A është Wagner 'Kali i Trojës'? Avioni privat i Prigozhin ulet në Minsk

A është Wagner 'Kali i Trojës'? Avioni privat i Prigozhin ulet në Minsk

11:17, 27/06/2023
A+ Aa A-

Yevgeny Prigozhin dhe grupi i tij i mercenarëve Wagner, ka qenë kryefjala e zhvillimeve të luftës në Ukrainë, këtë javë dhe jo vetëm.

“Kuzhinieri i Putin” alarmoi Kremlinin, këtë fundjavë, kur dërgoi trupa të marshonin drejt kryeqytetit rus, duke detyruar autoritetet të rrisnin gatishmërinë maksimalisht.

Por për shumë ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë, kjo lëvizje e Wagner duhet parë me dyshim pasi jo gjithçka është ashtu si duket.

Trupat e Wagner u zhvendosën nga jugu i Ukrainës dhe tashmë pjesa më e madhe e tyre ndodhet në Bjellorusi, vend ku nisi dhe ofensiva e Rusisë shkurtin e vitit të kaluar.

Është kjo një nga arsyet se përse ekspertët i frikësohen një tjetër sulmi nga ky vend, duke qenë se edhe Kievi është shumë afër kufirit.

Dyshimet shtohen edhe më tej, pasi vetëm një javë më parë ishte vetë presidenti Putin ai që pyeti bashkëkombësit e tij, përmes televizionit kombëtar nëse do të ishte më mirë që ushtria ruse të kthehej në Kiev.

Pak ditë më parë, Bjellorusia mori një tjetër hap të rëndësishëm në këtë konflikt, duke pranuar dislokimin e armëve bërthamore taktike të Rusisë, nëse do të kishte një përshkallëzim të situatës.

Por një fakt tjetër që bën ekspertët të mendojnë edhe më tej është se dhe vetë kreu i Wagner, Prigozhin tashmë ndodhet në Minsk. Avioni i tij u ul në Bjellorusi dhe pak pas tij mbërriti dhe një jet nga Shën Pjetërburgu.

Mbrëmjen e kaluar, presidenti Putin, ndonëse më herët kishte ofruar amnisti për ushtarët mercenarë të Wagner, paralajmëroi se organizatorët e “grushtit të shtetit” të mbetur në tentativë do të mbajnë përgjegjësi.

E gjithë pakënaqësia e Wagner (të paktën ajo që raportohet në media) është fakti që të gjitha grupimet luftuese në Ukrainë, nga 1 korriku do të kalonin nën urdhrat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe mercenarët do të trajtoheshin si gjithë ushtarët e tjerë rusë, gjë që nuk u kapërdi nga Prigozhin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco