Kryeministrja e Islandës ngrihet kundër hendekut të pagave mes gjinive

Kryeministrja e Islandës ngrihet kundër hendekut të pagave mes gjinive

13:48, 24/10/2023
A+ Aa A-

Dhjetëra mijëra gra në Islandë, bashkë me kryeministren Katrín Jakobsdóttir, po refuzojnë të punojnë të martën.

“Kvennafrí”, ose dita e pushimit të grave, është emërtuar në shenjë proteste ndaj hendekut të pagave mes gjinive dhe dhunës me bazë gjinore.

Fushat në të cilat gratë përbëjnë shumicën e punëtorëve, si shëndetësia dhe arsimi, janë të prekura më shumë.

Lënia e planifikuar e punës shënon grevën e parë ditore të grave që nga viti 1975.

Grave dhe personave jo-binarë u është kërkuar të refuzojnë punën e paguar dhe të papaguar të martën, duke përfshirë punët e shtëpisë.

"Unë nuk do të punoj këtë ditë, pasi pres që të gjitha gratë [në kabinet] ta bëjmë po ashtu," tha kryeministrja e Islandës zonja Jakobsdóttir për uebsajtin mbl.is para protestës.

Zonja Jakobsdóttir tha se qeveria e saj po shqyrton se si vlerësohen profesionet e dominuara nga femrat, në krahasim me fushat e dominuara tradicionalisht nga burrat.

Sipas Unionit të Mësuesve Islandezë, gratë përbëjnë shumicën e mësuesve në çdo nivel të sistemit arsimor, duke përfshirë 94% të mësuesve të kopshteve.

Rreth 80% e punëtorëve në Spitalin Universitar Kombëtar të Islandës, më i madhi në vend, janë gra.

Islanda është renditur si vendi më i mirë në botë për barazinë gjinore nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për 14 vjet me radhë. Por vendi nuk është plotësisht i barabartë, me WEF që i jep një vlerësim të përgjithshëm prej 91.2%.

Ishulli vullkanik, i cili është një nga vendet më pak të populluara, renditet i 14-ti në botë për pjesëmarrjen ekonomike, poshtë vendeve si Liberia, Xhamajka dhe Norvegjia.

Rreth 90% e fuqisë punëtore të Islandës hyri në grevë në vitin 1975, duke kërkuar të theksonte rëndësinë e grave për ekonominë. Greva bëri që parlamenti i vendit të miratonte një ligj pagash të barabarta një vit më pas.

Ish-presidentja islandeze Vigdís Finnbogadóttir i tha BBC-së në vitin 2015 se greva e vitit 1975 ishte "hapi i parë për emancipimin e grave në Islandë", i cili i hapi rrugën asaj për t'u bërë gruaja e parë në botë që zgjidhet në mënyrë demokratike si kryetare shteti në vitin 1980./BBCSyri.net

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco