Irani mund të mos dojë luftë me Izraelin, por mund të jetë i detyruar

Irani mund të mos dojë luftë me Izraelin, por mund të jetë i detyruar

10:16, 28/10/2023
A+ Aa A-

Një ditë pasi grupi militant palestinez Hamas filloi sulmin e tij brutal ndaj Izraelit, një video kurioze u shfaq nga stadiumi Azadi i Teheranit. Qindra tifozë të futbollit, të mbledhur për të parë një ndeshje midis Perspolis FC dhe Gol Gohar Sirjan FC, brohoritën njëzëri: "Futeni flamurin palestinez në by***!".

Protesta vulgare erdhi si përgjigje ndaj zyrtarëve që tentonin të ngrinin një flamur palestinez në stadium për të treguar mbështetje për sulmin e 7 tetorit. Por për tifozët, ishte një tjetër përzierje e padëshiruar e politikës dhe futbollit, dhe një kujtesë e ashpër e përfshirjes së qeverisë iraniane në beteja të deleguara në arena të largëta.

Sulmi i Hamasit, i cili vrau 1400 persona sipas autoriteteve izraelite, solli një fushatë të ashpër ajrore në Gaza që deri më tani ka vrarë më shumë se 7000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Dhe tani ka shqetësime se do të hapen më shumë fronte lufte, duke përfshirë atë me Iranin.

Ekspertët thonë se ndërsa Irani është i kujdesshëm për t'u tërhequr në luftën Izrael-Hamas, ai mund të mos jetë në kontroll të plotë nëse milicitë që ai mbështet në rajon ndërhyjnë në mënyrë të pavarur teksa Hamasi pëson goditje të rënda dhe numri i të vdekurve në Gaza vazhdon të rritet.

"Ajo që i lidh të gjitha këto grupe me Iranin janë politikat e tyre anti-izraelite," tha Sima Shine, kreu i programit të Iranit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS) në Tel Aviv, duke vënë në dukje se ndërsa Irani ka nivele të ndryshme ndikimi mbi grupet, nuk i dikton të gjitha veprimet e tyre.

Në ditët e para pas sulmit të 7 tetorit, u ngritën pyetje rreth përfshirjes së mundshme të Iranit në vrasje. Teherani në atë kohë e lavdëroi operacionin, por shpejtoi të mohonte se kishte dorë në të. Inteligjenca fillestare amerikane sugjeroi gjithashtu se zyrtarët iranianë ishin të befasuar nga sulmi i Hamasit dhe se Teherani nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin, burimet ose miratimin e tij.

Me gjithë mohimin e tij, Irani ka rritur retorikën kundër armikut të tij të përhershëm.

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian ka paralajmëruar se bombardimet e Izraelit ndaj Gazës mund të kenë pasoja të gjera, duke thënë se nëse Izraeli nuk i ndal sulmet ajrore, "ka shumë mundësi që të hapen shumë fronte të tjera".

"Ky opsion nuk përjashtohet dhe kjo po bëhet gjithnjë e më e mundshme," i tha ai Al Jazeera-s javën e kaluar.

Të hënën Abdollahian tha se SHBA i ka dërguar Iranit dy mesazhe në lidhje me përshkallëzimin në rajon.

“Mesazhi i parë thoshte se Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara për zgjerimin e luftës, dhe mesazhi i dytë i kërkoi Iranit të vetëpërmbahej dhe këmbënguli që Irani gjithashtu duhet t'u kërkojë vendeve të tjera dhe palëve të tjera të kenë vetëpërmbajtje”, tha Abdollahian gjatë një konferencë shtypi në Teheran të hënën, pa thënë se si dhe kur u dërguan mesazhet.

Ai shtoi se ndërsa SHBA thotë se dëshiron një depërshkallëzim, ajo ka kundërshtuar veten duke vazhduar të mbështesë Izraelin.

Të deleguarit kanë 'përllogaritjet e tyre strategjike'

Trita Parsi, nënkryetare e Institutit Quincy në Uashington, DC, tha se nuk ka oreks apo dëshirë as nga Irani, as nga SHBA apo Izraeli për një luftë më të gjerë, por se dështimi i Uashingtonit për të frenuar Izraelin mund ta çojë pa dashje rajonin drejt përshkallëzimit.

Presidenti i SHBA Joe Biden javën e kaluar premtoi mbështetje të vazhdueshme për Izraelin, i cili ka ngurtësuar ndjenjat arabe në të gjithë rajonin dhe është përkthyer në protesta masive kundër politikave izraelite dhe amerikane.

"Aktori i vetëm që ka një interes të qartë në (një konflikt më të gjerë) është Hamasi, duke pasur parasysh se një zgjerim i luftës mund të ndryshojë dinamikën në një mënyrë të favorshme për ta," tha Parsi. Në mungesë të përpjekjeve të SHBA-së për të frenuar Izraelin, "shumë aktorë (rajonalë) do të ndihen të detyruar të ndërhyjnë... për shkak të llogaritjeve të tyre strategjike."

"Kur Izraeli po mobilizon 300,000 (trupa), Hezbollahu nuk do të qëndrojë duarkryq e të supozojë se kjo është bërë vetëm për të sulmuar Hamasin," tha ai, duke shtuar se kjo do të faktorizojë rrezikun që Izraeli të sulmojë edhe grupin libanez.

Një grup i armatosur i mbështetur nga Irani dhe një forcë e fuqishme rajonale, Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me ushtrinë izraelite që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi. Luftimet kanë qenë më të fortat që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, por deri tani kanë qenë të kufizuara në kufirin midis Libanit dhe Izraelit.

Ministri izraelit i mbrojtjes tha javën e kaluar se Izraeli nuk ishte i interesuar për një luftë tjetër me Hezbollahun. Megjithatë, Izraeli e ka kthyer zonën me një rreze prej 4 km pranë kufirit të tij në një zonë të mbyllur ushtarake dhe ka evakuuar banorët nga 28 komunitete brenda 2 kilometrave nga kufiri libanez.

Megjithatë, ndikimi i Hezbollahut shtrihet përtej Libanit. Ai gjithashtu operon bashkë me Korpusin elitar të Gardës Revolucionare të Iranit në Siri, ku Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli ndan Izraelin nga luftëtarët e lidhur me Teheranin.

Grupi libanez ka gjithashtu kanalet e veta me Hamasin. Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u takua të mërkurën me zyrtarë të lartë nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez, tha ai në një deklaratë, pa zbuluar se ku u zhvillua takimi.

"U bë një vlerësim i asaj që duhet të bëjnë palët e boshtit të rezistencës në këtë fazë të ndjeshme për të arritur një fitore të vërtetë të rezistencës në Gaza dhe Palestinë dhe për të ndaluar agresionin tradhtar dhe brutal kundër popullit tonë", thuhet në deklaratë.

Konflikti Hamas-Izrael ka çuar gjithashtu në përplasje në Siri dhe Irak, ku militantët e mbështetur nga Irani kanë nisur sulme të shumta me dronë ndaj forcave amerikane. Dhe SHBA tani ka informacione specifike se të njëjtat grupe mund të përshkallëzohen edhe më tej ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit vazhdon.

SHBA-ja vazhdon të paralajmërojë Teheranin që të mos përfitojë nga situata aktuale ose të inkurajojë përfaqësuesit e saj që të përshkallëzohen. Të martën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të paralajmërojë Iranin kundër çdo përfshirje të mëtejshme.

“Thuajini Iranit, thuajuni përfaqësuesve të tij publikisht, privatisht, me çdo mënyrë: Mos hapni një front tjetër kundër Izraelit në këtë konflikt. Mos sulmoni partnerët e Izraelit”, tha Blinken, duke vënë në dukje se një “konflikt më i gjerë do të ishte shkatërrues, jo vetëm për palestinezët dhe izraelitët, por për njerëzit në të gjithë rajonin, dhe në mbarë botën”.

Shtetet e Bashkuara të enjten kryen sulme ajrore duke synuar dy objekte të lidhura me milicitë e mbështetur nga Irani në Sirinë lindore, sipas një deklarate nga Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Sulmet erdhën pas një serie sulmesh me dronë dhe raketa kundër forcave amerikane në rajon. Deklarata tha se objektet e synuara janë përdorur nga IRGC e Iranit dhe grupet e lidhura me to.

Shine, nga INSS, tha se Irani nuk dëshiron një luftë të drejtpërdrejtë me Izraelin, sepse kjo do të nënkuptonte një luftë të drejtpërdrejtë me SHBA. "Është shumë e qartë se Irani nuk dëshiron të përfshihet drejtpërdrejt dhe do të preferonte që (vetëm) përfaqësuesit të jenë të përfshirë."

Por kjo mund të mos funksionojë saktësisht siç dëshiron Irani, shtoi Shine, e cila më parë ka shërbyer në komunitetin e inteligjencës izraelite për pjesën më të madhe të karrierës së saj.

"Irani duhet të ketë parasysh se bota nuk po funksionon sipas asaj që Irani vendos ose dëshiron," tha ajo. "Pra, nëse vendosin t'i përdorin së tepërmi të deleguarit e tyre, mund ta gjejnë veten në një luftë që nuk e duan."

Parsi i Institutit Quincy tha se qeveria iraniane megjithatë po përgatit popullsinë e saj për luftë.

Mediat iraniane janë mbushur me lajme për luftën e Gazës, me zyrtarë në të gjithë spektrin politik të Iranit që shprehin solidaritet me palestinezët.

"Ata tashmë po përgatisin opinionin publik për këtë eventualitet duke u përpjekur në thelb të argumentojnë se kjo është diçka që është sjellë në pragun e tyre për shkak të asaj që po bëjnë izraelitët dhe për shkak të mbështetjes amerikane," tha Parsi.

Kjo tregon se tashmë ka shqetësime në qeverinë iraniane se si do të reagojnë qytetarët ndaj një lufte në të cilën Irani është drejtpërdrejt i përfshirë, shtoi ai.

Edhe nëse do të ketë një luftë më të gjerë që është ende "nën pragun e një angazhimi të drejtpërdrejtë SHBA-Iran", ku ajo është e kufizuar në përfaqësuesit iranianë që luftojnë Izraelin, do të ishte ende një situatë jashtëzakonisht e paqëndrueshme, tha ai. Askush nuk mund ta kontrollojë situatën aktuale dhe të sigurohet që ajo të mos përshkallëzohet”./ CNN-përktheu Syri.net

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco