Nga Endri Lazri/
Në skenën politike shqiptare, pak figura kanë polarizuar opinionin publik aq sa Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë, i cili drejton vendin për më shumë se një dekadë, tentohet të cilësohet nga mbështetësit e tij si një vizionar dhe reformator. Por për të tjerët, pjesën më të madhe të qytetarëve, nuk ka dyshim se ai është një figurë manipulative, që ka përdorur pushtetin për të konsoliduar kontrollin dhe për të sunduar nëpërmjet mashtrimit të publikut. Çfarë e bën Ramën një figurë kaq kontradiktore? A është ai thjesht një politikan që “kopjon” premtime dhe ide, apo ka diçka më të thellë – një model mashtrimi që shoqëron qeverisjen e tij?
Edi Rama njihet si mjeshtër i komunikimit nga mbështetësit e tij. Me një sfond si artist dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të krijuar narrativa bindëse, ai ka ditur të shesë ëndrra të mëdha për shqiptarët. Nga premtimet për “Rilindjen Urbane” te planet ambicioze për zhvillimin ekonomik dhe integrimin në Bashkimin Evropian, Rama ka ndërtuar një imazh si një lider që premton ndryshime rrënjësore, të paktën për ata që e besojnë. Por sa prej këtyre premtimeve janë përmbushur? Shumë nga idetë e tij duken si kopje të ricikluara nga fushatat e mëparshme ose të huazuara nga modele të huaja, të cilat shpesh nuk përshtaten me realitetin shqiptar.
Për shembull, projekte si “Lungomare” në Vlorë apo transformimi urban i Tiranës janë prezantuar si inovacione të mëdha. Por a janë vërtet të tilla? Shpesh këto iniciativa kritikohen si fasada që fshehin mungesën e investimeve reale në infrastrukturën bazë, si shëndetësia apo arsimi. Këto projekte, ndonëse tërheqëse në pamje, duket se shërbejnë më shumë për të krijuar një imazh suksesi sesa për të zgjidhur problemet e përditshme të qytetarëve. Çdo projekt i tij, si Lungomare apo Rilindja Urbane, ka rezultuar jo funksional dhd korruptiv.
Rama nuk është kopjac vetëm në projekte, por edhe në shprehje. Lexova një artikull të “Financial Times” ku gazetari e pyeste kryeministrin se çfarë do të donte të shkruhej në gurin e tij të varrit: të njihej si piktor apo si kryeministër. “Do të doja të isha piktori më i mirë midis kryeministrave dhe kryeministri më i mirë midis piktorëve,” u përgjigj Rama. Por kjo shprehje nuk është e tij! Afro 200 vite më parë, matematikani francez Évariste Galois i shkruante një miku të tij: “Le plus jeune parmi les grands, et le plus grand parmi les jeunes” – që përkthehet: “Më i riu ndër të mëdhenjtë dhe më i madhi ndër të rinjtë.” Një kopje tjetër që tregon se Rama di të veshë me petkun e vet edhe idetë e huaja, duke mos pasur asnjë ide origjinale brenda tij.
Por kritikat ndaj Ramës shkojnë përtej kopjimit të ideve. Është tashmë e qartë për këdo qasja mashtruese në qeverisje, ku premtimet e bujshme shërbejnë për të mbuluar dështimet dhe për të shpërqendruar publikun. Një shembull i qartë është menaxhimi i situatës pas tërmetit të vitit 2019. Pavarësisht premtimeve të mëdha për rindërtim të shpejtë dhe transparent, mijëra familje ende jetojnë në kushte të pasigurta, ndërsa procesi i rindërtimit është shoqëruar me akuza për korrupsion dhe shpërdorim fondesh. Po ashtu, në Theth, para fushatës elektorale, Rama premtoi se nuk do të prishej asnjë ndërtim pa leje. Por, menjëherë pas rezultatit të 11 majit, prishjet e ndërtimeve filluan.
Edhe narrativa e “suksesit ekonomik” që Rama promovon përplaset me realitetin. Pavarësisht statistikave zyrtare që flasin për rritje ekonomike, papunësia e lartë, emigracioni masiv i të rinjve dhe varfëria e vazhdueshme tregojnë një pamje tjetër. Rama përdor statistika të manipuluara dhe fushata propagandistike për të krijuar përshtypjen e një vendi në lulëzim. Por mjafton të vizitosh një fshat në çdo qytet të Shqipërisë për të kuptuar se realiteti është krejt ndryshe.
Një tjetër aspekt që e damkos figurën e Ramës në mënyrë përfundimtare është aftësia e tij për të konsoliduar pushtetin. Përmes kontrollit të medias, presionit ndaj institucioneve të pavarura dhe përdorimit të patronazhit politik, ai ka krijuar një sistem ku kritikat ndaj tij janë të vështira për t’u dëgjuar. Gazetarët investigativë dhe mediat e pavarura shpesh përballen me kërcënime ose presion ekonomik, ndërsa narrativat zyrtare dominojnë debatin publik. Ky kontroll e bën akuzën për mashtrim edhe më të rëndë, pasi publiku ka akses të kufizuar në informacion të pavarur.
Në këndvështrimin tim, e gjithë kjo fasadë e ndërtuar me kujdes, është bërë për të fshehur dobësinë e një individi, mungesën e ideve, dhe pasiguritë e tij. Mjaft të gërvishtësh pak fasadën dhe e vërteta del në shesh. Njerëzit nuk e kuptojnë fuqinë që ata kanë kur bëhen së bashku, dhe çdo lider autoritar, duke e zhveshur nga fasada, del po njëlloj, i dobët dhe i frikësuar nga popujt që ata sundojnë.
Shqiptarë, mos u mashtroni nga fasadat dhe premtimet boshe! Ëndrrat e mëdha që ai shet janë vetëm fjalë të bukura që fshehin një realitet të zymtë: varfëri, korrupsion dhe mungesë shprese për ne të rinjtë. Është koha të hapim sytë dhe të kërkojmë llogari. Le të zgjedhim një të ardhme ku liderët punojnë për popullin, jo për imazhin e tyre. Mos lejoni që kopjacet dhe mashtrimet të na qeverisin më tej – meritojmë më shumë se kaq!
© SYRI.net