Papa Leo XIV ka dënuar ashpër një sulm izraelit ndaj Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës, ku mbetën të vrarë tre civilë dhe u plagosën nëntë të tjerë, përfshirë priftin e famullisë. Ngjarja tragjike ka tronditur Vatikanin dhe komunitetin e vogël të krishterë në Gaza, i cili prej muajsh po strehohet në këtë kompleks fetar mes bombardimeve të vazhdueshme.
Në një telegram zyrtar të dërguar nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Papa shprehu “trishtimin e thellë” për humbjen e jetëve dhe dhimbjen që kanë përjetuar të mbijetuarit. “Shenjtëria e Tij ripërtërin thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm dhe shpreh shpresën për dialog, pajtim dhe paqe të qëndrueshme në rajon,” thuhej në mesazh.
Patriarkana Latine e Jerusalemit, që mbikëqyr kishën, konfirmoi se ajo u godit nga një predhë tanku izraelit. Sipas organizatës bamirëse Caritas Jerusalem, predha shpërtheu mbi çatinë e kishës duke shpërndarë shrapnel dhe mbeturina në të gjithë oborrin, ku ndodheshin gra të moshuara dhe të rinj. Dy nga viktimat janë identifikuar si Saad Salameh, 60-vjeç, pastrues i famullisë dhe Fumayya Ayyad, 84-vjeç.
Pamje të shpërndara nga BBC tregojnë dëme të konsiderueshme në strukturën e kishës, përfshirë çatinë pranë kryqit dhe dritaret e thyera. Prifti argjentinas Gabriele Romanelli, i plagosur lehtë, u pa në spitalin Al-Ahli duke ndihmuar të plagosurit. Ai kishte këshilluar më herët komunitetin të qëndronte brenda për shkak të pranisë së tankeve izraelite pranë kompleksit. “Nëse Ati Gabriel nuk do të na kishte paralajmëruar, mund të kishim humbur 50 deri në 60 persona. Do të ishte një masakër”, tha një anëtar i stafit të Caritas.
Ministria e Jashtme e Izraelit shprehu “pikëllim të thellë” për incidentin dhe deklaroi se ngjarja është nën hetim, ndërsa ushtria izraelite pranoi se predha mund të ketë ardhur nga forcat e saj, por shtoi se rrethanat mbeten të paqarta. Ndërkohë, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi sulmin “të papranueshëm” dhe akuzoi Izraelin për goditje të vazhdueshme ndaj civilëve.
Patriarkana Ortodokse Greke e quajti sulmin “shkelje flagrante të shenjtërisë së jetës dhe vendeve fetare”, ndërsa OKB dhe burime të tjera humanitare vlerësojnë se në momentin e sulmit mbi 600 persona, përfshirë fëmijë dhe persona me nevoja të veçanta, ishin strehuar në kompleksin kishtar.
Lufta në Gaza nisi pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, që lanë pas 1,200 të vdekur në Izrael dhe mbi 250 pengje. Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, e cila citohet nga OKB si burimi më i besueshëm, më shumë se 58,500 njerëz janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite që prej asaj kohe.
© SYRI.net