Rusia refuzon bisedimet me SHBA për kontrollin e armëve

Rusia refuzon bisedimet me SHBA për kontrollin e armëve

23:13, 18/01/2024
A+ Aa A-

Rusia refuzoi më 18 janar bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontrollin e armëve, për shkak të mbështetjes amerikane për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u tha gazetarëve se Uashingtoni kishte propozuar ndarjen e çështjeve të Ukrainës dhe rifillimin e bisedimeve për kontrollin e armëve.

Lavrov tha se propozimi ishte i papranueshëm për Rusinë për shkak të mbështetjes së Perëndimit ndaj Ukrainës dhe akuzoi Perëndimin për një “luftë hibride” kundër Moskës.

Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve për kontrollin e armëve, në të ardhmen.

Në qershor të vitit 2023 Shtëpia e Bardhë ishte shprehur e gatshme për bisedime me Rusinë pa parakushte në lidhje me krijimin e një kornize të kontrollimit të armëve bërthamore, edhe pse po miratonte kundërmasa si përgjigje ndaj vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të pezulluar traktatin e fundit të kontrollit të armëve bërthamore midis dy vendeve.

Gjatë një fjalimi në Asociacionin e Kontrollit të Armëve, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, kishte bërë të ditur se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka shprehur vullnetin për bisedime, në mënyrë që të krijohet një kornizë për kontrollin e armëve bërthamore.

Në shkurt të vitit 2023, Putini njoftoi se e ka suspenduar bashkëpunimin e Rusisë për dispozitat e Traktatit New START, për inspektimet e armëve bërthamore dhe raketave në mes të tensioneve midis Uashingtonit dhe Moskës lidhur me pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Rusia, megjithatë, kishte thënë se do të respektonte kufijtë e traktatit për armët bërthamore.

Në qershor të vitit 2023, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes (SIPRI) tha se kontrolli i armëve bërthamore dhe diplomacia e çarmatosjes kanë pësuar ngecje të mëdha pas nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Lejimi i inspektimeve në vendet ku mbahen armët dhe ofrimi i informacioneve për vendet ku dislokohen raketat ndërkontinentale dhe ato balistike për nëndetëse, por edhe testimi i tyre, janë komponentë kyçë të traktatit New START.

Ky traktat ishte nënshkruar më 2010 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, dhe ai rus, Dmitry Medvedev.

Megjithatë, sipas vlerësimit të SIPRI-t, dislokimi i forcave strategjike bërthamore të dy shteteve deri në janar të vitit 2023 është bërë bazuar në kufizimet e vendosura nën traktatin New START.

Sipas institutit SIPRI shtetet që kanë armë bërthamore janë: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli./ REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco