Siguria e infrastrukturave nuk lejon asnjë neglizhencë – 7 vite nga tragjedia e urës Morandi! Mes viktimave dy të rinj shqiptarë

Siguria e infrastrukturave nuk lejon asnjë neglizhencë – 7 vite nga tragjedia e urës Morandi! Mes viktimave dy të rinj shqiptarë

13:36, 14/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

“Siguria e infrastrukturave, për të garantuar lëvizjen pa rrezik, nuk lejon asnjë formë neglizhence. Në këtë ditë përkujtimore për viktimat e urës Morandi, Italia i bashkohet dhimbjes së familjarëve të tyre”, është mesazhi i qartë i Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në 7-vjetorin e tragjedisë që tronditi Gjenovën dhe mbarë Italinë. Mesazh dërguar Kryetares së Bashkisë së Genova-s Silvia Salis.

Më 14 gusht 2017, shembja e urës Morandi mori jetën e 43 personave, mes tyre edhe dy të rinj shqiptarë, Marius Djerri dhe Edi Bokrina, nga Shkodra. Sot, për herë të parë, përvjetori u mbajt edhe pranë Memorialit të viktimave, i inauguruar më 15 dhjetor 2024, për të mos e harruar kurrë këtë plagë të thellë kombëtare.

Ceremonitë nisën në mëngjes me meshën e shenjtë të celebruar nga kryeipeshkvi i Gjenovës, Marco Tasca, në kishën San Bartolomeo della Certosa, e vijuan me momente të tjera përkujtimore të organizuara nga Bashkia e Gjenovës dhe Komiteti i Familjarëve të Viktimave.

Në mesazhin e tij, Mattarella e quajti ngjarjen “një plagë të pashlyeshme dhe një thirrje të ashpër ndaj përgjegjësive publike dhe private për sigurinë e infrastrukturave”, duke e cilësuar si “një pikë pa kthim ndaj praktikave që kanë gjeneruar një katastrofë të tillë”. Ai vlerësoi solidaritetin e treguar nga komuniteti lokal dhe kombëtar, si dhe e përshkroi ndërtimin e shpejtë të urës së re San Giorgio si “një akt rilindjeje”.

Mesazhi i Komitetit të Familjarëve të Viktimave të Urës Morandi

Në fjalën e tyre të mbajtur gjatë ceremonisë, përfaqësuesit e Komitetit theksuan:

“Kanë kaluar shtatë vjet, por dhimbja nuk fashitet dhe plaga nuk shërohet. Ajo vazhdon të kurohet çdo ditë, duke mësuar të jetojmë me këtë gur të rëndë mbi zemër. Sot jemi këtu, në këtë vend që e kemi dashur me forcë, një stacion nisjeje për ‘Trenin e Kujtesës’. Ky vend duhet të mbetet gjithmonë dëshmi, të tregojë të vërtetën, t’u flasë të rinjve, studentëve, qytetarëve, të krijojë ide e studime që nxisin kujdesin dhe shmangien e papërgjegjshmërisë.

Ligji ynë ‘Viktimat e Pakujdesisë’ është miratuar dhe jemi në fazën finale të dekretit zbatues. Falënderojmë të gjithë ata që kontribuan, veçanërisht zëvendësministrin Edoardo Rixi për angazhimin e tij të ndjeshëm. Duam që ky vend të ketë një kujdestar që me dashuri dhe kompetencë të koordinojë zhvillimin e tij. Ky memorial duhet të jetë një vlerë për qytetin, jo një barrë.

Institucionet duhet të jenë këtu çdo vit, sepse mbi supet e tyre rëndon pjesa më e madhe e përgjegjësisë për atë që ndodhi. Mungesa e tyre është një plagë tjetër. Kjo tragjedi nuk duhet të vendoset kurrë në sirtar e të mbulohet nga harresa. Askush nuk kontrolloi, askush nuk mbikëqyri. Ndaj, kërkojmë që kjo të jetë një betejë e përbashkët për siguri, respekt dhe barazi.

Ne nuk duam që ‘Kurrë më’ të kthehet në ‘Nesër’. Çdo qytetar, administrator, punonjës e teknik duhet ta ndiejë mbi lëkurë këtë përgjegjësi. Dhimbja jonë sot bërtet, është e qetë por e palodhshme, dhe na jep forcë të vazhdojmë të luftojmë. Është një betejë jo vetëm për të shuar plagën tonë, por për të mbrojtur jetët e atyre që ende jetojnë.

Duhet reflektuar se fajet e të akuzuarve në procesin ‘Morandi’ mund të mos jenë të izoluara. Sistemi është i korruptuar dhe i padrejtë, me shumë pushtet dhe interesa të mëdha financiare. Ne kërkojmë transparencë dhe ndalimin e fitimeve të padrejta në kurriz të jetës njerëzore. Jini vigjilentë për kallëzimet tona dhe të shoqatave të tjera për hetimin e menaxhimit financiar të ASPI, sepse aty mund të fshihen shkaqet e kësaj pakujdesie.

Ne jemi dëshmia se dashuria ende ekziston dhe është motori i rezistencës sonë. Siç thoshte Aldo Moro: ‘E vërteta është gjithmonë ndriçuese dhe na ndihmon të jemi të guximshëm’. Dhe siç na kujton Shën Augustini: ‘Shpresa ka dy bij të bukur – zemërimin për realitetin dhe guximin për ta ndryshuar’.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco