Nga shitës hamburgerësh në krye të mercenarëve, kush është ‘kuzhinieri’ i Wagner

Nga shitës hamburgerësh në krye të mercenarëve, kush është ‘kuzhinieri’ i Wagner

16:34, 24/06/2023
A+ Aa A-

Jevgjeni Prigozhin vjen nga Shën Pjetërburgu, qyteti i lindjes së Vladimir Putin. Në vitin 1979, në moshë 18-vjeçare, mori dënimin e parë të pezulluar me 2 vjet e gjysmë burg për vjedhje. Ndërsa dy vjet më vonë, për akuzën e grabitjes u dënua me 13 vjet, 9 prej të cilëve i kaloi prapa hekurave.

Pas lirimit, Prigozhin ngriti një zinxhir pikash shitjeje hamburgerësh në Shën Pjetërburg. Biznesi eci aq mirë saqë brenda pak vitesh, në kaosin e Rusisë së viteve ‘90, ai mundi të hapte edhe restorante luksoze në qytet.

Ishte pikërisht atje që ai nisi të lidhej me shtresat e larta të Shën Pjetërburgut dhe më pas të Rusisë. Një nga restorantet e tij, i quajtur “Ishulli i Ri”, ishte një varkë që lundronte në lumin Neva.

Presidenti Vladimir Putin e pëlqeu atë aq shumë saqë pasi u bë president nisi të ftonte atje liderët e huaj. Ishte pikërisht aty ku ata të dy u takuan për herë të parë. Putin i besoi Prigozhin edhe festën e ditëlindjes së tij në vitin 2003.

Vite më vonë, kompania e kateringut e Prigozhin u kontraktua për të furnizuar me ushqim Kremlinin, gjë që i dha atij pseudonimin “Kuzhinieri i Putin”. Kompani të lidhura me të siguruan tendera të shumtë fitimprurës nga kontratat me shkollat ushtarake dhe ato të kontrolluara nga shteti.

Por ishte pas pushtimit rus të Ukrainës në 2014-n momenti kur Prigozhin nuk ishte më një biznesmen i zakonshëm. Një kompani e fshehtë paraushtarake që lidhej me të u shfaq për herë të parë në luftimet me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.

Që prej atëherë, roli i saj në konfliktet e armatosura të Rusisë erdhi në rritje dhe u forcua pas agresionit të vitit 2022, kur hyri në Ukrainë në ndihmë të ushtrisë ruse.

Por tani, Prigozhin ka ndërmarrë një nismë tjetër, atë të rrëzimit të regjimit rus, motiv për të cilin i ka çuar trupat e tij drejt Moskës dhe, pas marrjes së qyteteve Rostov on Don dhe Voronezh, ka deklaruar se ata janë gati të japin jetën për t’ia arritur qëllimit. Sesa do t’ia dalë, kjo mbetet për t’u parë./ en/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco