Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

USAGM emëron Michael Abaramowitz në postin e drejtorit të Zërit të Amerikës

USAGM emëron Michael Abaramowitz në postin e drejtorit të Zërit të Amerikës

21:26, 19/04/2024
A+ Aa A-

Agjencia Amerikane për Media Globale emëroi të premten zotin Michael Abramowitz në postin e drejtorit të Zërit të Amerikës.

Në një email drejtuar personelit të premten, shefja ekzekutive e USAGM-it Amanda Bennett tha se Abramowitz, ish-gazetar dhe presidenti aktual i organizatës Freedom House, do të marrë drejtimin e Zërit të Amerikës në muajin qershor.

“Jam e sigurt se ai është një figurë e njohur për shumë nga ju, në mos shumicën prej jush, për punën e jashtëzakonshme me organizatën Freedom House, duke mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut, dhe veçanërisht në mbrojtjen dhe kontributin për lirinë e fjalës dhe shtypit në mbarë botën”, tha zonja Bennett në emailin e saj.

Zoti Abramowitz ka qenë president i organizatës Freedom House që nga viti 2017. I diplomuar në Kolegjin e Harvardit, ai e filloi karrierën e tij në gazetën Washington Post, ku punoi për 24 vjet. Për tetë vite me radhë ai kontribuoi me punën e tij në parandalimin e gjenocidit dhe informimin rreth Holokaustit në Muzeun e Holokaustit në kryeqytetin amerikan.

“Për shkak të kësaj ekspertize dhe eksperience, ai ka një kuptim të thellë të së njëjtës punë të cilës ne të gjithë i kemi kushtuar jetën dhe karrierën tonë”, tha zonja Bennett në emailin e saj.

Zoti Abramowitz pritet të fillojë rolin e tij në Zërin e Amerikës në fillim të qershorit. Në një video-mesazh drejtuar personelit, ai tha se ishte i nderuar për detyrën që i është besuar.

“Ky është një institucion që ka një histori të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha një mision të jashtëzakonshëm”, tha ai.

“Misioni është thellësisht frymëzues për mua: vetë ideja që çdo ditë ofrojmë lajme të bazuara në fakte, të drejta dhe gjithëpërfshirëse për një audiencë të madhe të botës. Për shumë njerëz, Zëri i Amerikës është burimi i vetëm i lajmeve të tilla”, tha zoti Abramowitz.

Vetë zonja Bennett shërbeu si drejtoreshë e Zërit të Amerikës nga viti 2016 deri në vitin 2020, kur ajo dha dorëheqjen pas konfirmimit në Kongres të regjisorit konservator Michael Pack për të drejtuar USAGM-në.

I emëruar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, udhëheqja e zotit Pack në krye të USAGM-së u shoqërua me çështje gjyqësore dhe ankesa. Ai dha dorëheqjen pasi demokrati Joe Biden u bë president dhe një hetim i pavarur më vonë doli në përfundimin se zoti Pack kishte abuzuar me postin dhe ishte përfshirë shkelje të rënda menaxhimi, përfshirë përpjekjet për të ndikuar në pavarësinë editoriale.

Pas largimit të tij, Kongresi shtoi masa të kontrollit dhe balancës lidhur me postin e shefit ekzekutiv të USAGM-së, përfshirë marrjen në punë dhe shkarkimin e drejtuesve të rrjeteve.

Zoti Abramowitz do të jetë zyrtarisht drejtori i parë i Zërit të Amerikës që nga emërimi i zotit Robert Reilly në dhjetor të vitit 2020 nga zoti Pack, i cili qëndroi në detyrë deri në janar të vitit 2021.

Yolanda Lopez, ish-drejtore e zyrës qendrorë të lajmeve të Zërit të Amerikës u emërua drejtore e përkohshme e Zërit të Amerikës dhe mbajti këtë post deri në dorëheqjen e saj në shtator të vitit 2023. Që nga ajo kohë në postin e drejtorit të përkohshëm ka qënë zoti John Lippman.

Në deklaratën e tij zoti Abramowitz tha priste me padurim të punonte në Zërin e Amerikës, duke patur parasysh shkallën shqetësuese të dezinformatave që vijnë nga qeveritë autoritare në mbarë botën.

“Zëri i Amerikës është një mburojë për të vërtetën dhe lirinë e shtypit, ndaj jam i emocionuar që marr drejtimin e kësaj organizate dhe të punoj së bashku me gazetarët dhe stafin e saj të talentuar. Së bashku do ta fitojmë luftën informative”, tha ai.

Organizata Freedom House publikoi të premten një deklaratë ku falënderonte zotin Abramowitz për udhëheqjen e tij.

“Për pjesën më të madhe të një dekade, Mike ka qenë forca shtytëse pas suksesit në rritje të organizatës Freedom House, duke përcaktuar një vizion që përforcoi efektivitetin në luftën e saj për liri në mbarë botën”, tha Jane Harman, një bashkëkryetare e bordit të organizatës Freedom House.

Në postin e drejtorit të Zërit të Amerikës, Abramowitz do të mbikëqyrë punën e shërbimeve në 48 gjuhë të botës me një audiencë prej 354 milionë njerëz në javë në televizion, radio dhe media të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco