'Putin me gishtin në këmbëz', alarm nga Danimarka: Rusia do ta sfidojë NATO-n ushtarakisht

'Putin me gishtin në këmbëz', alarm nga Danimarka: Rusia do ta sfidojë NATO-n ushtarakisht

20:13, 06/02/2024
A+ Aa A-

Me gishtin në këmbëz po qëndron Vladimir Putin. Shërbimet sekrete të shumë vendeve evropiane dhe në veçanti ato të shteteve skandinave paralajmërojnë se arma e tij është pozicionuar në drejtim të vendeve të NATO-s.

Suedia dhe Norvegjia u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të përgatiten për luftë me Rusinë, ndërsa ministri socialdemokrat gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha dje se "Moska mund të nisë një luftë kundër Perëndimit pas pesë ose tetë vitesh".

Ndërkohë në orët e fundit, shërbimet e inteligjencës daneze kanë paralajmëruar se një sulm ushtarak rus kundër vendeve të NATO-s është "shumë i mundshëm". Edhe qeveria polake gjithashtu pranon se vendi po përgatitet për luftë me regjimin e Moskës.

Ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri i Polonisë, Wladysław Kośniak Kamlisz dje është pyetur në një intervistë të botuar në të përditshmen “Super Express” nëse e konsideron të mundshme humbjen ushtarake të Rusisë nga Ukraina dhe sulmin e drejtpërdrejtë ndaj Polonisë.

“Unë parashikoj çdo skenar dhe e marr seriozisht më të keqen. Kjo është puna e një ministri të Mbrojtjes në situatën në të cilën jemi sot”, theksoi ai dhe pranoi se vendi i tij po përgatitet për luftë me Rusinë. “Blerjet e mëdha të armëve janë shumë të rëndësishme, por pajisjet personale të çdo ushtari duhet të merren po aq seriozisht. Polonia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e përbashkët të Bashkimit Evropian, këtë e di edhe Komisioni”, nënvizoi ministri polak i mbrojtjes.

Megjithatë, paralajmërimi i sotëm danez ndryshon dukshëm nga ai i vendeve të tjera (përfshirë Suedinë dhe Gjermaninë). Shërbimet e inteligjencës daneze sqarojnë saktësisht se çfarë po planifikon Putin, çfarë do të ketë kujdes dhe cilat operacione ruse po përgatit të nisë kundër vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

"Inteligjenca ushtarake daneze paralajmëron se Moska me shumë gjasa do të përdorë fuqinë e saj ushtarake për të sfiduar shtetet e NATO-s", tha ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen në parlamentin e vendit.

Ndërsa shërbimet e inteligjencës të vendit skandinav në raportin e tyre lidhur me një sulm të mundshëm nga Moska shkruajnë: “Rusia do të ushtrojë presion mbi vendet e NATO-s duke dërguar në mënyrë rutinore aeroplanë dhe anije luftarake për të thyer kufijtë kombëtarë. Putini madje mund ta përqendrojë ushtrinë e tij përgjatë kufijve të një vendi të NATO-s”.

Megjithatë, Moska do të jetë e kujdesshme që të mos çojë në kolapsin e aleancës së NATO-s dhe për këtë arsye të provokojë një luftë të drejtpërdrejtë duke prishur ekuilibrin në kufijtë e vendit ku do të vendosë trupat e saj.

Qeveria në Kopenhagen dhe shërbimet sekrete të Danimarkës vlerësojnë se qëllimi kryesor i Rusisë është “përdorimi i fuqisë së vetë ushtarake, për të vënë në dyshim vendet e NATO-s, pa provokuar aktivizimin e nenit 5 të Kushtetutës".

“Rusia është ende e rrezikshme. Gatishmëria e saj për të marrë rreziqe është rritur që kur Finlanda dhe Suedia u bashkuan me Aleancën. Ajo gjithashtu dëshiron të rrisë prezencën e forcave të saj të armatosura në rajonin e Detit Baltik dhe në veriperëndim, edhe nëse nuk është ende në gjendje ta bëjë këtë në afat të shkurtër”, theksohet në raport.

Rusia do t'i imponojë NATO-s provokime ushtarake por nuk do t'i shpallë hapur luftë një vendi të NATO-s.

"Përpjekjet për të kapur territorin nuk kanë gjasa të ndodhin, por mund të jenë operacione që paralizojnë proceset vendimmarrëse të NATO-s, duke rrezikuar kohezionin dhe duke dobësuar vullnetin e aleancës", tha eksperti rus Fleming Splindsboel, një studiues i lartë në Institutin Danez të Studimeve Ndërkombëtare.

Por kreu i ushtrisë daneze, gjenerali Fleming Ledfer, nxitoi të paralajmërojë se “Rusia është sot më e fortë se sa pritej, pavarësisht dy viteve të luftës në Ukrainë”.

“Putini po e kthen vendin e tij plotësisht në një ekonomi lufte dhe ai ka ndjekur një rrugë të gjatë për ta bërë këtë. Vendi tashmë po zhvillon fuqinë ushtarake dhe rezervat ushtarake me një ritëm të shpejtë”, tha Ledfer./A2

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco