Nga Felix Bilani/
Shqipëria ndodhet në pikën më kritike të ekzistencës së saj moderne. Heshtja që e shoqëron këtë tragjedi e bën atë edhe më të rëndë. Kombi nuk po sulmohet nga jashtë, por po shkërmoqet nga brenda, në mënyrën më tinëzare, më heshtur dhe më të pamëshirshme që mund të imagjinohet.
Ajo që po ndodh sot me shqiptarët nuk e ka bërë asnjë pushtues, asnjë perandori, asnjë armik historik. Po e bën një sistem politik që e ka kthyer shpopullimin në oksigjenin e tij dhe varfërimin në instrument qeverisjeje. Kurrë më parë në historinë e këtij vendi nuk ka pasur një zhdukje kaq të heshtur të shqiptarëve.
Të rinjtë po ikin me të njëjtin ritëm si në kohë lufte, por pa asnjë luftë. Familjet po thahen, qytetet po plaken, fshatrat po shuhen si flakë që humbet nën erën e qelbur të një sistemi të instaluar që prej vitit 2013, me grabitje, ideologji, urrejtje dhe një dashuri të çuditshme për komunizmin.
Dhe shteti? Shteti e quan “normalitet”. Shqiptarët më aktivë, më të mprehtë, më të aftë dhe më të lirë në mendim janë jashtë kufijve. Këtu mbeten ata që nuk mund të ngrejnë zërin, sepse sistemi ka nevojë pikërisht për ta. Pakica që klith kundër diktaturës sfumohet nga mediat e blera dhe nga shqiptarët që blihen me një kafshatë goje. Kjo nuk është rastësi. Kjo është strategji.
Strategjia e heshtur e Soroizmit dhe e Edi Ramës, njeriut më antishqiptar që ka njohur historia e këtij kombi, po funksionon. Strategjia antishqiptare ku toka shitet, shqiptarët ikin dhe oligarkia rritet me gjakun e shqiptarëve. Shqipëria është kthyer në truall për t’u blerë, jo një vend për t’u jetuar. Territori nuk është më i shqiptarëve, por i interesave që rriten sa më shumë që zbrazen lagjet, mbyllen shkollat dhe shiten shtëpitë.
Për shembull, qytetet që zbrazen çdo ditë, se betonit duhet t’i mbijë hapësira. Një qytet sa më bosh, aq më shumë ndërtohet. Një lagje sa më e varfër, aq më shumë kërkohet për ta rrëzuar. Një tokë sa më e braktisur, aq më shpejt shitet. Kjo nuk është ekonomi. Kjo është grabitje e ngadalshme e një vendi që nuk ka më popull për ta mbrojtur.
Në këtë fazë kritike, popullsia që po ikën çdo ditë po zëvendësohet me një popullsi tranzitore. Në vend të shqiptarëve që largohen përgjithmonë, vijnë grupe njerëzish nga vende në krizë. Një popullsi e përkohshme, pa rrënjë, pa lidhje me vendin, pa zë politik – që shërben vetëm si numër, jo si komunitet. Kjo krijon një vend të shqyer, të copëzuar dhe të turbullt, ku identiteti kombëtar hollohet deri në pikën që humbet kuptimin.
Në vend që qeveria të rikthejë shqiptarët e ikur, sjell të huaj që përdorin Shqipërinë si trampolinë drejt vendeve të Europës, ndërsa faturën e paguajnë shqiptarët. Në vend që të forcojë trungun, Rama mbjell degë pa rrënjë. Sepse rrënjët janë në emigracion dhe po ikin çdo ditë. Kjo është arma më e fuqishme e qetësisë dhe fuqisë politike të Edi Ramës.
Në çdo vend normal, varfëria ndez revoltë. Në Shqipëri, varfëria ndez biletat e avionit. Ky është çelësi i modelit të projektuar nga Soros dhe zbatuar me përpikmëri nga Edi Rama. Një popull që ikën nuk proteston, nuk kërkon llogari, nuk voton. Çdo krizë ekonomike prodhon ikje, çdo padrejtësi prodhon arratisje. Në vend të një populli me zemër, kemi një popull me valixhe. Asnjë qeveri në botë nuk do ta dëshironte këtë. Vetëm në Shqipëri, kjo është garancia e stabilitetit politik diktatorial të Edi Ramës.
Soroizmi dhe Rama po zhdukin edhe kulturën, jo vetëm numrin. Asimilimi nuk ndodh vetëm nga jashtë, por edhe brenda. Kur një brez rritet pa traditë, pa lidhje me gjuhën, pa rrënjë dhe pa histori të vërtetë, kujtesa kombëtare dëmtohet. Kombet nuk zhduken vetëm kur nuk lindin fëmijë. Zhduken kur nuk kanë kujtesë – dhe këtë kujtesë po e dëmtojnë me forcë.
Pseudo-historianët e sotëm janë si thikë që shpon shpirtin e kombit, duke shpikur “super-heronj shqiptarë” që nuk ekzistojnë. Kjo nuk është kotësi, është helm. Një popull që ushqehet me iluzione harron realitetin: shqiptarët po ikin ndërsa rrjetet sociale shpallin çdo yll të Hollivudit si “fisnik shqiptar”. Kjo është tallje me inteligjencën e këtij kombi, dëm kulturor dhe atentat ndaj identitetit kombëtar. Ironia më e rëndë është se ky atentat ndodh edhe nga “patriotët” në stadium: shqiptarët bashkohen vetëm për 90 minuta në një ndeshje, ndërsa pjesën tjetër të vitit janë të heshtur, të nënshtruar dhe të shpërndarë.
Patriotizmi i vërtetë nuk është kënga në tribuna. Patriotizmi është refuzimi për të lënë vendin të vdesë. Nëse shqiptarët nuk zgjohet tani, nuk ka kohë më. Shpopullimi nuk është problem i një partie apo një politikani. Është rreziku më i madh që Shqipëria ka përjetuar pa armë, pa tanke, pa pushtues. Një komb zhduket kur nuk e mbron veten. Sot, shqiptarët janë në prag të zhdukjes si strukturë shoqërore, si prezencë demografike, si energji ekonomike dhe si memorie kulturore. Nëse vendi zbrazet tani, nuk do të mbushet më. As historia, as gjuha, as flamuri nuk do ta kthejnë dot një komb të humbur.
Ky është momenti për zgjim, jo për iluzione. Për të vërteta të hidhura, jo për mite të ëmbla. Për guxim, jo për arratisje. Për shqiptarë që rrinë, jo për shqiptarë që ikin. Shqipëria po shkon drejt zhbërjes, një gjë që asnjë pushtues nuk e ka bërë në 2000 vjet. Dhe këtë e bën me egërsinë më të madhe, atishqiptari më i egër në histori: Edi Rama.
© SYRI.net