Arabia Saudite pakëson prodhimin e naftës me qëllim rritjen e çmimit

Arabia Saudite pakëson prodhimin e naftës me qëllim rritjen e çmimit

07:14, 04/08/2023
A+ Aa A-

Arabia Saudite tha se po mban në fuqi deri në fund të shtatorit vendimin për pakësimin e prodhimit të naftës në 1 milionë fuçi në ditë, në përpjekjen e saj për të rritur çmimet e energjisë, një veprim që mund të rrisë çmimet e karburantit në SHBA.

Ky vendim, i cili filloi të zbatohet në korrik, vjen pasi prodhuesit e tjerë të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC+) kanë rënë dakord të mbajnë në fuqi shkurtimet e mëparshme të prodhimit deri në vitin e ardhshëm.

Çmimi mesatar për karburantin në SHBA qëndroi në nivelin rreth 3,82 dollarë për 1 gallon apo mbi 14,4 litri të martën. Kjo shifër është rreth 30 cent më e lartë se një muaj më parë, sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave. Ndërsa çmimet e sotme mbeten shumë më të ulëta se sa ishin vitin e kaluar kur kostot e energjisë u rritën në mbarë botën në muajt e parë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Ekspertët thonë se një rritje e tillë është e pazakontë.

Nxehtësia rekord e verës e këtij viti ka pasur gjithashtu ndikim, duke rritur kërkesën për ajër të kondicionuar dhe duke detyruar rafineritë të operojnë me kapacitet të reduktuar.

Vendimi i Riadit megjithatë ishte i pritshëm nga analistët.

Sauditët janë veçanërisht të interesuar për të rritur çmimet e naftës në mënyrë që të financojnë planin ambicioz “Vision 2030” që ka për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë së mbretërisë, reduktimin e varësisë së saj nga nafta dhe për të krijuar vende pune për të rinjtë. Planet përfshijnë disa projekte masive infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e qytetit futuristik ‘Neom’, projekt ky që do të kushtojë 500 miliardë dollarë.

Çmimet më të larta të karburanteve do të ndihmonin gjithashtu presidentin rus Vladimir Putin të financonte luftën e tij kundër Ukrainës, pasi vendet perëndimore kanë vendosur një kufi mbi çmimet e karburanteve në përpjekje për të pakësuar të ardhurat e Moskës.

Sanksionet perëndimore nënkuptojnë se Moska është e detyruar të shesë naftën e saj me zbritje në vende si Kina dhe India. Të ardhurat e saj nga eksporti vlerësohet se shënuan humbje prej 1.4 miliardë dollarësh duke siguruar 13.3 miliardë dollarë në maj, 36% më pak se një vit më parë, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një raport në qershor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco