VOA/ Paditë ligjore izraelite dhe palestineze për krime lufte

VOA/ Paditë ligjore izraelite dhe palestineze për krime lufte

18:05, 06/12/2023
A+ Aa A-

Në konfliktin në vazhdim mes Izraelit dhe Hamasit, të dyja palët pretendojnë të jenë viktima të krimeve të luftës dhe po përgatisin padi ligjore për t’i paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë. Siç njofton nga Jeruzalemi për Zërin e Amerikës, Linda Gradstein, kryeprokurori i kësaj gjykate dëgjoi argumentat e izraelitëve dhe palestinezëve gjatë një vizite në Izrael dhe në Bregun Perëndimor.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, vizitoi pjesët e shkatërruara të komuniteteve izraelite që u sulmuan nga militantët e Hamasit në 7 tetor.

Ata vranë mbi 1200 izraelitë dhe morën peng 240 të tjerë, shumica civilë.

Prokurori Khan dëgjoi dëshmitë e të mbijetuarve dhe familjarëve të pengjeve dhe i quajti sulmet “krime serioze ndërkombëtare që trondisin ndërgjegjen e njerëzimit”.

“Marrja e pengjeve është një shkelje e rëndë e Konventave të Gjenevës. Është shkelje e veçantë në statutin e Romës dhe unë bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve të marra në Izrael dhe rikthimin e tyre të sigurtë tek familjet e tyre”, deklaroi zoti Khan.

Avokatët e Forumit të Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve, një organizatë e krijuar nga familjarët e pengjeve, thonë se dëshirojnë që zoti Khan të çelë menjëherë hetimet në emër të qindra familjeve të viktimave të 7 tetorit, edhe përpara se lufta të ketë përfunduar.

“Nuk ekziston ndonjë pikëpyetje për juridiksionin ndaj Hamasit. Është pa dyshim një krim ndërkombëtar ndaj njerëzimit, në përmasa të mëdha dhe sistematik, krim lufte dhe gjenocid”, thotë avokati Yuval Sasson, nga Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve.

Por palestinezët thonë se është Izraeli që ka shkelur ligjin ndërkombëtar me fushatën ushtarake në Gazë që ka vrarë mbi 15 mijë persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të drejtuar nga Hamasi.

“Nga pikëpamja ligjore janë realisht krime lufte, krime kundër njerëzimit; ka spastrim etnik, gjenocid që po ndodh në Rripin e Gazës. Kjo që po ndodh është sipas ligjit të xhunglës dhe jo sundim i ligjit”, thotë Raji Sourani, jurist për të drejtat e njeriut në Gazë.

Prokurori Khan dëgjoi akuzat e palestinezëve ndaj Izraelit për krime lufte gjatë takimit me udhëheqësit e Autoritetit Palestinez në qytetin Ramallah, në Bregun Perëndimor. Por shumë organizata palestineze të të drejtave të njeriut e bojkotuan vizitën e tij, duke e akuzuar se favorizon pretendimet izraelite përkundër akuzave të hershme të palestinezëve.

“Kam folur gjithashtu me individë që kanë humbur familjet e tyre, të dashurit e tyre, fëmijët, gratë, prindërit në rrënojat e Gazës. E kam bërë plotësisht të qartë. Ligji nuk është një zbukurim kozmetik që mund të anashkalohet. Është një detyrim themelor që duhet zbatuar”, tha prokurori Khan.

Krahas padisë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në emër të familjeve të viktimave izraelite, shteti i Izraelit do të bëjë gjyqe ushtarake për rreth 900 militantë të Hamasit të arrestuar në 7 tetor. Ndër akuzat për krime lufte do të jetë edhe ajo për dhunë seksuale.

Ndërsa luftimet në fushëbetejë në Gazë vazhdojnë, aktivistët ligjorë izraelitë dhe palestinezë po përgatiten për një tjetër lloj lufte në gjykatat ndërkombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco