Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi të dielën se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës është e mundur vetëm nëse të dyja palët bëjnë lëshime. Në një seri intervistash televizive, ai theksoi se “asnjëra palë nuk do të dorëzohet, ndaj kompromiset janë të pashmangshme”.
Rubio foli pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, zhvilluar javën e kaluar në Alaskë. Ai e përshkroi dialogun si “përparim”, por paralajmëroi se “ende ekzistojnë mosmarrëveshje të mëdha”. Megjithatë, Rubio mbeti optimist se bisedimet po afrojnë palët drejt një marrëveshjeje.
Një nga pikat më të rëndësishme që doli nga samiti ishte pranimi i Putinit që SHBA dhe Europa t’i ofrojnë Ukrainës një garanci sigurie të ngjashme me nenin 5 të NATO-s. Emisari amerikan Steve Witkoff e cilësoi këtë si një lëshim “që ndryshon lojën”.
Por Rubio shmangu komentet mbi çështjen e territoreve, ndonëse vetë Trump, pak orë më pas, ndau një postim ku nënvizohej se Ukraina “duhet të jetë e gatshme të humbasë disa territore”. Rubio insistoi se “askush nuk po e shtyn Ukrainën të dorëzojë tokë”, por shtoi se realiteti i luftës, e cila ka hyrë në vitin e katërt, është bërë “një luftë konsumimi, një mulli mishi ku Rusia ka më shumë burime njerëzore për të sakrifikuar”.
Ndërkohë, kritikët demokratë e kanë cilësuar takimin Trump–Putin si “dështim”. Senatori Chris Murphy e quajti atë “një skenë të turpshme për SHBA-në”, duke theksuar se Putin nuk bëri asnjë lëshim dhe mori “fotografinë legjitimuesе” që dëshironte. Edhe ish-zyrtarë të administratës Biden kanë akuzuar Trump për “dhurim platforme” liderit rus, pa prodhuar rezultate konkrete.
Në krahun tjetër, Rubio mbrojti qasjen e administratës aktuale, duke thënë se pa përfshirjen e Putinit, asnjë marrëveshje nuk është e mundur. “Është thjesht logjikë e shëndoshë. Nuk mund të përfundosh një luftë me Rusinë pa negociuar me Rusinë”, u shpreh ai.
Megjithëse rruga drejt paqes duket e gjatë dhe e vështirë, Rubio theksoi se objektivi mbetet i qartë: “Jo thjesht një armëpushim, por fund të luftës”.
© SYRI.net