfshirë një skemë masive blerjeje votash, e dyshuar të jetë organizuar nga një përfaqësues pro-rus. Thuhet se janë transferuar 15 milionë dollarë për të blerë votën e rreth 130,000 moldavëve – afërsisht 10% e elektoratit aktiv.
Tani sondazhet tregojnë se partia e Sandu, PAS, përballet me një sfidë serioze nga opozita pro-ruse, që mund t’i mohojë asaj shumicën parlamentare. Pa një shumicë të fortë, qeveria mund të ketë vështirësi në përfundimin e reformave të vështira ekonomike dhe politike për anëtarësimin në BE, ndërkohë që përballet me varfëri të përhapur, inflacion të lartë dhe një numër relativisht të madh refugjatësh ukrainas.
Sandu ka argumentuar se një qeveri miqësore me Moskën do të përdorej si “bazë për sulme hibride kundër BE-së”, një argument që duket se gjen mbështetje nga liderët evropianë. Gjatë një vizite shumë simbolike në Chisinau muajin e kaluar, së bashku me liderët e Francës dhe Gjermanisë, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se Moldavia duhet të jetë një vend nën influencën evropiane. “Nuk mund të ketë një BE të sigurt, një Poloni, Francë dhe Gjermani të sigurt, pa një Moldavi gjithashtu të sigurt”.
Kush janë politikanët dhe partitë kryesore?
Maia Sandu, e shkolluar në Harvard dhe ish-zyrtare e Bankës Botërore, themeloi partinë qendrore të djathtë dhe reformiste PAS në vitin 2016. Një nga aleatët e saj më të ngushtë është Dorin Recean, ekonomist pro-perëndimor dhe ish-ministër i Brendshëm, i cili u bë kryeministër në shkurt 2023.
PAS përballet me një sfidë të fortë nga Blloku Patriotik, një aleancë partish të majta pro-ruse, që përfshin ish-presidentin Igor Dodon, të cilin Sandu e mundi në vitin 2020. Blloku Patriotik argumenton se integrimi evropian kërcënon pavarësinë e Moldavisë dhe kërkon lidhje më të ngushta me Rusinë.
Meqë rezultatet janë shumë të ngushta, roli i partive të vogla mund të jetë vendimtar.
Blloku Alternativa, i udhëhequr nga kryetari i bashkisë së Chisinaut, Ion Ceban, dhe kandidati i dytë presidencial në vitin 2024, Alexandru Stoianoglo, synon të tërheqë votuesit centristë të zhgënjyer. Edhe pse nominalisht pro-evropian, kjo parti kritikon qeverinë për dështim në përmirësimin e infrastrukturës dhe jetesës. Disa analistë thonë se Alternativa është një parti, që dobëson PAS-in, ndërsa ruan një kanal ndikimi me Rusinë.
Gjithashtu është në lojë partia Partia Jonë, një lëvizje populiste anti-establishment e udhëhequr nga ish-kryetari i bashkisë, Renato Usatii, i cili më parë ka pasur lidhje me politikanë nacionalistë rusë.
Nuk janë në fletën e votimit kandidatët e lidhur me oligarkun pro-rus Ilan Shor, i arratisur dhe i dënuar në vitin 2023 për mashtrim dhe pastrim parash, në një rast ku u zhdukën një miliard dollarë nga bankat moldave në vitin 2014. Ai dyshohet gjithashtu si organizatori i skemës masive të blerjes së votës, vitin e kaluar.
Si funksionon sistemi?
Pas një fushate njëmujore, votuesit të dielën do të zgjedhin 101 anëtarë të parlamentit, sipas një sistemi proporcional.
Vendimtare për rezultatet do të jenë votat e diasporës, me rreth një milion moldavë, që vlerësohet të jetojnë jashtë vendit. Moldavët që jetojnë në Evropën Perëndimore kanë qenë thelbësorë për suksesin e partisë në pushtet dhe rezultatin e ngushtë pro-BE në referendumin e fundit.
Një faktor i paparashikueshëm është edhe prania e 277,000 votuesve të regjistruar në rajonin separatist të Transnistrisë, i cili kontrollohet nga separatistët pro-rusë, megjithëse zyrtarisht është pjesë e Moldavisë.
Zakonisht, pjesëmarrja ka qenë shumë e ulët, por analistët thonë se Rusia e ka shtuar dezinformimin në atë rajon.
Çfarë rezultati pritet?
Me sondazhet që tregojnë se partia në pushtet PAS ka një epërsi shumë të vogël ndaj bllokut Patriotik, ka disa rezultate të mundshme.
PAS mund të sigurojë një fitore të ngushtë, duke garantuar vazhdimësinë e agjendës së saj të reformave për anëtarësim në BE. Por, një rezultat më i mundshëm është që PAS të dalë e para, por pa arritur shumicën, gjë që do të çonte në bisedime të gjata dhe të vështira për formimin e një qeverie.
Disa analistë kanë sugjeruar se pikat e nxehta, si orientimi i politikës së jashtme, mund të jenë aq të pazgjidhshme, sa vetëm zgjedhjet e reja do të mund ta zhbllokonin situatën.
Një mundësi e tretë është fitorja e bllokut pro-rus, me mbështetjen e partive centriste, çka do të mund të dobësonte rrugën e Moldavisë drejt BE-së dhe agjendën e reformave demokratike.
Por, të gjitha rezultatet mbeten të pasigurta, pasi zgjedhjet po zhvillohen në një klimë me frikë të madhe për ndërhyrje të jashtme. Më herët këtë javë, autoritetet moldave ndaluan 74 persona në 250 bastisje, lidhur me një komplot të dyshuar të mbështetur nga Rusia për të nxitur trazira. Kryeministri Recean akuzoi Rusinë për shpenzimin e qindra milionë eurove për të marrë pushtetin. Kremlini i ka mohuar të gjitha akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.
Një vlerësim i rrezikut, i publikuar nga Laboratori për Kërkime Forenzike Digjitale (Digital Forensic Research Lab), arriti në përfundimin se Moldavia përballet me “kërcënime të vazhdueshme hibride të udhëhequra nga Rusia, përfshirë luftën e informacionit, financimin e paligjshëm, sulmet kibernetike dhe mobilizimin e aktorëve të ndërmjetëm, që synojnë të minojnë agjendën pro-BE të qeverisë moldave dhe të forcojnë aktorët pro-rusë”. Sipas studiuesve, një manipulim i tillë, i kombinuar me fragmentimin e madh politik, rrezikon të rrisë apatinë e votuesve, duke vënë në rrezik integritetin e zgjedhjeve. /The Guardian/
© SYRI.net