Presidenti më jetëgjatë i SHBA, në prag të ditëlindjes së 99

Presidenti më jetëgjatë i SHBA, në prag të ditëlindjes së 99

20:54, 30/09/2023
A+ Aa A-
Ish-Presidenti Jimmy Carter do të mbushë 99 vjeç më 1 tetor, shtatë muaj më parë ai bëri të ditur se do të ndërpriste trajtimin mjekësor pasi nuk kishte më shërim. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh njofton për një vërshim admirimi dhe urimesh për ish-presidentin, dikur fermer i kultivimit të kikirikut dhe guvernator i Xhorxhias, i cili shpenzoi vite të tëra pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, në mbështetje të paqes, e duke luftuar sëmundjet tropikale, të neglizhuara.
Shtatë muaj pasi njoftoi se do të ndërpriste trajtimin mjekësor pasi nuk kishte më shërim, ish-Presidenti Jimmy Carter, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rosalynn, bënë një paraqitje të rrallë gjatë një festivali të kikirikëve, në qytetin e tyre të lindjes, Pleins të Xhorxhias.

Pjesëmarrja në paradë i hapi rrugën një jave festimesh për ditëlindjen e 99-të të Jimmy Carter-it më 1 tetor. Shumë pak prisnin që presidenti më jetëgjatë i Amerikës, ta arrinte këtë ditë.

“Është e jashtëzakonshme duke pasur parasysh se ai ndodhej në ditët e fundit të jetës. Mendoj se ai është një nga njerëzit më të fortë, që ka shërbyer ndonjëherë si president”, thotë Reed Elliotte, një banor i Kentakit.

Shkrimtari Jonathan Alter, i cili ka shkruar biografinë e Jimmy Carter-it të titulluar "His Very Best", “Vitet e tij më të mira”, thotë se çifti Carter, po i kalon ditët e fundit të jetës, sikurse ka kaluar pjesën tjetër të jetës.

“Bëj sa më shumë të mundesh, për sa më shumë që mundesh, e për aq kohë sa të mundesh”, thotë ai.

Zoti Alter shton se kur u njoftua se zoti Carter ishte në ditët e fundit, si dhe betejën që bashkëshortja e tij Rosalynn Carter ka me demencën, çifti u krijoi një mundësi të tjerëve për të mësuar.

“Ishte tejet e qëllimtë nga ana e tyre që të bënin diçka të mirë për botën duke dërguar një mesazh se nuk duhet të tërhiqesh nga këto vendime në fund të jetës dhe se ekzistojnë mundësi të tjera për ata që janë gati të heqin dorë”, thotë ai.

Ndërsa çifti Carter ka hequr dorë nga punët e përditshme të organizatës ndërkombëtare jofitimprurëse, të cilën e themeluan në vitin 1982, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Carter, Paige Alexander, thotë se me mijëra punonjës e vullnetarë në mbarë botën, vazhdojnë pa ndërprerje punën e tyre, në mbështetje të paqes dhe luftës ndaj sëmundjeve tropikale të neglizhuara.

“Herën e fundit që biseduam, ai nuk më pyeti për politikë. Ai nuk më pyeti për asgjë tjetër, përveçse luftimit të sëmundjeve në Guine”, thotë ajo.

Në një konferencë për shtyp në vitit 2015, duke njoftuar se po përballej me kancerin, sëmundje nga e cila u shërua me sukses, zoti Carter kishte shprehur dëshirën e tij më të madhe, përpara vdekjes.

"Dua që krimbi i fundit i Guinesë të vdesë para meje", tregon zonja Alexander.

Kur Qendra Carter filloi përpjekjet për parandalimin e infeksionit parazitar, të njohur si krimbi i Guinesë, në vitet 1980 kishte 3.5 milionë raste në 21 vende. Zonja Alexander thotë se bota ndodhet më pranë se kurrë çrrënjosjes së sëmundjes tropikale të neglizhuar.

"Kemi mbërritur në gjashtë raste tek njerëzit në dy vende, pra jemi shumë afër".

"Kur bisedova me të për herë të fundit për t'i uruar ditëlindjen paraprakisht, ai më tha: “nuk jam shumë i sigurt se sa i lumtur ndihem që po mbush 99 vjeç".

Zonja Alexander thotë se ish-presidenti është i vetëdijshëm për mbështetjen dhe admirimin e vazhdueshëm që gëzon.

“Mendoj se kjo mund të jetë ajo gjëja e veçantë që e mban atë gjallë. Kjo, si dhe torta me gjalpë kikiriku”.

Embëlsira e veçantë, që siç thotë zonja Alexander, çifti Carter e shijon gjithmonë bashkë, ndonjëherë rrethuar nga familjarë, në komunitetin e vogël që ata e quajnë shtëpinë e tyre, që nga vitet 1920.

"Ata janë pikërisht aty ku duan të jenë, së bashku, e në qytetin e tyre të lindjes në Pleins të Xhorxhias", përfundon zonja Alexander./VOA
ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco