Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Michel: Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet ose të përballet me 'perden e re të hekurt'

Michel: Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet ose të përballet me 'perden e re të hekurt'

14:47, 29/04/2024
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian duhet të zmadhohet ose rrezikon të përballet me një "perde të re të hekurt" përgjatë krahut të tij lindor, tha të hënën presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ndërkohë që blloku shënon 20 vjet nga zgjerimi i tij më i madh që ka bërë ndonjëherë.

"Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim (ekziston) një rrezik për një perde të re të hekurt," tha Michel në një intervistë me një grup të zgjedhur gazetarësh.

"Do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme nëse do të kishit një fqinjësi të paqëndrueshme me mungesë prosperiteti ose mungesë zhvillimi ekonomik. Këto janë interesat tona të përbashkëta - të vendeve kandidate dhe BE - të bëjmë përparim, të përshpejtojmë," shtoi ai.

Paralajmërimi i tij i ashpër vjen në përvjetorin e të ashtuquajturit zgjerim big bang i vitit 2004, kur dhjetë shteteve - përfshirë shtatë ish republika sovjetike ose shtete satelitore - iu dha anëtarësimi në BE.

Po të mos kishte qenë ai zgjerim historik, BE-ja siç është sot do të ndahej nga një "perde e hekurt de facto", tha Michel, që do të thotë se ato shtete në anën lindore do të ishin vënë në shënjestër nga "përpjekjet politike dhe ideologjike prej Kremlit për t'i okupuar”.

Nëntë vende nga Evropa Lindore dhe Ballkani Perëndimor janë aktualisht duke pritur për t'u bërë anëtarë të plotë të BE-së. Procesi i anëtarësimit në bllok është jashtëzakonisht i gjatë dhe kompleks, me vendet kandidate që u kërkohet të përmbushin kërkesat e ashpra të BE-së, duke përfshirë reforma të rëndësishme gjyqësore dhe kushtetuese.

Ndërsa pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia ka injektuar një shtysë të re në politikën e fjetur të zgjerimit të BE-së, përpjekjet për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit rrezikojnë të pengohen nga shtetet anëtare më skeptike.

Kritikët thonë se vonesat e gjata në integrimin e vendeve kandidate po nxisin një ndjenjë zemërimi me Brukselin.

Dhjetorin e kaluar, Viktor Orbán i Hungarisë - qeveria e të cilit do të mbajë presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit të BE që nga korriku - kërcënoi se do të ndalonte i vetëm hapjen e bisedimeve të pranimit me Ukrainën duke përdorur të drejtën e vetos.

Por Michel hodhi poshtë spekulimet se një presidencë hungareze e kombinuar me periudhën pas zgjedhjeve më të polarizuara të Parlamentit Evropian, mund të pengonte më tej rrugët e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.

"Kam shumë besim se cikli i ardhshëm institucional do të jetë rasti për të riafirmuar vullnetin tonë të përbashkët politik, për t'u zgjeruar," tha Michel.

I pyetur nëse qeveria hungareze mund të prishë më tej pranimin e Ukrainës duke e përjashtuar çështjen e zgjerimit nga axhenda e Këshillit, Michel tha: "Unë nuk jam aspak ankthioz".

"Kam besim sepse e ndjej se udhëheqësit - pra shumica dërrmuese e tyre - janë absolutisht të bindur se kjo është e rëndësishme për të ardhmen," shtoi ai.

Michel beson se i ashtuquajturi "abstenim konstruktiv" - i përdorur gjerësisht nga Orbán dhjetorin e kaluar, kur ai u largua nga salla ndërkohë që kolegët e tij, 26 udhëheqës, miratuan hapjen e bisedimeve të pranimit të Ukrainës në BE - mund të jetë një rrjetë sigurie për vendime të ngjashme në të ardhmen.

“Ne kemi shfrytëzuar abstenimin konstruktiv, i cili po i jep mundësinë një vendi të thotë, shiko, nuk më pëlqen dhe nuk jam shumë i qetë me këtë vendim dhe e bëj publik opinionin tim, por nuka dua ta bllokoj shumicën dërrmuese të shteteve anëtare”.

Ukraina kërkon "tranzicion specifik"

Integrimi i mundshëm i Ukrainës - vendi i goditur nga lufta, PBB-ja për frymë e të cilit është tri herë më e vogël se ajo e Bullgarisë, ekonomia më e vogël e BE-së - po ngjall frikë se mos pranimi i Kievit do të destabilizonte strukturën buxhetore të bllokut dhe do të nënkuptonte se shumë vende të BE-së do të kalonin nga përfitues neto në kontribues neto.

Një raport i kohëve të fundit nga instituti "Bruegel" e vendos faturën e pranimit të vendit të shkatërruar nga lufta në BE në një vlerë të madhe prej 110 deri në 136 miliardë eurosh gjatë shtatë viteve.

Michel thotë se për të lehtësuar goditjen e mundshme të pranimit të Ukrainës në ekonominë e BE-së, vendit do t'i duhet një "tranzicion specifik" i bazuar në një model që nuk është aktualisht "në sistem", jo më pak për shkak të kostos së mundshme të rindërtimit të tij të pasluftës.

Michel tha gjithashtu se vendet e tjera të lidhura më ngushtë me ekonominë e bllokut mund të pranohen si anëtarë të BE përpara fundit të kësaj dekade. Presidenti ka thënë më parë se BE-ja duhet të bëjë detyrat e saj  - duke përfshirë zbatimin e reformave të nevojshme - në mënyrë që të jetë gati për t'u zgjeruar jo më vonë se viti 2030.

Ai i bëri thirrje bllokut të mos ketë "frikë" nga integrimi i Ukrainës, duke pretenduar se vendi do të jetë një tërheqës për të investuar në kuadrin e tregut të përbashkët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco