Shefi i JP Morgan merr pagesën rekord

Shefi i JP Morgan merr pagesën rekord

13:09, 20/01/2024
A+ Aa A-

Gjiganti i Wall Street, JP Morgan, i pagoi shefit të tij ekzekutiv Jamie Dimon-it një shumë rekord prej 36 milionë dollarësh  vitin e kaluar. Pagesa ishte një rritje prej 4.3 për qind për zotin Dimon dhe vjen pasi banka raportoi 49.6 miliardë dollarë fitime të premten e kaluar, shumë më e madhe se e homologëve të tij. Ai u pagua 34.5 milion dollarë në vitin 2022.

Dimon, 67 vjeç, i cili është shefi ekzekutiv me shërbimin më të gjatë në bankat e mëdha të Wall Street, përshëndeti rezultatet – të cilat vijnë pasi aksionet e JP Morgan u rritën 27 për qind gjatë vitit.

Bordi i bankës tha: "Firma është me fat që udhëhiqet nga një drejtues kaq i talentuar dhe me përvojë, i cili vazhdon të rrisë kompaninë, të mbajë pozicione drejtuese në treg, të forcojë reputacionin e firmës, të investojë në mundësitë për të ardhmen, të promovojë diversitetin dhe praktikat më të mira, të menaxhojë riskun dhe të zhvillojë liderë të mëdhenj, duke ruajtur gjithashtu fokusin e tij te klientët e firmës."

Pagesa e zotit Dimon do të përbëhet nga një pagë bazë 1.5 milion dollarë dhe një bonus 34.5 milion dollarë, shumica e të cilave paguhen në aksione. Pasuria e tij neto, pjesa më e madhe e së cilës është e lidhur me aksionet e JP Morgan, është vlerësuar të jetë rreth 1.9 miliardë dollarë nga Forbes.

Z. Dimon ka drejtuar JP Morgan për 18 vjet dhe paga e tij vjetore më e lartë ndonjëherë vjen pasi drejtuesit e tjerë në bankë gjithashtu paguhen mjaft mirë. Sipas kompanisë, gjiganti i Wall Street i dha 30 milionë dollarë presidentit Daniel Pinto, 27 milionë dollarë shefes së menaxhimit të aseteve dhe pasurisë, Mary Erdoes dhe 18.5 milionë dollarë për kokë për bashkëkryetaret e bankingut të konsumatorit, Jennifer Piepszak dhe Marianne Lake.

Dimon ngriti shqetësime mbi ekonominë amerikane në fillim të kësaj jave, pasi paralajmëroi se inflacioni mund të jetë "më këmbëngulës" nga sa pritej. Ai ia hodhi fajin për këtë një sëre faktorësh, duke përfshirë promovimin e investimeve të gjelbra të presidentit Joe Biden. Ai tha: "Vlen të theksohet se ekonomia po ushqehet nga sasi të mëdha të shpenzimeve të deficitit qeveritar dhe stimujve të kaluar.

"Ekziston gjithashtu një nevojë e vazhdueshme për rritje të shpenzimeve për shkak të ekonomisë së gjelbër, ristrukturimit të zinxhirëve të furnizimit global, shpenzimeve më të larta ushtarake dhe rritjes së kostove të kujdesit shëndetësor. Kjo mund të bëjë që inflacioni të jetë më i qëndrueshëm dhe normat të jenë më të larta se ç'presin tregjet."

Presidenti Biden zbuloi një paketë masash vitin e kaluar për të rritur shpenzimet për projektet e infrastrukturës të lidhura me ekonominë e gjelbër./Syri.net 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco