Putini mund të jetë gati për të nisur një sulm apokaliptik

Putini mund të jetë gati për të nisur një sulm apokaliptik

15:53, 11/01/2024
A+ Aa A-

Nëse nuk armatosim Ukrainën, NATO do të jetë në luftë me Moskën brenda pak vitesh

Hamish de Bretton-Gordon

Me vëmendjen perëndimore të kthyer drejt zgjedhjeve në Britani dhe Amerikë, lufta në Ukrainë po largohet nga faqet e para. Ndërsa shumë njerëz në Perëndim e kanë cilësuar konfliktin si një ngërç, Kremlini nuk e ka bërë. Tani ka zhurmë në Moskë se një ofensivë vendimtare për ta kthyer valën e luftës në favor të Rusisë së shpejti mund të fillojë.

Rusia po kërkon nëpër glob për dronë dhe municione nga çdo shtet diktator dhe rebel, ndërsa Kievi rrëmon e kërkon predha artilerie dhe raketa të mbrojtjes ajrore nga "aleatët" e tij të çoroditur.

Ndërsa kancelari gjerman Shulz i kërkon Bashkimit Europian të bëjë më shumë – ndërkohë që nuk arrin të dorëzojë qindra tanke Leopard 2 kaq shumë që i duhen Ukrainës – Rusia po shkon drejt një lufte totale, me shpenzimet e qeverisë dhe ekonominë e saj të diktuar gjithnjë e më shumë nga nevojat e makine lufte. Kontrasti midis Lindjes dhe Perëndimit nuk mund të ishte më i qartë; Rusia është e përqendruar dhe ne jo.

Putinit, ndërkohë, së shpejti mund t'i duhet të tregojë rezultate në terren. Zgjedhjet në mars do të jenë një falsitet i plotë, me kundërshtarin e tij të vetëm të vërtetë, Alexei Navalny-n, të burgosur. Kjo nuk do të thotë se autokrati është tërësisht i hekurt. Kujtimi i tentativës së grushtit të shtetit të verës së kaluar pa dyshim që do të jetë i freskët në mendjen e tij dhe vdekjet e civilëve të shkaktuara nga sulmet ukrainase përtej kufirit do të përqendrojnë vëmendjen përsëri në gjendjen e luftës. Dmitry Peskov, një zëdhënës i Kremlinit ka këmbëngulur se ushtria ruse "do të bëjë gjithçka për të minimizuar rrezikun në fillim dhe më pas për ta eliminuar plotësisht".

Me ultra-nacionalistët rusë që bëjnë thirrje për një ofensivë të madhe rreth Kharkiv-it, ka një nxitje të qartë për Putinin që të bëjë gjithçka në "operacionin e tij special ushtarak". Problemi është se sipas Institutit për Studimin e Luftës, një institut kërkimor me bazë në SHBA, ushtria ruse ka të ngjarë të mos "kryejë një operacion për të kapur një territor të rëndësishëm në rajonin e Kharkiv-it në të ardhmen e afërt". Sipas fjalëve të tij, "Një inkursion rus 15 kilometra në thellësi dhe disa qindra kilometra në gjerësi do të ishte një ndërmarrje masive operacionale që do të kërkonte një grupim forcash shumë më të mëdha dhe me burime dukshëm më të mira se sa ato që forcat ruse kanë aktualisht përqendruar përgjatë gjithë kufirit ndërkombëtar me Ukrainën, aq më tepër në Belgorod Oblast".

Kjo nuk do të thotë se një sulm i tillë është i pamundur. Thjesht do të thotë se do të kërkonte armë në fushën e betejës, të cilën nuk i kemi parë ende. Sipas mendimit tim, të vetmet armë që ka Rusia që mund ta arrijë këtë në këtë hark kohor do të ishte një armë taktike bërthamore ose një lloj sulmi kimik ose biologjik. Duke pasur parasysh dështimin famëkeq të "vijës së kuqe" të Obamës në Siri dhe hezitimin e Perëndimit për t'u angazhuar plotësisht për të mbrojtur Ukrainën, Putini mund të mendojë se ky është një bast që ia vlen të vihet.

Si Stalini, Putini ka një ego të pangopur dhe një dëshirë për madhështi me çfarëdo çmimi. Ata në Perëndim që besojnë se një armëpushim mund të pasohet nga një kthim në "normalitet" janë budallenj të mëdhenj. Askush që e kupton Kremlinin nuk beson se është e sigurt që Putini do të ndalojë marshimin e tij drejt perëndimit. Zhvendosja drejt militarizimit të shtetit rus dhe thirrjet në rritje për një ofensivë më të madhe duhet të shërbejnë si një paralajmërim se Perëndimi duhet të zgjohet përpara se të veprojë. Ne duhet të mbështesim dhe armatosim plotësisht Ukrainën. Nëse nuk e bëjmë, siç parashikoi shefi polak i Sigurisë, NATO do të jetë në luftë me Moskën brenda pak vitesh.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco