20 vjet nga kapja e Saddam Hussein-it

20 vjet nga kapja e Saddam Hussein-it

08:28, 13/12/2023
A+ Aa A-

Më 13 dhjetor 2003, personi më i kërkuar në Irak u arrestua. Saddam Hussein-i u gjet nga forcat amerikane, i fshehur në një vrimë jo shumë larg nga vendi ku ishte lindur ky ish-diktator.

Bota mësoi për kapjen e personit më të kërkuar në Irak, kur ish-administratori amerikan në Irak Paul Bremer tha në një konferencë shtypi në Bagdad “zonja dhe zotërinj, e kapëm.”

Gazetarët arabë dhe irakianë që merrnin pjesë në konferencë brohoritën për disa minuta me radhë. Irakianët filluan të festonin në rrugët e kryeqytetit. Studentja e Universitetit të Bagdadit Alia Hadi kujton dhe thotë se ishte shumë e lumtur ta shihte Saddam Hussein-in në televizion, i hutuar dhe i fshehur në një vrimë. Ajo thotë se kjo ishte e drejta e fundit e të gjithë irakianëve, ta shihnin zotin e tyre ta ndëshkonte atë ashtu siç i kishte ndëshkuar ai irakianët. Ajo shton se ai duhet të ndiqet penalisht dhe të dënohet me vdekje.

Rreth orës 8:30 në mbrëmje, ish-diktatori 66-vjeçar u gjet i fshehur në një vrimë, afër një shtëpie-fermë, 15 kilometra në jug të qytetit të tij të lindjes Tikrit.

Arrestimi i tij u bë si rezultat i informacioneve të siguruara nga ish-truprojat dhe të afërmit e njerëzve të afërt me ish-presidentin irakian. Atij iu gjetën 750 mijë dollarë para të thata, dy automatikë AK-47 dhe një pistoletë. Megjithatë, ai u dorëzua pa luftë.

Një nga komandantët amerikanë që mori pjesë gjatë arrestimit tha se Saddam Hussein-i “u kap si miu.”

Me flokët e gjatë dhe mjekrën e gjatë dhe të thinjur, Saddam Hussein-i dukej i hutuar dhe shumë i lodhur. Brenda pak orësh nga kapja e tij, u transmetua një videokasetë ku tregohej një doktor që ekzaminonte ish-diktatorin dhe i kontrollonte edhe dhëmbët. Ky nuk ishte imazhi që shumica e irakianëve donin të shihnin.

Karim Yousef, menaxheri i përgjithshëm i Radio Dijlas, një stacion që transmeton pikëpamjet dhe mendimet e irakianëve, thotë se shumë irakianëve u erdhi keq të shihnin që Saddam-i u kap në atë mënyrë. Ai thotë se Saddam-i ka pasur pushtetin në Irak për 35 vjet me radhë dhe shumë njerëz e konsideronin si trim dhe të fuqishëm. Ai thotë se ishte e trishtueshme ta shihje Saddam-in të dukej kaq i hutuar, me flokët dhe mjekrën e tij të gjatë.

Pamje të tilla të ish-diktatorit i zemëruan disa irakianë, të cilët e panë videon si një përpjekje për ta turpëruar Saddam Hussein-in. Megjithatë, profesori i shkencave politike pranë Universitetit të Bagdadit, Abdel Jabar Abdullah, tha se këto pamje të Saddam-it janë transmetuar në përpjekje për të dërguar një mesazh.

“Ata me qëllim e kanë treguar këtë pamje, për t’i dërguar një mesazh, jo vetëm popullit irakian, por të gjitha vendeve arabe, për t’i thënë se kjo do të jetë e ardhmja e sundimtarit tuaj, nëse nuk bashkëpunoni me strategjinë amerikane në këtë rajon,” tha ai.

Zyrtarë të Pentagonit thanë se ishte e nevojshme t’i tregonin provat popullit irakian se Saddam Hussein-i ishte kapur, pasi shumë irakianë kishin frikë se një ditë ish-diktatori mund të kthehej në pushtet.

Saddam Hussein-i u ekzekutua me varje rreth orës 06:00 UTC +03:00 në ditën e parë të Kurban Bajramit (30 dhjetor 2006). Raportet kundërshtonin orën e saktë të ekzekutimit, me disa burime që raportonin orën 06:00, 06:05, ose disa deri në 06:10.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco