SHBA, Kina përpjekje për të rigjallëruar bashkëpunimin për klimën

SHBA, Kina përpjekje për të rigjallëruar bashkëpunimin për klimën

16:18, 16/07/2023
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të përpiqen të rigjallërojnë bashkëpunimin për të luftuar ngrohjen globale këtë javë, në takime dypalëshe që analistët shpresojnë se do të kenë ndikim tek objektivat për klimën, përpara bisedimeve të organizuara për këtë qëllim nga OKB-ja në fund të vitit 2023.

Bisedimet pasojnë dy vizita të tjera të nivelit të lartë në Kinë këtë vit, pasi dy vendet që çlirojnë sasitë më të mëdha të gazit serrë në botë punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet e tensionuara.

John Kerry, i dërguari i posaçëm amerikan për ndryshimet klimatike, mbërriti në Pekin të dielën për bisedime me homologun e tij kinez Xie Zhenhua që do të përqendrohen tek pakësimi i çlirimit të metanit, kufizimi në përdorimin e qymyrit, frenimi i shpyllëzimit dhe ndihma ndaj vendeve të varfra për t’u përballur me ndryshimet klimatike.

Dy zyrtarët pritet të diskutojnë gjithashtu kundërshtimet e Kinës ndaj tarifave dhe kufizimeve të tjera të vendosura nga SHBA mbi importet e paneleve diellore kineze dhe matreialeve të baterive, thonë analistët.

Zoti Kerry është zyrtari i tretë i amerikan pas Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarit të Thesarit Janet Yellen që viziton Kinën këtë vit në përpjekje për të rivendosur një marrëdhënie të qëndrueshme dypalëshe.

Të dy vendet thonë se duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë në përpjekjet për ndryshimet klimatike pavarësisht nga mosmarrëveshjet e tjera./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco