Grevat e trafikut ajror dhe boshllëqet në personel: A mund ta rregullojë BE-ja kaosin e udhëtimeve gjatë verës në Evropë?

Grevat e trafikut ajror dhe boshllëqet në personel: A mund ta rregullojë BE-ja kaosin e udhëtimeve gjatë verës në Evropë?

16:47, 15/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Europa po përjeton verën më të trazuar për transportin ajror në 25 vitet e fundit, teksa grevat e paralajmëruara në Spanjë dhe Itali më 26 korrik pritet të përkeqësojnë situatën e një sektori tashmë të paralizuar. Anulimet masive dhe mungesat e personelit po prekin miliona udhëtarë në një nga sezonet më të ngarkuara të vitit.

Vetëm në fillim të korrikut, një valë grevash në Francë rezultoi në anulimin e mbi 1,500 fluturimeve në dy ditë, duke lënë pezull planet e udhëtimit të më shumë se 1 milion pasagjerëve. Me afrimin e protestave të reja në vendet jugore të kontinentit, presioni ndaj Komisionit Europian për të ndërhyrë po rritet – por zgjidhjet mungojnë.

Sipas të dhënave nga Eurocontrol, trafiku ajror në Europë është rikthyer në 98 për qind të nivelit të vitit 2019, por fluturimet janë më të ngarkuara dhe të pasigurta se kurrë. Lufta në Ukrainë ka mbyllur një pjesë të madhe të korridoreve ajrore, duke i detyruar avionët të fluturojnë në rrugë alternative të ngushta. Por më dramatikja është mungesa e theksuar e kontrollorëve të trafikut ajror, të shkaktuar nga shkurtime buxhetore dhe vonesa në trajnime.

Në vende si Franca dhe Gjermania, deri në 25 për qind e vendeve të punës në qendrat e kontrollit janë ende të pambuluara. Kjo ka bërë që lodhja dhe kushtet e vështira të punës të nxisin protesta të reja, me kontrollorët që paralajmërojnë se nuk mund të përballojnë ritmin aktual.

Kompani si Ryanair janë ndër më të zëshmet në kritikë, duke fajësuar “keqmenaxhimin kronik” të autoriteteve ajrore në disa vende dhe dështimin e BE-së për të ndërhyrë. “Është e papranueshme që Europa po dështon të mbrojë hapësirën e saj ajrore,” tha drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, duke ironizuar presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen si “von ‘Derlayed-Again’”.

Ndërkohë, pakënaqësia mes pasagjerëve po rritet. Faqet e internetit dhe rrjetet sociale janë mbushur me ankesa, thirrje për veprim dhe platforma të reja si “ATC Ruined Our Holiday” që raportojnë ndërprerjet dhe kërkojnë përgjegjësi nga ministrat e transportit.

Përkundër krizës, zyrtarët e BE-së janë të fokusuar më shumë në rregullore sesa në zgjidhje të menjëhershme. Kohët e fundit, Këshilli Europian ka shtyrë afatin e vonesave për kompensim të udhëtarëve – një vendim që ka zemëruar edhe vetë linjat ajrore.

Ndërsa projekti për një “Qiell të Vetëm Europian” – që do të unifikonte dhe përmirësonte menaxhimin e hapësirës ajrore – mbetet ende në letër që nga viti 1999, udhëtarët duket se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të përgatiten për një verë të mbushur me vonesa, anulime dhe trazira në aeroporte.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco