Kryeministri kanadez Mark Carney tha të martën se Kanadaja mund të detyrohet të pranojë disa tarifa si pjesë e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar këtë si një realitet të negociatave me administratën Trump.
“Nuk ka shumë prova tani për tani që SHBA-të janë të gatshme të heqin dorë nga taksat,” deklaroi ai për gazetarët në Ottawa, duke theksuar se të gjitha marrëveshjet tregtare të presidentit amerikan kanë përfshirë elementë tariforë.
Komentet e Carney vijnë pas njoftimit të Presidentit Donald Trump për një tarifë të re 35% ndaj mallrave kanadeze që do të hyjë në fuqi më 1 gusht – një rritje e ndjeshme nga tarifa aktuale prej 25%. Kjo masë, e cila shoqërohet me tarifa të tjera mbi aluminin, çelikun, makinat dhe së fundmi edhe bakrin, ka goditur rëndë sektorët prodhues dhe të metaleve në Kanada.
Lufta tregtare mes dy vendeve ka qenë e vazhdueshme që kur Trump mori detyrën në janar, duke shkaktuar përplasje të forta ekonomike dhe politike. Kanadaja ka vendosur kundërmasa të saj në përgjigje të tarifave amerikane, ndërsa Carney la të hapur mundësinë për vendosjen e kundër-tarifave të reja nëse nuk arrihet një marrëveshje e drejtë.
Megjithatë, një pjesë e madhe e tregtisë mes dy vendeve mbetet e përjashtuar nga taksat falë marrëveshjes USMCA (Cusma), e cila, sipas një raporti të fundit të Bankës Mbretërore të Kanadasë, po funksionon ende. Rreth 91% e eksporteve kanadeze në SHBA kalojnë pa taksa, edhe pse volumi total i eksporteve ka pësuar rënie që nga prilli.
Ndërkohë, në një intervistë për BBC, Trump tha se negociatat me Kanadanë janë në zhvillim dhe shprehu bindjen se “gjithçka do të funksionojë shumë mirë”. Por për Carney, linja është e qartë: çdo marrëveshje e mundshme duhet të jetë në interesin më të mirë të Kanadasë./ BBC - Syri.Net
© SYRI.net