Përpikmëria e Prodës?!

Përpikmëria e Prodës?!

21:55, 16/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Fation Gjinaj

Zotni Proda është në atë funksion që është, falë një konkursi transparent dhe pikëzimesh me përpikmëri, duke u radhitur në krye dhe si më i miri e i plotësuari për të marrë stafetën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Pastaj u hap një garë ethesh për 12 drejtorët Vendor të Policisë, ku edhe ata me pikëzime të përpikta, u përzgjodhën për të drejtuar policitë zonale.

E ethshme po aq ishte edhe gara për Shefat e komisariateve. U hoqën disa çuna e goca duke i ç’graduar me një të rënë të lapsit, sepse ishte ajo pra, gara e pikëzimeve të përpikta, transparenca.

Dhe fatkeqësisht media ishte aty për të raportuar në kohë reale, ethet e këtyre garave. Numëronin në dyert e Ministrisë së Brendshme kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm e drejtor vendor, më pas shefat e komisariateve. Ia lejonin vetes madje të jepnin edhe ndonjë koment më shumë për dikë, se kush ishte favoriti e disfavoriti por shumë pak elementë të kritikës dhe hulumtimit gazetaresk veçse në disa raste kur politikat redaksionale ishin të interesuara për të kundërtën tek-tuk për ndonjë kandidat që nuk e kishin fort me qef.

Të gjithë shkuan nëpër vendet e tyre, me kokën ulur e fjalët nëpër dhëmbë të disa ‘ishëve’ që në mes propagandës dhe përdorimit të policisë për interesa të caktuara, i dhanë shumë asaj strukture e uniforme, nga gjaku tek rrisku dhe ekspozimi përballë elementëve të rrezikshëm kriminal e politik.

Do të kalonin vetëm 8 muaj, dhe Zotni Proda kur kishte hyrë në rreshtin e rreshtores si praktikë punë në këtë Shqipërinë tonë të parcelizuar, të kapte lapsin, një fletë të bardhë, një makinë llogaritëse dhe një gomë…

E nis me Shkodrën dhe pastaj shiriti vijoi anembanë. Proda-Proda-Proda thuhet kudo.

Që të jemi të qartë, nuk po ndalem në raste specifike emërimesh, shkarkimesh apo rrokadash (sepse ndodhin dhe duhet të ndodhin ndonjë e shpesh herë gjithnjë mbi një analizë), por tek një çështje shumë e rëndësishme.

Gara zotni Proda?!

Ku gara?!

Ku konkursi?!

Ku pikëzimi?!

Ku komisioni i vlerësimit?!

Ku transparenca?!

Janë disa ‘ku’ që në zhargonin e përditshëm ku anormaliteti është kthyer në normalitet, s’ka vlerë më as ‘ku-ja’ e as kukuja, ama duhet thënë, duhet përmendur, duhet denoncuar se gënjyet, bëtë shoë dhe u tallët!

Dhe për këto ‘ku’, mediat as se vunë ujin në zjarr, thjeshtë mund të ngrinin një pyetje ose për ta kujtuar përmes përsëritjes së një kronike që ka bërë 10 muaj më parë për ethet e garës. Në një vend normal, këto do duhej të ishin ethet e Prodës që më ç’po duket as s’ka ndërmend ti ndjejë! Fundja Proda ishte i përpiktë, bëri dhe bën çfarë i thonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco