OBSH: Shumica e spitaleve në Gazë janë mbyllur

OBSH: Shumica e spitaleve në Gazë janë mbyllur

19:14, 15/11/2023
A+ Aa A-

Vetëm çereku i spitaleve në Gazë janë ende funksionale, pasi 26 nga 36 institucionet shëndetësore tashmë janë mbyllur, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas OBSH-së, spitalet që kanë dalë jashtë funksionit ose janë dëmtuar, ose kanë mbetur pa karburante.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka humbur kontaktin me stafin shëndetësor në spitalin Shifa, që është spitali më i madh në Gazë. Kështu tha drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më 15 nëntor në Gjenevë. Ai tha se bastisja e ushtrisë izraelite në këtë institucion “është totalisht e papranueshme”.

Afër 82 trupa nga Shifa janë varrosur në një varrezë masive të mërkurën, ndërkaq 80 trupa të tjerë nuk janë varrosur ende, tha mjeku Rik Peeperkorn, i cili është përfaqësues i OBSH-së për Bregun Perëndimor dhe Gazën. Ai tha se 45 pacientë po trajtohen me dializë dhe në spital nuk ka rrymë, ujë dhe sistemi për furnizim me oksigjen ka dalë jashtë funksionit.

Peeperkorn tha se disa organizata, përfshirë OBSH-në, “në mënyrë urgjente po eksplorojnë për mundësinë e një evakuimi të pacientëve dhe stafit shëndetësor”. Ai bëri thirrje që të bëhet një plan për evakuimin nga Gaza të afër 2.000 pacientëve të sëmurë rëndë. Ai tha se ky evakuim do të mund të bëhej në tre muajt e ardhshëm dhe këta pacientë do të mund të dërgoheshin në Egjipt.

Ushtria izraelite të mërkurën nisi një bastisje në spitalin Shifa, duke thënë se Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka një qendër komanduese brenda dhe rreth spitalit. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Hamasi dhe stafi i këtij spitali.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, pasi ky grup ekstremist kreu sulme vdekjeprurëse në jug të Izraelit më 7 tetor duke vrarë të paktën 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë. Si pasojë e sulmeve të pareshtura izraelite në Rripin e Gazës – të banuar nga 2.3 milionë palestinezë – janë vrarë mbi 11.000 palestinezë./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco