'Po godasin punëtorët dhe pensionistët!' Reagime të forta në Francë për memorandumin 'Bayrou'

'Po godasin punëtorët dhe pensionistët!' Reagime të forta në Francë për memorandumin 'Bayrou'

07:24, 16/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Propozimi për buxhetin e vitit 2026, i prezantuar nga kryeministri francez François Bayrou të martën (15 korrik), është pritur me kritika të ashpra dhe kërcënime të hapura për mocion mosbesimi nga partitë opozitare.

Plani përfshin një “ngrirje” të shpenzimeve sociale, shkurtim prej 5 miliardë eurosh në sistemin shëndetësor publik, si dhe heqjen e dy ditëve pushimi zyrtar, masa që kundërshtarët politikë i kanë cilësuar si një “masakër sociale”.

Jordan Bardella, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN), deklaroi se “asnjë deputet i RN nuk do të mbështesë një masë të tillë”, të cilën e cilësoi si “provokuese”.

Ndërkohë, Marine Le Pen akuzoi presidentin Emmanuel Macron dhe kryeministrin Bayrou për “dështim të plotë”.

“Pas shtatë vitesh shpërdorim katastrofik, Macron dhe Bayrou janë të paaftë të bëjnë kursime reale dhe paraqesin një tjetër faturë për francezët: pothuajse 20 miliardë euro taksa dhe shkurtime. Asnjë kursim nga kostot e emigracionit, nga subvencionet pa kontroll për energjinë, apo nga burokracia në spitale dhe shkolla. Në vend që të luftojnë shpërdorimet, godasin punëtorët dhe pensionistët. Nëse Bayrou nuk e rishikon këtë plan, do të paraqesim mocion mosbesimi’, shprehet ajo.

Jean-Luc Mélenchon, lider i partisë “Franca e Papërkulur”, e cilësoi buxhetin si një vazhdim i “absurditetit makronist”.

“Bayrou po rrënon shtetin dhe shërbimet publike për të krijuar hapësirë për tregun. Paguajnë shumica për të shpëtuar pakicën e pasur. Jemi afër pikës pa kthim. Është urgjente t’i jepet fund makronizmit. Bayrou duhet të largohet”, tha ai.

Olivier Faure, udhëheqësi i Partisë Socialiste, e quajti buxhetin “të dhunshëm”, me masa që do të godasin rëndë familjet franceze.

“Ky nuk është një plan ringritjeje, por një plan shkatërrimi. Nuk po vjen një vit i bardhë, por një vit i zi për qytetarët”, tha Faure.

Nga ana tjetër, sekretarja e përgjithshme e partisë së ekologjistëve, Marine Tondelier, reagoi ashpër ndaj heqjes së pushimit të 8 majit, një ditë që përkujton fitoren kundër nazizmit, duke pyetur retorikisht: “Kush do ta paguajë çmimin e kaosit makronist?”

Në një fjalim të titulluar “Momenti i së vërtetës”, Bayrou prezantoi të martën direktivat kryesore të projektbuxhetit për vitin 2026, i cili synon të kursejë 40 miliardë euro dhe të ulë deficitin buxhetor nga 5.8% në 4.6% të PBB-së.

Duke qenë i shoqëruar nga pesë ministra, Bayrou paralajmëroi për një borxh që rritet me “5.000 euro çdo sekondë” dhe e quajti mbingarkesën financiare të shtetit si “një mallkim pa dalje”.

Projektbuxheti parashikon rritje të buxhetit të mbrojtjes me 3.5 miliardë euro në vitin 2026 dhe me 3 miliardë euro në 2027, me arsyetimin se “lufta është rikthyer” dhe se “Evropa nuk mund të mbetet e çarmatosur”. Qeveria synon që deri në vitin 2029, deficiti të ulet nën 3%.

Për vitin 2026 parashikohet që shpenzimet e ministrive, përveç mbrojtjes dhe interesave të borxhit, të qëndrojnë në nivelet e vitit 2025. Gjithashtu, do të shkurtohen 3.000 vende pune në administratën publike përmes moszëvendësimit të një në tre punonjësve që dalin në pension.

Shërbimet që konsiderohen “joaktive” do të mbyllen, duke prekur edhe 1.000–1.500 vende të tjera pune. Asnjë rritje për ndihmat sociale dhe pensionet, ndërsa normat tatimore nuk do të ndryshojnë.

Shpenzimet për shëndetësinë do të shkurtohen me 5 miliardë euro. Ilaçet që nuk lidhen drejtpërdrejt me diagnozën nuk do të rimbursohen plotësisht, ndërsa pjesëmarrja e pacientëve në pagesën e barnave do të dyfishohet.

Në nivel lokal, qeveria kërkon kursime prej 5.3 miliardë eurosh nga bashkitë, ndërsa do të vazhdohet me shkurtimin e një pjese të të ardhurave të tyre nga taksat.

Bayrou njoftoi gjithashtu zgjatjen e kontributit të solidaritetit për të ardhurat e larta dhe prezantimin e një “kontributi të ri”, si dhe paralajmëroi ligj të ri për luftimin e evazionit fiskal dhe mashtrimeve në sistemin social.

Për pensionet, po shqyrtohet zëvendësimi i zbritjes tatimore 10% me një shumë fikse vjetore për të ndihmuar pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Në kuadër të rritjes së produktivitetit, kryeministri propozoi heqjen e dy ditëve pushimi: të Hënës së Pashkëve dhe 8 Majit, duke vlerësuar se kjo do të sjellë miliarda euro të ardhura shtesë për shtetin. Nëse miratohet, Franca do të ketë vetëm 9 ditë pushimi zyrtar në vit, sa Danimarka, Irlanda dhe Vendet e Ulëta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco