Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Kryetari i PS Dumani dhe kryeprokurori Rama

VOA: Gjykata e Lartë e Rusisë shpall të paligjshme lëvizjen e komunitetit LGBTQ+

VOA: Gjykata e Lartë e Rusisë shpall të paligjshme lëvizjen e komunitetit LGBTQ+

21:19, 30/11/2023
A+ Aa A-

Të enjten, Gjykata e Lartë në Rusi shpalli të paligjshme lëvizjen e komunitetit LGBTQ+ një vendim që shënon aktin më drastik kundër mbrojtësve të të drejtave të homoseksualëve, lezbikeve dhe transgjinorëve në vendin gjithnjë e më shumë konservator.

 Vendimi i gjykatës erdhi pas shqyrtimit të një padie të depozituar nga Ministria e Drejtësisë.

Atë që në padi cilësohej si “lëvizja” LGBTQ+ e cila vepron në Rusi”, gjykata e shpalli ekstremiste dhe e ndaloi duke e konsideruar të jashtë ligjshme.

Seanca e së enjtes, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, zgjati katër orë. Askush përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë nuk u lejua të hynte dhe nuk kishte asnjë të pandehur. Gazetarët u lejuan në sallën e gjyqit vetëm gjatë leximit të vendimit nga një gjyqtar i cili mbante maskë, me sa duket për arsye shëndetësore.

Procesi u klasifikua si sekret dhe ministria nuk zbuloi asnjë detaj apo provë, duke thënë vetëm se autoritetet kishin identifikuar tek lëvizja “shenja dhe manifestime të natyrës ekstremiste”, duke përfshirë “nxitje të mosmarrëveshjeve sociale dhe fetare”.

 

Shumë aktivistë kanë vënë në dukje se padia ishte ngritur kundër një lëvizjeje që nuk është një ent zyrtar dhe se mund te hapet udha që autoritetet ruse të godasin çdo individ ose grup që konsiderohet të jetë pjesë e saj.

“Në praktikë, mund të ndodhë që me këtë vendim gjykate në dorë, autoritetet ruse të veprojnë kundër nismave LGBTQ+ në Rusi, duke i konsideruar ato pjesë të kësaj lëvizjeje qytetare,” tha Max Olenichev, avokat për të drejtat e njeriut që punon me komunitetin rus LGBTQ+, i kontaktuar nga agjencia e lajmeve Associated Press përpara shpalljes së vendimit.

Shumë media ruse të pavarura dhe grupe për mbrojtjen e të drejtave shtuan simbolin e ylberit në logot e tyre në rrjetet sociale, në shenjë solidariteti me komunitetin LGBTQ+.

Organizata Amnesty International e cilësoi vendimin “të turpshëm dhe absurd”, duke paralajmëruar përmes një deklarate se ai mund të çojë në një ndalim të plotë të organizatave LGBTQ+, të shkelë lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor dhe të çojë në diskriminim.

“Do të prekë një numër të lartë njerëzish dhe pasojat e vendimit do të jenë as më shumë e as më pak, por katastrofike,” tha Marie Struthers, drejtoresha e organizatës për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Një zëdhënës i Kishës Ortodokse Ruse vlerësoi vendimin, duke thënë për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti se kjo shënonte “një formë të vetëmbrojtjes morale nga shoqëria” nga përpjekjet për të zbehur “idenë e krishterë për martesën dhe familjen, në sferën publike dhe ligjore”.

Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë së lajmeve Associated Press për një koment mbi padinë.

Përpara seancës, grupet kryesore ruse për mbrojten e të drejtave të njeriut depozituan në gjykatë një dokument ku padia cilësohej antiligjore, diskriminuese dhe shkelje e kushtetutës dhe traktateve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që ka nënshkruar Moska. Disa aktivistë LGBTQ+ thanë se u përpoqën të bëheshin palë në padi, por u refuzuan nga gjykata.

“Ne u përpoqëm të gjenim një logjikë ligjore në këtë absurditet”, thotë Igor Kochetkov, një avokat i të drejtave të njeriut dhe themelues i Rrjetit rus për Mbrojjten e të Drejtave të Komunitetit LGBTQ+.

“Ata nuk duan të trajtojnë këtë çështje. Ky është një urdhër politik dhe ata po e ndjekin atë. Eshtë fundi i drejtësisë në Rusi”, shtoi ai.

Vendimi është goditja e fundit ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në Rusi nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin, i cili gjatë mandatit të tij ka vënë në dukje “vlerat tradicionale familjare”.

“Vërtet duam që në vendin tonë, në Rusi, të kemi ‘prindin nr. 1, nr. 2, nr. 3’ në vend të “mamit” dhe “babait”?”, pyeti Presidenti Putin në shtator të vitit 2022.

Rusia forcoi ligjet kundër komunitetit LGBTQ+ vitin e kaluar, duke u dhënë mundësi autoriteteve të gjobisnin individë apo organizata që kishin mbështetur homoseksualitetin në publik, në internet, në filma, libra apo reklama.

Autoritetet hedhin poshtë akuzat për diskriminim të komunitetit LGBTQ+. Në fillim të këtij muaji, media ruse citoi zëvendësministrin e Drejtësisë Andrei Loginov të thoshte se “të drejtat e personave LGBT në Rusi mbrohen me ligj”.

Ai po prezantonte një raport mbi të drejtat e njeriut në Rusi në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, duke argumentuar se “ndalimi i shfaqjes në publik të marrëdhënieve ose preferencave seksuale jotradicionale nuk është një formë censure”.

Avokati Max Olenichev thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë parashikon një sërë kufizimesh, të tilla si pjesëmarrja, ndihma ose financimi i organizatave ekstremiste, përdorimi publik i logove dhe simboleve që lidhen me to; ose mbështetja publike e ideve të kësaj lëvizjeje.

Sipas tij këto kufizime do të çojnë në ulje të mbështetjes fizike, psikologjike apo të ndonjë forme tjetër për komunitetin LGBTQ+ nga ana e grupeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe do t’i bëjë nevojat e komunitetit më pak të dukshme.

“Autoritetet po bëjnë çmos që të zhdukin nga sfera publike çështjen e komunitetit LGBTQ+”, shtoi ai.

Shumë njerëz do të shohin si alternativë të vetme largimin nga Rusia, përpara se të bëhen subjekt i kësaj goditjeje, thotë Olga Baranova, drejtore e Qendrës së Komunitetit LGBTQ+ në Moskë.

“Është e qartë se po përpiqen të na paraqesin sërish si armik të brendshëm për të zhvendosur vëmendjen nga të gjitha problemet e tjera që janë me bollëk në Rusi”, thotë Olga Baranova për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Të tjerët janë të vendosur të qëndrojnë në Rusi dhe të vazhdojnë të punojnë me komunitetin LGBTQ+.

Dasha Yakovleva thotë se, grupi i grave ‘Feminitive’, i bashkëthemeluar prej saj, është i vetmi në rajonin e Kaliningradit që përveç se mbështet të drejtat e grave, ofron mbështetje edhe për komunitetit LGBTQ+ dhe se do përpiqet të gjejë “rrugët e mundshme” për të vazhduar këtë mbështetje./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco