A (zh)bëhet Shqipëria?-Nga Isa Zymberi

A (zh)bëhet Shqipëria?-Nga Isa Zymberi

18:08, 07/02/2024
A+ Aa A-

 

Në këtë moment, përgjigja në pyetjen dyshe të titullit më sipër, fatmirësisht/fatkeqësisht është: "Jo, Shqipëria as zhbëhet, as bëhet."

Pamundësinë e zhbërjes së Shqipërisë deri-diku e ka dëshmuar 1997-ta.

Në këtë vit të kobshëm për Shqipërinë, aparati shtetëror pati rënë tërësisht duke u lënë hapësirë grupeve të ndryshme, kryesisht kriminale, që ta plotësonin zbrazëtinë e lënë. Për pasojë, mbetën rreth 3000 veta të vrarë.

Një analizë e thuktë, në detaje dhe krejtësisht objektive, e ngjarjeve të '97-ës nuk është bërë asnjëherë deri më tani, por, kurdo që të bëhet,  përveç gabimeve prej fillestarësh të forcave demokratike me mungesë të theksuar të përvojës së shtetndërtimit, roli madhor i grupeve të majta, qoftë brenda vendit apo dhe jashtë kufijve, nuk mund të përjashtohet në asnjë rrethanë.

Me gjasë, suksesi i të majtës për përmbysje, ngado që ka hedhur rrezet marksizëm-leninizmi, e në rastin e Shqipërisë, edhe stalinizmi e maoizmi, duket të jetë pakrahasimisht më i madh se ai i forcave demokratike. E majta vazhdon të shquhet qoftë për gatishmërinë e flijimit apo dhe të ushtrimit të dhunës ndaj kundërshtarëve. Organizimet e partive të majta, sidomos në rajonin tonë, vazhdojnë të bartin karakteristika militariste.

*   *   *

Bërja e Shqipërisë do shikuar në kontekstin e themelimit të vonuar të shtetit. Kur Perandoria Turke po shkërmoçej, shqiptarët vazhdonin përpjekjet për të realizuar të drejtat e tyre dhe debatonin nëse do të angazhoheshin për autonomi në kuadër të Perandorisë (që po vdiste) apo të formonin shtetin e 'mosvarur' kombëtar shqiptar.

Ende pa zënë vend persiatjet shqiptare në këtë drejtim, pa përfunduar Lufta e Parë Ballkanike, në shtator të vitit 1912, në St. James's Palace (Pallati i Shën Xhejmzit) në Londër, tashmë kishte filluar Konferenca e Ambadorëve ku merrnin pjesë fuqitë Europiane të kohës nën drejtimin e britanikut Sir Edward Grey. Vetëm disa ditë para shpalljes së armpushimit të kësaj lufte, shqiptarët, të nxitur gati deri në detyrim nga Austro-Hungaria, kishin shpallur pavarësinë. Për fat, tani Konferenca e Ambasadorëve, përveç me arbitrazhin e përcaktimit të tokave të pushtuara me luftë nga Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, do të merrej edhe me çështjen shqiptare. Neutraliteti shqiptar në Luftën e Parë Ballkanike, megjithatë, do t'u kushtonte shqiptarëve humbjen e rreth 40% të territoreve dhe lënien jashtë shtetit gati të gjysmës së popullsisë.

 Konferenca i ka mbyllur punimet në fund të korrikut 1913, dhe, i pyetur rreth çështjes shqiptare, Sir Eduard Grey, përafërsisht, deklaron se, kushdo që e njeh gjendjen në terren mund të na kritikojë me të drejtë sepse kemi lënë rreth gjysmën e shqiptarëve dhe territoreve të tyre jashtë shtetit shqiptar; kjo është bërë për të evituar konfliktin midis fuqive të mëdha Europiane, dhe nëse Shipëria mund ta luajë këtë rol, 'so be it' (ashtu qoftë). Shqipëria nuk e luajti këtë rol sepse, një vit më vonë, Serbia shkrepi plumbat që shënuan fillimin e Luftës së Parë Botërore. Pavarësia e Shqipërisë nuk solli asnjë levërdi deri pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur shpartallimin e saj e evitoi një president amerikan.

 Vështirë mund të bëhet një shtet, i cili që në themelim është i përgjysmuar, me gjysmën e popullatës të lënë jashtë në tokat e tyre, të plagosur rëndë në shpirt, të vrarë dhe të dërmuar fizikisht, të ndjekur e të përndjekur, të dhunuar e të përdhunuar. Këto prekin më shumë aspektin e psikës së një populli dhe nuk janë tërësisht përcaktuese nëse shteti amë do të bëhet ose jo. Ka shumë aspekte të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fatin e një shteti. Këtu hyjnë elemente si rrjedha e lumenjve, vargmalet, topologjia e territorit, komunikimi i maleve me fushat, i fushave me fshatrat, i fshatrave me qytetet, i tokës me detin, si dhe ndërveprimi midis njerëzve dhe përdorimi i gjuhës së tyre.

 Mbi të gjitha, ndërkaq, qëndron udhëheqja dhe vizioni ose mungesa e tij tek ata që në kohë të caktuara mbajnë pushtetin.

Ne shqiptarët jemi të prirur ose t'i lavdërojmë së tepërmi disa figura historike ose t'i kritikojmë së tepërmi. Kujtoj se duhet të jemi më të matur qoftë me lavdërime, qoftë me kritika. Vlerësimi objektiv i secilit lider nga cilado periudhë është qasja më e dobishme.

Lëvdatat e teprurara bashkë me kritikat e tepruara na çojnë te një përfundim i logjikshëm se pothuaj asnjëherë nuk ka pasur një Shqipëri normale për një periudhë më të gjatë kohore. Që në vitet e para të qeverisjes së Zogut, dalin në pah bulëzat e para të bolshevikëve, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin pjekur në atë masë sa me çdo kusht do ta merrnin pushtetin. Kështu Shqipëria iu bashkua tragjedisë ideologjike të Lindjes, madje duke e vendosur vetën, në kohë të caktuara, si arbitrin botëror të kësaj ideologjie.

 Pasardhësit e këtyre, edhe pse me një petk tjetër dhe duke u shtirur dhe shitur si demokratë, janë sot në pushtet në Shqipëri. Këta sot janë të betonuar në pushtet dhe largimi i tyre nga një opozitë, të cilën ia kanë dalë ta bëjnë copë e grimë, është tepër i vështirë, nëse jo dhe i pamundur.

Pushtetarët e sotëm përbëjnë aktualisht faktorin kryesor pse nuk bëhet Shqipëria. Por me rëndësi është se atë nuk e rrezikon zhbërja, ndryshe nga shumica e shteteve fqinjë rreth saj, si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, për zhbërjen e të cilave angazhohet ditë e natë Serbia dhe i rrezikon seriozisht. Për më tepër, Serbia vazhdon të jetë e lidhur drejtpërsëdrejti me Moskën e Putinit, apo Putinin e Moskës, i cili po e rrezikon gjithë globin me nisjen e një lufte të tretë botërore. (Në kohët e fundit, edhe disa shtete perëndimore sikur po i japin shenja Serbisë që, si në rastin e Luftës së Parë, t'i shkrepë plumbat e nisjes së Luftës së Tretë. Këto ditë Bashkimi Europian dhe SHBA i janë lëshuar Kosovës me kritika të ashpëra për heqjen e dinarit serb. Këto që vazhdimisht joshin Serbinë drejt Bashkimit Europian, pse nuk po i sugjerojnë Serbisë që të kalojë në monedhën e Euros - kjo lëvizje e saj, përveç që do të shfaqte orientimin europian të Serbisë, do ta zgjidhte edhe problemin e dinarit serb ne Kosovë).

Në këto rrethana, kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka zgjedhur t'i rrijë pranë pandanit të tij autokrat, Vuçiqit, i cili ka gjetur mënyrën që të jetë i përgdhelur edhe nga Perëndimi. Këto përgdhelje i kanë rrënjët më thellë dhe ndërlidhen edhe me një degradim të pakuptueshëm të politikës së shteteve të Perëndimit.

Kryeministri shqiptar, në vend se të angazhohet për mirëqenien e shqiptarëve në trojet e veta jashtë atdheut, sidomos në Maqedoninë e Veriut (ku derisa po bëhet ky shkrim, për shpak të zgjedhjeve të parakohshme, u bë një qeveri teknike me kryeministër shqiptar, dhe kjo mjaftoi të bëhej një dasmë politike madje dhe me një këndim që na e rifreskoi 'Trio Zajazin" e viteve 1970), pastaj, për shqiptarët në jugun e Serbisë, dhe për bashkërenditjen me Kosovën tashmë të pavarur, ai vullnetarisht dhe aktivisht, me gjithë disa mëdyshje në rrugë e sipër, angazhohet të jetë pjesë e një superstrukture të emërtuar 'Open Balkan' me ideolog spekulantin e përmasave ndërkokmbëtare (Sorosin e madh apo të vogël, s'ka rëndësi).

 Tentakulat sorosiane janë shtrirë në shumë vende të botës dhe do t'u shihen pasojat herët a vonë. Shqipëria, pra, vullnetarisht i bashkohet grupit të shteteve objektivisht të rrezikuara nga zhbërja pikërisht nga ideja e 'Open Balkan' duke ia mundësuar kështu dominimin Serbisë që, në një moment të caktuar, kur këtë t'ia kërkojë Rusia, ajo të merret në mënyrën ruse me pesë shtete fqinjë, prej të cilave tri janë edhe anëtare të NATO-s, e ardhmja e së cilës sikur ka zënë të luhatet.

Për më tepër, 'Open Balkan' po vjen si një djallë i veshur me petkun e BE-së dhe me mbështetjen amerikane, duke trukuar kështu madje dhe ata që e kundërshtojnë, siç është Kurti, të cilit mund t'i jetë thënë të vazhdojë ta kundërshtojë idenë, por të jetë i pranishëm në takime (Sorosi i vogël e viziton nganjëherë edhe Kurtin! Se çfarë e lidh Kurtin me Sorosin e vogël, nuk e dimë).

Sorosit, këtij 'burrshtetasi pa shtet', siç është quajtur ndonjëherë, duket se i është lënë dorë e lirë të veprojë në një terren që përfshin disa shtete të Ballkanit. Pikërisht Sorosi përbën lidhjen e pashkëputshme midis Ramës dhe Vuçiqit.

 Dyshja Rama-Vuçiq mund të jenë më së paku të interesuar për integrim në BE. Rendi i mirëfilltë ligjor i BE-së në vendet e tyre do t'ua prishte sakaq karrierën politike si njërit ashtu dhe tjetrit. Ka raste korrupsioni, e madje ndonjëherë dhe lidhje të politikës me botën e krimit, edhe në BE dhe shtete demokratike perëndimore, por, kur zbulohen, ato marrin përgjigjen e duhur nga drejtësia.

 Edi Rama ka inicuar një numër reformash me mbështetjen amerikane dhe të BE-së, si reformën e gjyqësorit me vetingun, themelimin e SPAK-t. Po del se një reformë e bërë në një kohë kur vetë kryeministri ka qenë thellë i involvuar në korruptim, nuk mund të jetë as e pavarur as e paanshme. Çdo reformë e bërë gjatë kësaj periudhe duhet të rimerret në dorë për t'i eliminuar të metat që e dëmtojnë rëndë.

Rama, duke e marrë bazën e mbështetjes amerikane si të garantuar, i është futur përdorimit të kësaj mbështetjeje për të shkatërruar opozitën, duke filluar nga Berisha dhe kryetari i mëherrshëm, Basha. Duke korruptuar McGonigal-in dhe duke shfrytëzuar mbështetjen sorosiane, Rama ia doli ta shpallte Berishën 'non grata', kurse Bashën e futi në dorë duke ia zbuluar paratë e dhëna për lobim në SHBA me një burim të pashpjeguar asnjëherë (PD do të duhej të insistonte në zbardhjen e burimit të atyre parave - kjo do të sqaronte shumëçka, prandaj Basha nuk do të duhej të lejohej të bëjë asnjë hap në asnjë drejtim pa e dhënë shpjegimin e plotë për paratë e lobimit). Basha, i joshur nga Rama&co, mendoi se shpëtimin do ta gjente duke e eliminuar politikisht Berishën, por nuk i doli ashtu. Sidoqoftë, opozita u coptua.

Berisha dëshmoi se është e pamundshme të eliminohet politikisht lideri i vërtetë, edhe pse mund të dëmtohet rëndë ai vetë, sidomos shëndeti i tij, por dhe partia që drejton. (Edhe të dënuarit për veprat më të rënda të mundshme, detyrimisht nxirren jashtë çdo ditë për ajrosje - mundësi që Berisha nuk e ka sepse nuk ka bërë saraje sa ka qenë në pushtet që do t'ia jepnin këtë mundësi.)

Skandalet e Ramës dhe inatet e tij personale, sikur e kanë nxitur atë që të mos i ndalë veprimet kundër Berishës. Tani Berisha mbahet nën arrest shtëpie dhe SPAK, i përfillur nga PS-ja në Parlament, s'do t'ia dijë nëse ka bërë shkelje procedurale me vendimet e veta.

Skandalet që rrjedhin nga PS-sa, ndiqen me hetime sipërfaqësore dhe me akuza skajshmërisht të latuara, në anë tjetër, me ndërhyrje të qartë politike, Rama&Co kërkojnë ndjekje të opozitës, madje edhe për vepra që vështirë të përbëjnë shkeljet e pretenduara.

 

Pavarësia e gjygjësorit dhe e prokurorisë nuk janë privilegje që mund të keqpërdoren. Organet e rendit kanë dhe kodet që duhet të përfillen përpikshmërisht. Çdo devijim mund ta dëmtojë së tepërmi procesin. Për ilustrim, vlen të përmendet një rast në Britaninë e Madhe. Një hetues ia del ba bindë një të dyshuar që t'ia zbulojë vendin ku e kishte varrosur një prej viktimave të tij. Sapo shkojnë bashkë te vendvarrimi, hetuesi i bën veprimet e duhura. Para se të largohen, i dyshuari i thotë hetuesit, "E do dhe një tjetër?' Hetuesi thotë, 'Po, natyrisht.' Shkojnë te vendvarrimi i viktimës tjetër. Më vonë ngriten akuzat dhe çështjet shkojnë në gjykatë. Gjykata e mban gjyqin vetëm për rastin e parë, pasi që, nga pakujdesia, hetuesi nuk ia kishte shqiptuar para arrestimit të dyshuarit për veprën e dytë vërejtjen paralajmëruese që fillon me, "Nuk je i detyruar të thuash gjë, por ...". Për familjen e viktimës së dytë, drejtësia nuk është bërë për shkak të një formaliteti të domosdoshëm.

Çështja Berisha, është e qartë, ka marrë një trajtim të veçantë nga drejtësia në kuptimin më të keq, por, në të njëjën kohë, kjo çështje ka rikonfirmuar më fuqishëm se çdo gjë tjetër kapjen e drejtësisë në të gjitha nivelet si dhe shërbimit prokurorial përfshirë dhe SPAK-un nga partia në pushtet. Kjo po përforcohet edhe nga ndonjë ish-zyrtar tepër të lartë i po kësaj partie.

Vihen re shkelje të panumërta procedurale dhe ligjore, si me mosaplikim si duhet të ligjit, mungesë dëshmisë relevante, mungesë objektiviteti, dyshime për motivacione politike, mungesë e veprimit në interes të drejtësisë dhe prani e motivacioneve politike, anashkalim i detyrimit për të mbrojtur të drejtat e të dyshuarit, shpërfillje të konfliktit të interesit, mungesë arsyetimi të masave të ndërmarra. Të gjithë këto, më së paku, përbëjnë një tufë shkeljesh të patolerueshme të të drejtave të njeriut.

Janë thirrjet politike për veprim ato që e delegjitimojnë SPAK-un dhe gjithë sistemin e drejtësisë, sidomos kur bazohen në një 'non-grata' familjare e cila është realizuar me intriga të stërholluara, intriga që tashmë i kanë të qarta edhe zyrtarët, të cilëve mund t'u jenë servirur të dhëna të rrejshme, ose mund të jenë ndikuar nga mbështetës spekulativë. Është çështje e tyre se kur do të zgjedhin të shprehen hapur rreth kësaj kurdisjeje të pabazë.

Berisha, që nga shpallja 'non-grata' e ka bërë të vetën. Qendrimet e Berishës zunë vend me zbardhjen e super-skandalit McGonigal. (Një skandal si ky do të rrëzonte çdo kryeministër të cilitdo shtet demokratik. Kryeministrin britanik, për dy ahengje në kohë pandemia dhe disa gota vërë e rrëzoi partia e vet.)  Në një shoqëri sado pak të shëndoshë Berisha nuk do të duhej të ndërmerrte as dhe lëvizjen më të vogël. Deklarimet e tij janë dëshmuar mjaftueshëm të sakta. I takon shoqërisë të vendosë se ç'rrugë do të marrë, por vështirë mund të pritet që Ramën ta rrëzojë partia e vet - ajo ka krijuar imunitet ndaj skandaleve të tij të panumërta dhe, mbase ka përfituar dhe vetë prej tyre.

Në momentin e pikërishëm, shoqëria shqiptare duket se nuk i ka të qarta rrugët që duan ndjekur. Berisha ka kundërshtarë dhe përkrahës të flakët. Kundërshtarët dhe ata që e urrejnë Berishën, fatkeqësisht, nuk duan t'ia dinë për faktet, ndërsa te përkrahësit sikur vërehet një lodhje dhe humbje shprese. Kjo situatë shkon në favor të një agonie të zgjatur të Shqipërisë.

Berisha e ka një moshë, të cilën po e sfidon me sukses. I takon atij të vendosë deri kur e sheh të rrugës të vazhdojë aktivitetin e tij, që tani me masat e ndërmarra kundër tij i është ngushtuar hapësira tejmase, në një dritare të vetme.

 Sidoqoftë, ajo që mund të quhet Dritarja e Demokracisë në Rrugën e Shpresës, duket se do të vazhdojë të ketë jehonë dhe, herët a vonë, do ta bëjë ndryshimin, me gjithë përballjet e vështira që do t'i ketë me një pushtet nduarduarshëm të blinduar. Të shpresojmë që kjo të ndodhë pa tronditje të dëmshme.

PD-ja aktualisht duhet të hulumtojë çdo mundësi të bashkimit dhe të mos humbë kohë me kërkimin e një lideri të ri. Si kërkimi i një lideri të ri, ashtu dhe tërheqja vullnetarisht e Berishës në këtë moment, do ta dëmtonin edhe më PD-në, edhe ashtu të stërlodhur nga fragmentarizimet që i ka përjetuar. Çështja e liderit të ri do të zgjidhet detyrimisht fitoi apo humbi PD në zgjedhjet e 2025-tës.

Në ndërkohë, Rama do ta ketë të pamundur të mos merret së paku me skandalin McGonigal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco