Rriten çmimet e gazit në Evropë pasi Chevron mbyll fushën në Izrael

Rriten çmimet e gazit në Evropë pasi Chevron mbyll fushën në Izrael

13:49, 11/10/2023
A+ Aa A-

Çmimet e gazit natyror në Evropë janë rritur gjatë javës së kaluar, pasi ngjarjet e fundit në botë sollën pasiguri në tregje. A duhet të shqetësohet kontinenti për furnizimet e tij me gaz?

Çmimet evropiane të gazit natyror po shfaqin pasiguri të shtuar, me investitorët që vendosin baste më të larta për muajt e ardhshëm për shkak të shqetësimeve në rritje mbi operacionet e Chevron në Izrael dhe Australi, të cilat po hedhin hije të gjatë mbi perspektivën e tregut.

Çmimi i pikës holandeze TTF të referimit për gazin natyror evropian u rrit me më shumë se 10% krahasuar me javën e kaluar dhe më shumë se 38% krahasuar me muajin e kaluar, që nga ora 11 CET të mërkurën.

Çmimi për një dërgesë në nëntor 2023 ishte afro 50 euro për megavat-orë, më i larti që nga prilli, pas një rritjeje prej 15% të hënën, mes shqetësimeve në rritje të furnizimit.

Gjigandi amerikan i naftës “Chevron Corp” ka ndaluar prodhimin në fushën e tij të gazit natyror Tamar pranë bregut verior të Izraelit, pasi u udhëzua kështu nga qeveria izraelite, për shkak të shqetësimeve për sigurinë ndërkohë që konflikti në rajon intensifikohet.

Fusha Tamar besohet se përmban më shumë se 300 miliardë metra kub gaz.

Në të njëjtën kohë, punëtorët në objektet e gazit natyror të lëngshëm të “Chevron Corp” në Australi thuhet se po planifikonin të rifillonin grevat.

Çmimet evropiane të gazit u rritën gjithashtu pas lajmeve se tubacioni i gazit në det të hapur Balticconnector u dëmtua në zonën midis Finlandës dhe Estonisë. Rrjedhja rezultoi me mbylljen e rrjedhës së gazit dhe riparimi mund të zgjasë disa muaj.

A duhet të shqetësohet Evropa për furnizimet me gaz?

Depot e gazit në të gjithë Evropën janë të mbushura  në më shumë se 90% të  kapacitetit, duke përfshirë një sasi të madhe gazi të trashëguar nga dimri 2022 - 2023. Ka gjithashtu vëllime shtesë që grumbullohen në objektet e magazinimit të Ukrainës.

Ekziston gjithashtu një probabilitet i lartë, sinjalizon Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus, që Evropa të ketë një dimër shumë të butë, që e redukton potencialisht kërkesën për lëndë djegëse për ngrohje.

Megjithatë, duke qenë se dyshohet se ka pasur sabotim në tubacionin Balticconnector, janë ngritur shqetësime mbi cenueshmërinë e infrastrukturës evropiane të tubacioneve.

Image

Fusha Tamar

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco