Marrëdhënia e keqkuptuar e individit me shtetin

Marrëdhënia e keqkuptuar e individit me shtetin

08:51, 29/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Andi Mustafaj/

Në historinë shqiptare, shteti kurrë nuk u pa si shtëpia e përbashkët. Për shekuj me radhë ai shihej si “bej i huaj”, që vinte për të marrë taksat dhe për të ushtruar pushtet mbi jetën e fshatarit. Nën Perandorinë Osmane, shteti nuk ishte diçka që duhej dashur a ndërtuar, por një barrë që duhej duruar. Kjo ndjesi e distancës me pushtetin mbeti e gdhendur thellë në ndërgjegjen tonë.

Komunizmi, në vend që ta shëronte këtë plagë, e thelloi edhe më shumë. Ai e shndërroi shtetin në një përbindësh të gjithë pranishëm. Nuk kishte më ndarje midis jetës private dhe publike: shteti ishte brenda familjes, brenda mendimeve, brenda fjalëve të thëna me zë të ulët. Por ky shtet nuk ishte i qytetarëve, ai ishte thjesht vegla e një kaste të vogël sunduesish. Qytetari nuk shihte tek shteti një dorë që ndihmon, por një sy që përgjon dhe një grusht që godet.

Kur komunizmi ra, shqiptarët nuk patën as kohë, as guxim për të rindërtuar një marrëdhënie të re me shtetin. Ata u larguan prej tij si prej një plage të hapur. E panë si një trup të huaj, një rrezik, një fatkeqësi që është më mirë t’ia lësh në dorë dikujt tjetër. Në këtë mënyrë, individi nuk e kuptoj kurrë rolin e ti qendror në kontrollin e shtetit dhe forcën përzgjedhëse të personave që do vendosnin fatet e vendit, qofshin këto në postet administrative apo politike. 

Nga ky vakuum lindi një ambivalencë e mprehtë: frikë e vjetër dhe përçmim i ri: indiferencë ndaj institucioneve dhe adhurim ndaj forcës

Shqiptari është i gatshëm të derdhë gjak për një gërvishtje makine, por kur shteti i merr shtëpinë, pasurinë apo lirinë, ai nuk reagon. Tigri që sulmon për një fjalë goje, përpara shtetit shndërrohet në mace të trembur. Kjo është pasojë e frikës së rrënjosur, një fenomen i përbashkët për shoqëritë që kanë kaluar periudha të gjata totalitarizmi, por që në Shqipëri merr përmasa groteske.

Kështu lind paradoksi i frikës shqiptare. Një popull që feston trimërinë si virtyt shekullor, nga burrëria e malësorit në veri tek krenaria e labit në jug, shndërrohet në një turmë të heshtur përballë pushtetit. Për një shikim të shtrembër, shqiptari është gati të bëjë krim; por kur shteti i merr tokën, shtëpinë apo lirinë, ai hesht. Tigri që lehëron për një fjalë goje, përballë pushtetit shndërrohet në mace të trembur.

Përfaqësuesit e shtetit, me korrupsionin dhe arrogancën e tyre, mund t’i marrin çdo gjë një qytetari: shtëpinë, tokën, lirinë. Dhe ky qytetar, i lënë vetëm, nuk gjen dot as forcën të reagojë për veten, e aq më pak të bashkohet me të tjerët.

Kjo frikë është trashëgimi e drejtpërdrejtë e totalitarizmit. Ajo nuk është thjesht një ndjesi, por një kulturë e tërë nënshtrimi. Në Shqipëri, qytetari nuk e sheh shtetin si pronë të vetën, por si diçka të jashtme. Ndaj nuk e kupton as rolin e vet. Nuk e kupton që shteti është instrument i tij dhe jo e kundërta.

Shteti, në vetvete, nuk duhet të jetë burim frike. Ai është shërbëtori i qytetarit. Por në Shqipëri marrëdhënia është e njëanshme: shteti sundon, qytetari nënshtrohet. Frika lëviz vetëm në një kah, nga poshtë lart, dhe jo në të dy drejtimet. Dhe për sa kohë kjo marrëdhënie nuk ndryshon, ligji nuk do të jetë kurrë vektori i vetëm i drejtësisë, por maska e një pushteti arbitrar.

Që në rrëzim të komunizmit u vështrua krijimi i një antagoznimi midis nëpunësit të shtetit që bënte “detyrën” dhe atij që bënte “punën”. Ky antagonizëm mund të gjendet i shprehur tek fjalia që na ndjek akoma deri më sot: “çfarë të kushton”. 

Është fjalia që filloi të dëgjohej ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike që refuzonin të jepnin certifikata si ish të përndjekur dhe si një virus u shpërnda në të gjithë hallkat e administratës dhe shtetit.

Është ndoshta fjalia më e shpeshtë që dëgjon një nëpunës i cili kërkon të bëj detyrën e vet. Në cilindo nivel që të gjendet ky nëpunës qytetarët e pakënaqur i thonë “çfarë të kushton”, “pse nuk e bën”. Kështu i ndodh mësuesit i cili vendos një notë të keqe një nxënësi, kështu i ndodh një roje që nuk te len të kalosh, kështu  i ndodh një drejtori i cili nuk të njeh një të drejtë.

Nëpunësi i shtetit që respektohej ishte ai që bënte “punën” dhe jo “detyrën”, element ky që tregon perceptimin e thyer që në gjenezë të rolit të shtetit. Një shteti që nuk respektohej por përdorej. Pak e nga pak, kjo largësi dhe moskuptim mundësoi terrenin mbi të cilin do ngrihej regjimi. 

Natyra e urren boshllëkun: aty ku qytetari nuk e mbulon hapësirën e kontrollit dhe përgjegjësisë, hapësira pushtohet nga patronazhi, klientelizmi, arbitrariteti. Kështu, feudalët modernë marrin vendin e ligjit; “e drejta” relativizohet në nder dhe nderi në ndërhyrje.

Ndryshe nga vendet perëndimore, ku politika shihet si një fushë që mund të kontestohet dhe pushteti si një mandat që mund të sfidohet, sot në Shqipëri mjafton të ulesh në karrigen e pushtetit që të sigurosh kontrollin mbi shtetin. 

Qytetari nuk e kupton rolin e vet në këtë raport. Ai nuk e sheh veten si aksionar të republikës, por si përfitues rastësor të një favori. Kjo shpjegon edhe lehtësinë me të cilin vidhet shteti, në thelb njerëzit nuk e kuptojnë se kë po vjedhin dhe nuk e kuptojnë se kjo qasje nuk dënon vetëm brezat e sotëm por edhe ata të nesërm.

Kjo prodhon tre prishje të mëdha: Prishja e kuptimit të ligjit (Ligji shihet si pengesë që kalohet, jo si mburojë që të mbron), Prishja e marrëdhënies me administratën (Nëpunësi i vërtetë, që bën detyrën, bëhet armiku; nëpunësi që “ta zgjidh” bëhet heroi i vogël), Prishja e solidaritetit qytetar (Një e padrejtë shihet si problem individual “nuk e ke njeriun”, jo si defekt sistemi që nesër prek të gjithë).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco