Mobilje, ushqime dhe makina më të shtrenjta: Si po ndikojnë tarifat e Trump te konsumatorët amerikanë?

Mobilje, ushqime dhe makina më të shtrenjta: Si po ndikojnë tarifat e Trump te konsumatorët amerikanë?

16:23, 15/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u rrit në nivelin më të lartë që nga shkurti, i nxitur nga tarifat e reja të vendosura nga Presidenti Donald Trump, të cilat po ndikojnë në çmimin e një sërë mallrash përfshirë mobiljet, veshmbathjet dhe pajisjet shtëpiake.

Sipas të dhënave të publikuara të martën nga Departamenti Amerikan i Punës, çmimet e konsumit u rritën me 2.7% në qershor në krahasim me një vit më parë, një rritje krahasuar me normën 2.4% të regjistruar në maj.

Në terma mujorë, inflacioni u ngjit me 0.3% nga maji në qershor, krahasuar me një rritje më të moderuar prej 0.1% një muaj më parë. Kjo rritje paraqet një sfidë politike për Trump, i cili kishte premtuar gjatë fushatës elektorale se do të ulte kostot për konsumatorët amerikanë. Rritja e inflacionit gjatë viteve 2022-2023 kishte sjellë pakënaqësi të thella ndaj administratës Biden dhe tani kërcënon të përsërisë atë klimë të tensionuar ekonomike.

Trump ka vendosur tarifa gjithëpërfshirëse prej 10% për të gjitha importet, si dhe taksa të shtuara për materiale të veçanta, duke përfshirë 50% për çelikun dhe aluminin, dhe 30% për produktet kineze. Vetëm javën e kaluar, ai paralajmëroi një tjetër tarifë 30% ndaj mallrave të Bashkimit Evropian, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht. Ndërkohë, çmimi i gazit u rrit me 1% nga maji në qershor, ushqimet me 0.35% dhe pajisjet shtëpiake u shtrenjtuan për të tretin muaj radhazi.

Rritja e inflacionit ka tendencë të ngadalësojë gatishmërinë e Rezervës Federale për të ulur normat e interesit, një vendim që Trump po e kërkon prej muajsh. Presidenti amerikan ka kritikuar publikisht kryetarin e Fed-it, Jerome Powell, duke e quajtur “të tmerrshëm” dhe duke deklaruar se nuk di “çfarë dreqin po bën”. Ai pretendon se ekonomia është e fortë dhe normat më të ulëta do të ndihmonin qytetarët të blejnë më lehtë shtëpi.

Sipas analistëve, megjithëse inflacioni është ende më i ulët krahasuar me kulmin e viteve të kaluara, ritmet e tanishme përbëjnë rrezik për një ambient të ashtuquajtur stagflacionar – një kombinim i rritjes së çmimeve dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike. “Të dhënat nuk i japin arsye Fed-it të ulë normat së shpejti”, tha Lindsay James nga kompania investuese Quilter. Ajo theksoi se objektivi prej 2% i inflacionit mbetet larg.

Ndërkohë, disa kompani si Walmart, Nike dhe Mitsubishi kanë paralajmëruar se do të rrisin çmimet për të kompensuar tarifat, ndërsa të tjera kanë shmangur për momentin rritjet falë inventarëve të krijuar para zbatimit të masave të reja. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se presioni mbi çmimeve mund të vazhdojë në muajt në vijim.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë dhe Fed-i vazhdojnë përplasjet mbi politikën monetare, mbetet për t’u parë nëse Trump do të ndërmarrë hapa të tjerë për të ndikuar drejtëpërdrejt në vendimet e Powell – një veprim që kërkon arsye ligjore të qarta për të qenë i mundur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco