VOA/ Thirrje për ndryshim të qasjes ndaj ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës

VOA/ Thirrje për ndryshim të qasjes ndaj ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës

18:40, 24/12/2023
A+ Aa A-
Mbështetja e administratës së Presidentit Biden për Izraelin në luftën kundër Hamasit ka nxitur kritika të ashpra nga amerikanët, që po protestojnë kundër vrasjes së civilëve palestinezë, si dhe nga personeli i Departamentit të Shtetit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, Presidenti Joe Biden ka sinjalizuar Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se ai duhet ndryshojë qasjen ndaj konfliktit ose rrezikon humbjen e mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar.



Për dekada, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndërmjetësojnë një zgjidhje për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve, të lidhur me territorin, qendrat fetare dhe sovranitetin.

Në vitin 1993, kishte një moment premtues në Shtëpinë e Bardhë, kur Kryeministri izraelit Yitzhak Rabin dhe negociatori i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Mahmoud Abbas nënshkruan një deklaratë për vetë-qeverisje, e cila njihet si Marrëveshjet e Oslos.

Paqja dukej se ishte e afërt, por ish Ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lawrence Korb, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, thotë se palestinezët e shkelën marrëveshjen.

Zoti Korb, i cili tani punon në Qendrën për Progresin Amerikan, tha për Zërin e Amerikës se ai ende beson në zgjidhjen me dy shtete, por me një udhëheqje të re palestineze.

“Tani palestinezët duhet të riorganizohen. Udhëheqësi i tyre Mahmoud Abbas nuk është efektiv. Ai është i moshuar. Ata duhet të zgjedhin një udhëheqës të ri. Do të ishte një arritje e madhe nëse mund të dilte një shtet palestinez nga kjo situatë e tmerrshme dhe kjo do ta bënte shumë më të lehtë ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon”, thotë ai.

Aaron David Miller ka punuar për administrata të presidentëve republikanë dhe demokratë për shumë dekada, shpesh në rolin e anëtarit të ekipit amerikan të angazhuar në negociatat për paqe në Lindjen e Mesme. Ai sheh më shumë një vazhdimësi se sa një ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Izrael, veçanërisht me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Joe Biden është i vetmi në mesin e presidentëve amerikanë modern, që e konsideron veten pjesë të historisë së Izraelit. Marrëdhëniet e tij me kryeministrat e Izraelit dhe udhëheqës të tjerë janë dhjetëra vjeçare. Ai këmbënguli që të shkonte në një zonë lufte kur shpërtheu kriza atje”, thotë ai.

Presidenti përqafoi Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu vetëm disa ditë pasi militantët e Hamasit, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, vranë 1200 njerëz dhe morën peng mbi 200 të tjerë në sulmin brutal të 7 tetorit në Izrael. Ai vazhdimisht e ka përsëritur mbështetjen amerikane për Izraelin.

Por, brenda dy muajve ushtria izraelite bombardoi Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, duke shkaktuar zhvendosjen e mbi 2 milionë palestinezëve, plagosjen e 50 mijë njerëzve dhe vrasjen e mijëra të tjerëve në fushatën më vdekjeprurëse të Izraelit që nga fillimi i konfliktit dhjetëra vjeçar.

Presidenti Biden së fundmi tha në një tubim fushate se Izraeli po humb mbështetjen nga vendet e tjera për shkak të “bombardimeve pa dallim” në Rripin e Gazës dhe se Netanyahu duhet të bëjë ndryshime në qeverinë e tij të vijës së ashpër.

Në Nju Jork dhe qytetet të tjera, mijëra amerikanë kanë protestuar kundër vrasjes së civilëve palestinezë në ofensivën e Izraelit kundër Hamasit.

Një pjesë e personelit të Departamentit të Shtetit ka shprehur pakënaqësinë rreth qasjes ndaj këtij konflikti, madje një grup i tyre nënshkroi një letër proteste dhe disa punonjës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

“Njerëzit brenda Departamentit të Shtetit kanë ndjekur me vëmendje politikën tonë ndaj Izraelit për shumë vite dhe ne kemi ofruar mbështetje ushtarake të pakushtëzuar për Izraelin. Pra, ka një pajtueshmëri brenda Departamentit të Shtetet se ne nuk i kemi përdorur mjetet dhe mbështetjen ushtarake si një mënyrë për ushtruar trysni mbi Izraelin për të gjetur një zgjidhje për çështjen palestineze”, thotë Elizabeth Shackelford nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale.

Ndërsa mijëra njerëz kanë protestuar kundër ofensivës ushtarake të Izraelit, mijëra amerikanë të tjerë u mblodhën në Uashington në mes të nëntorit për të shprehur mbështetjen për Izraelin dhe për të dënuar antisemitizmin./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco