Rregullat e reja/ Karantinë dy javore, për këdo që udhëton drejt Britanisë së Madhe

Rregullat e reja/ Karantinë dy javore, për këdo që udhëton drejt Britanisë së Madhe

17:11, 08/06/2020
A+ Aa A-

Me masat e reja, udhëtarët që hyjnë në Britaninë e Madhe, të huaj apo nënshtetas, do detyrohen të vetizolohen për 14 ditë nga autoritetet e vendit.

Ndërsa për shkelësit e urdhrit aplikohen gjoba deri 1 mijë paund.

Nga e hëna, cdo person që udhëton drejt Britanisë së Madhe, do të duhet të vetëkarantinohet për dy javë, si masë për mospërhapjen e koronavirusit.

Udhëtimet me avion, tren apo traget të gjitha preken nga rregulli i ri që nisi të zbatohej nga fillimi i kësaj jave, edhe për vetë britanikët jashtë vendit.

Për shkelësit e urdhrit do të aplikohen gjoba, sipas sekretares britanike të Punëve të Brendshme, Priti Patel.

"Ata që mbërrijnë në Britani do duhet të plotësojnë një formular për vendndodhjen, si edhe të japin detaje të vendit ku do të izolohen dhe si mund të kontaktohen. Thyerja e vetizolimit do të rezultojë në një gjobë prej 1 mijë paund ose në ndjekje të mundshme penale."

Ambientet e vetizolimit që një pasagjer zgjedh duhet të plotësojnë kushte të caktuara, përndryshe personit i ngarkohen shpenzimet për t'u izoluar në ambiente të përzgjedhura nga qeveria.

Ndërkohë që mosplotësimi i formularit të kontaktit ndëshkohet me 100 paund gjobë.

Përjashtime ka për doktorët që kurojnë pacientët me koronavirus, shoferët e kamionëve, punonjësit sezonalë dhe qytetarët irlandezë.

Jo të gjithë pasagjerët që mbërritën të hënën në aeroportin e Londrës ishin të informuar për masat.

"Nga mund ta dinë ata nëse unë ia shpërndaj virusin të tjerëve. Nuk e gjurmojnë dot. Pastaj ne plotësuam një formular por autobusi me të cilin erdhëm ishte plot me pasagjerë, praktikisht vetëm 30 centimetra na ndanin nga njëri-tjetri, me gjithë këshillat e tyre mbani distancën, maskat dhe të tjera."

"Me sa duket njerëzit nuk e dinë se duhet plotësuar një formular në internet përpara se të mbërrish këtu. Vetëm pesë persona vura re që e dinin këtë, të tjerët nuk e kishin bërë, ndaj tani do vonohen."

Forcat policore në kufi mund t'i refuzojnë hyrjen në vend qytetarëve që nuk i përmbushin rregullat dhe nuk janë banorë të Britanisë.

Autoritetet sugjerojnë që pasagjerët të gjejnë një mjetin e tyre personal të transportit për të lëvizur drejt destinacionit të kërkuar.

Në terren do kryhen verifikime të rastësishme për t'u siguruar që respektohen masat e vetëkarantinës.

Rregullat për udhëtarët e huaj pritet të rishikohen më 29 qershor, ndërsa deri tani Britania e Madhe raporton mbi 40 mijë viktima dhe gati 290 mijë të infektuar me sëmundjen e kovidit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco