Nga Shkëlzen Hasanaj
Flas jo vetëm si qytetar shqiptar, por si sociolog i migracionit, i cili prej vitesh studion, analizon dhe kryen kërkime mbi politikat migratore në Evropë dhe në vendet që po shndërrohen në hapësira të reja imigrimi. Kam qenë në arkiva, në kufij, në qendra pritjeje, në terrene ku njerëzit presin, kalojnë ose ndalohen. Kam dëgjuar histori që të lënë pa fjalë. Dhe sot, më shumë se kurrë, ndjej nevojën të flas qartë.
Shqipëria po rrezikon të kthehet në diçka që nuk e ka qenë kurrë dhe që nuk duhet të bëhet asnjëherë: një platformë ndalimi dhe përmbajtjeje për migrantët e refuzuar nga vendet e tjera, një hapësirë ku liria e njerëzve vihet në pauzë në këmbim të marrëveshjeve politike dypalëshe.
Kjo rrugë është gabim. Jo vetëm për shkak të barrës morale dhe politike që mbart, por sepse rrezikon të dëmtojë pa kthim kohezionin e brendshëm të shoqërisë shqiptare. Ne e dimë mirë çfarë do të thotë të jesh emigrant, të përballesh me mure, me refuzim, me paragjykim. Dhe pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të bëhemi ne ata që e riprodhojnë këtë mekanizëm mbi të tjerët.
Nëse nuk veprojmë sot me kujdes, vizion dhe përgjegjësi, rrezikojmë që Shqipëria të përballet shumë shpejt me një realitet të ri e të vështirë: imigracion të pakontrolluar, tensione sociale, përjashtim, kriza integrimi dhe pasiguri për të gjithë.
Shqipëria ka të drejtën – dhe detyrimin – të ketë një politikë migratore të qartë. Është e arsyeshme të vendosen kufizime për hyrjen e individëve që vijnë nga kontekste shumë të ndryshme dhe për të cilët mungojnë kushtet e integrimit. Një migracion i papërgatitur është një barrë për vendin pritës dhe për vetë migrantët.
Në vend të kësaj, duhet të fokusohemi tek ajo forcë punëtore që ka dëshmuar aftësi për t’u integruar: njerëz që kanë jetuar dhe punuar në vende të tjera evropiane, anëtarë të diasporës shqiptare që mund të rikthehen me përvojë, gjuhë dhe dije për të kontribuar në zhvillimin tonë.
Migracioni nuk është vetëm një sfidë – është edhe një mundësi. Por vetëm nëse menaxhohet me maturi, me parime, me respekt për të drejtat e njeriut dhe për nevojat e shoqërisë. Nuk duhet të bëhemi as kazerma e Evropës, as territor eksperimentesh politike me kosto të lartë njerëzore.
Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë vonë.
© SYRI.net