Trump vendos tarifë 17% për domatet meksikane, pasoja të menjëhershme për tregun dhe konsumatorët

Trump vendos tarifë 17% për domatet meksikane, pasoja të menjëhershme për tregun dhe konsumatorët

20:49, 15/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tarifë 17% për shumicën e domateve të importuara nga Meksika, duke ndërprerë një marrëveshje të gjatë tregtare me fqinjin e saj jugor. Vendimi i qeverisë amerikane hyn në fuqi menjëherë dhe synon të mbrojë kultivuesit vendas nga ajo që zyrtarët e Uashingtonit e cilësojnë si konkurrencë e padrejtë me çmime të ulëta.

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, u shpreh se “për një kohë shumë të gjatë fermerët tanë janë shtypur nga praktikat e padrejta tregtare që ulin çmimet e produkteve si domatet.” Megjithatë, autoritetet meksikane kanë mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se domatet e tyre janë të preferuara për cilësinë, jo për çmimin.

Masa pritet të rrisë çmimet në tregun amerikan, veçanërisht në restorante dhe supermarkete që mbështeten shumë në domatet meksikane. Produktet më të prekura do të jenë salcat, pica dhe ushqimet meksikane. Aktualisht, rreth 70% e domateve të konsumuara në SHBA vijnë nga Meksika, sipas Florida Tomato Exchange.

Kjo është hera e parë që nga viti 1996 që SHBA-të rikthejnë tarifat e plota ndaj domateve meksikane, pas pesë marrëveshjeve pezullimi që u arritën ndër vite për të shmangur përplasjet tregtare. Marrëveshja e fundit, e nënshkruar në vitin 2019, është anuluar nga SHBA këtë javë.

Presidenti Donald Trump ka shkuar edhe më tej, duke kërcënuar se nga 1 gushti mund të vendosë një tarifë 30% për të gjitha mallrat meksikane, me pretendimin se Meksika ka dështuar në luftën kundër trafikimit të drogës. Edhe vende si Brazili, Kina dhe Bashkimi Europian janë paralajmëruar për tarifa të reja nga administrata amerikane.

Ndërkohë, Meksika po përpiqet të arrijë një marrëveshje të re me SHBA-në për të mbrojtur eksportuesit e saj, duke deklaruar se është e pamundur të zëvendësohen domatet meksikane në tregun amerikan për shkak të volumit dhe kërkesës së lartë. Ajo gjithashtu ka premtuar mbështetje për fermerët që do të preken nga këto zhvillime.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco