'S' ka lypsa, kërkojnë në kazanë për të fituar para lehtë!' Jep dorëheqjen ministrja e Punës

'S' ka lypsa, kërkojnë në kazanë për të fituar para lehtë!' Jep dorëheqjen ministrja e Punës

09:00, 16/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministrja Kubane e Punës, Marta Elena Feitó-Cabrera, u detyrua të japë dorëheqjen pas komenteve të saj ku mohonte ekzistencën e lypësve në ishullin komunist.

Gjatë një seance parlamentare, ministrja deklaroi se në Kubë “nuk ka lypës” dhe se ata që kërkojnë nëpër plehra, në thelb e bëjnë këtë me dëshirë, për të fituar “para të lehta”, siç u shpreh ajo.

Deklaratat e saj shkaktuan reagime të ashpra si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke detyruar presidentin e Kubës, Miguel Díaz-Canel, të ndërhyjë. Ajo dha dorëheqjen pak pas kësaj.

Varfëria dhe mungesat ushqimore janë përkeqësuar ndjeshëm në Kubë, e cila po përballet me një krizë të thellë ekonomike.

Feitó-Cabrera bëri komentet e saj në fillim të kësaj jave gjatë një seance të Asamblesë Kombëtare, ku foli për njerëzit që lypin dhe kërkojnë nëpër kazanët e plehrave në Kubë.

Ajo dukshëm mohoi ekzistencën e tyre, duke deklaruar: “Në Kubë nuk ka lypës. Ka njerëz që shtiren si lypës për të bërë para të lehta.”

Më tej, ajo akuzoi ata që kërkojnë nëpër mbeturina si “pjesëmarrës të paligjshëm në shërbimin e riciklimit”.

Ministrja duket se e nënvlerësoi thellësinë e zemërimit dhe revoltës që do të shkaktonin deklaratat e saj, si dhe mënyrën se si ato portretizuan drejtimin e vendit si të pandjeshëm, autoritar dhe të shkëputur plotësisht nga realiteti i vështirë ekonomik i qytetarëve të zakonshëm kubanë.

Një grup aktivistësh dhe intelektualësh kubanë publikuan një letër ku kërkonin shkarkimin e saj, duke i cilësuar komentet si “një fyerje ndaj popullit kuban”.

Presidenti kuban më pas kritikoi publikisht Feitó-Cabrera-n gjatë seancës parlamentare – megjithëse pa e përmendur me emër – duke deklaruar se drejtuesit nuk mund të veprojnë “me përbuzje” dhe të jenë “të shkëputur nga realitetet” e popullit.

Ekonomisti kuban Pedro Monreal postoi në X (ish-Tëitter), duke thënë se në Kubë ka “njerëz të maskuar si ministra”.

Dorëheqja e Feitó-Cabrera-s u pranua nga Partia Komuniste Kubane dhe qeveria.

Megjithëse qeveria kubane nuk publikon të dhëna zyrtare për numrin e personave që lypin, rritja e tyre është e dukshme, në një kohë kur vendi po përjeton një krizë të thellë ekonomike, shkruan BBC.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco